Ringritja ekonomike po starton
![](https://eunews.al/wp-content/uploads/2020/11/Anastas-Angjeli.jpg)
![](https://eunews.al/wp-content/uploads/2024/01/VitaminaC.gif)
Nga: Prof: Anastas Angjeli
Kriza ekonomike dhe re censioni si rrjedhojë e pandemisë Covid e çuan ekonominë e Eurozonës dhe atë globale në pikën më të ulët të rënies së saj. Kjo, e shoqëruar me pasoja shumëdimensionale, sociale dhe humane, papunësi e varfëri në rritje në gjithë globin, por kjo nuk mund të zgjasë pambarimisht. Pas rënies vjen ringritja, rigjallërimi i ekonomisë.
Natyrisht, kjo jo “si me një shkop magjik” dhe as vetvetiu. Masat, programet, paketat dhe litarët e shpëtimit që u miratuan dhe filluan të përdoren në ekonomitë më të fuqishme si SHBA e BE dhe në çdo vend të prekur nga kriza, po fillojnë të japin efektet e tyre, jo thjesht psikologjike, por reale. Zhvillimet e deritanishme të ekonomisë globale dhe të ekonomisë së Eurozonës po japin sinjalet e para pozitive. Kjo po ndodh dhe në ekonominë e vendit tonë.
EKONOMIA GLOBALE DHE E EUROZONES PO FILLON RIGJALLERIMIN.
Ekspertët e ekonomisë në Eurozonë shprehen të sigurt se këtë vit, edhe pse pandemia vazhdoi të ndikojë negativisht gjatë tremujorit të parë në ekonominë e vendeve të tyre, duke konfirmuar një tkurrje (që do të thotë që rajoni pësoi një recesion të dytë teknik brenda pak më shumë se një viti), ringritja ekonomike pritet të jetë prezente në fund të tremujorit të dytë, duke korrektuar tkurrjen që vazhdoi në disa vende kryesore të Eurozonës në tremujorin e parë.
Pra, lajmi i mirë është se gjërat duhet të bëhen më mirë drejt fundit të tremujorit të dytë.
Kjo edhe sepse programet e vaksinimit, që tashmë po avancojnë, po i çojnë vendet anëtare drejt heqjes së kufizimeve dhe hapjes së ekonomive të tyre. Prodhimi i Brendshëm Bruto në Eurozonë u tkurr me 0.6% tremujorin e pare, sipas të dhënave paraprake të lëshuara nga zyra e statistikave të Europës, Eurostat. Shumica e ekonomive më të mëdha të rajonit – Gjermania, Italia dhe Spanja – panë një rënie të aktivitetit gjatë tre muajve të parë të vitit. Rënia më e fortë e aktivitetit ndodhi në Portugali, e cila është përballur me një valë rastesh të reja Covid dhe çoi në bllokimin e dytë të vendit. Franca ishte një përjashtim, me ekonominë e dytë më të madhe të zonës euro, që shënoi rritje më të mirë sesa pritej, me 0.4% në tremujorin e parë. Megjithëse ekonomia franceze mbetet nën nivelet e saj para-Covid, numrat e rritjes do të sjellin siguri në tremujorin e dytë të vitit 2021. Shpenzimet e konsumit në Francë gjithashtu u zgjeruan me 0.3% në tremujorin e parë, megjithë rivendosjen e disa kufizimeve të Covid.
Por qeveria franceze vazhdon të lehtësojë masat, disa qeveri të landeve në Gjermani, gjithashtu. Sinjale pozitive drejt hapjes kanë dhe Italia, Spanja, Greqia (që u goditën rëndë nga pandemia) e që mund të ndihmojnë në rimëkëmbjen ekonomike të tyre.
Edhe parashikimet për zhvillimin e ekonomisë globale vijnë të përmirësuara dhe premtuese për fillimin e ringritjes ekonomike. FMN dhe Banka Botërore, mbas analizave dhe vlerësimeve të situatës së ekonomisë globale, për kapërcimin e krizës në periudhën postCovid duken më optimiste. Kështu, sipas BB, pas një kolapsi global të shkaktuar nga pandemia COVID-19 vitin e kaluar, prodhimi ekonomik pritet të zgjerohet me 4% në 2021, por ende në nivele të ulëta krahasuar me parashikimet parapandemike. Rritja globale parashikohet të luhatet në 3.8% në 2022, e ndikuar nga pasojat e vazhdueshme të pandemisë. Në veçanti, ndikimi i pandemisë në investime dhe kapital njerëzor pritet të zbehë perspektivat e rritjes ekonomike në vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara, duke paracaktuar qëllimet kryesore të zhvillimit. Parashikimet globale sipas Bankës Botërore synojnë një mesatare prej 4.6% në 2021-’22; përmirësimi në masë të madhe pasqyron parashikimet e Kinës, ndërsa në vendet e tjera përmirësimi pritet të jetë më i ngadaltë, mesatarisht 3.5% në vitet 2021- 22. Efektet e zgjatura të pandemisë vazhdojnë të ndikojnë në konsum dhe investime. Kufizimi i përhapjes së virusit, duke siguruar lehtësim për vendet në nevojë dhe tejkalimin e sfidave të lidhura me vaksinat, janë prioritetet kryesore të politikave. Ndërsa kriza zbutet, politikat ekonomike e fiskale, me sa duket, duhet të balancojë rreziqet përmes shtrëngimit të parakohshëm fiskal. Duket se një faktor me rëndësi me ndikim në sinjalet pozitive të ringritjes së ekonomisë globale, veç intensifikimit të procesit të vaksinimit, sidomos në SHBA, Britaninë e Madhe dhe vendet e BE-së, që po çojnë drejt hapjes së ekonomive të tyre, pritet të japin dhe zbatimin në ekonominë amerikane të planit ambicioz të zhvillimit ekonomik (infrastrukturës prej 2,3 trilionë usd) dhe të punësimit dhe ai në vendet e BE-së, për rimëkëmbjen ekonomike (Next generaton EU).
EKONOMIA SHQIPTARE PO RINGRIHET
Siç e përjetuam, pandemia e koronavirusit i dha një goditje të fortë edhe ekonomisë së vendit tonë. Ndikimi negativ në ekonominë shqiptare është ende prezent, por tashmë ka një dritë jeshile dhe sinjale pozitive drejt ringritjes ekonomike.
Këto sinjale janë reflektuar në treguesit e tremujorit të parë të këtij viti jo vetëm të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, INSTAT, por edhe nga raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare: FMN, BB, Standart & POOR etj.
Treguesit e publikuar për rezultatet ekonomike e financiare të vitit që lamë pas, ishin më premtues se parashikimet negative (për shkak të krizës). Kjo është vënë në dukje edhe në një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
FMN pasqyron një bilanc më pozitiv nga çfarë ishte parashikuar më parë lidhur më rënien ekonomike ne vendin tonë. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, recesioni për vitin 2020 ka qenë -3.5 për qind, një shifër kjo shumë pranë vlerësimit që bëri edhe Instituti i Statistikave pak ditë më parë, sipas të cilit recesioni i viti 2020 ishte thuajse në të njëjtin nivel. Shqipëria renditet si vendi me rënien më të ulët ekonomike në rajon pas Serbisë, recesioni i së cilës ka qenë vetëm -1 për qind. Shteti ballkanik më i goditur nga pandemia është Mali i Zi, por edhe Kosova, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia, të cilat kanë pasur një rënie të konsiderueshme ekonomike.
Edhe Standard &POOR në vlerësimin e fundit për ekonominë e vendit tonë (shkurt 2021) konfirmoi për Shqipërinë një perspektivë të qëndrueshme, pavarësisht goditjes së rëndë dhe të drejtpërdrejtë të pandemisë në ekonomi.
Sinjalet e rigjallërimit të ekonomisë sonë duken jo vetëm në treguesit e të ardhurave buxhetore, por edhe në ato të rritjes së eksporteve, të konsumit, ripunësimit dhe rritjes së produktivitetit. Vaksinimi i suksesshëm anti-Covid i popullsisë dhe fillimi i rihapjes ekonomike po vë në lëvizje fillimin e zhvillimit të turizmit, prodhimit bujqësor, rigjallërimin e mëtejshëm të sektorit të ndërtimit, transportit dhe shërbimeve të tjera. Kështu, pozitiviteti i treguesit të të ardhurave buxhetore në tremujorin e parë të këtij viti vazhdoi dhe në muajin prill.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se 4-mujorin e këtij viti janë grumbulluar 152.2 miliardë lekë të ardhura nga tatimet dhe doganat, rreth 20 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Gjithashtu, eksportet shqiptare kanë shënuar një kthesë pozitive edhe gjatë prillit, pas rritjes së lehtë që shënuan në tremujorin e parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, muajin e kaluar u eksportuan 29 miliardë lekë mallra, gati dyfish më shumë se e njëjta periudhë e 2020-ës, kur shtetet kishin vendosur masa bllokuese për shkak të pandemisë duke penalizuar tregtinë mes vendeve. Si raport 4-mujor, vlera e eksporteve arriti në 109 miliardë lekë, rreth 28 miliardë lekë më shumë se janar-prill i vitit të shkuar, me rritjen më të madhe të tyre drejt Italisë, Kosovës dhe Gjermanisë. Ky zgjerim i eksporteve që kapërcejnë edhe nivelet e një viti normal si 2019-ta lidhet me stokun e krijuar gjatë vitit të kaluar si rrjedhojë e bllokimit të rrugëve tregtare dhe vendosjes së karantinës në vendet partnere, drejt të cilave Shqipëria eksporton, ku kërkesa u orientua kryesisht vetëm te produktet ushqimore. Gjatë 4-mujorit, ecuria e eksporteve është ndikuar pozitivisht nga të gjitha grupet, veçanërisht nga materialet e ndërtimit dhe metalet që kanë parë një dyfishim kundrejt 2020-ës, teksa rritje të fortë kanë pësuar edhe eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse. Edhe grupi më i madh eksportues në vend, tekstilet dhe këpucët, ndër më të goditurit nga pandemia si rrjedhojë edhe e kërkesës së ulët nga tregjet e huaja, kanë shfaqur një tendencë rritëse. Në janar-prill u eksportuan rreth 36 miliardë lekë mallra në rritje kundrejt 2020-ës, por me gjithë zgjerimin nuk kanë arritur të rikuperojnë plotësisht humbjet, duke mbetur poshtë niveleve të parakrizës.
Por, edhe vlera e mallrave të importuara është rritur ndjeshëm gjatë pjesës së parë të vitit, duke arritur në 225 miliardë lekë, rreth 51 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e 2020-ës.
Kjo ka bërë që edhe deficiti tregtar të zgjerohet në 116 miliardë lekë këtë katërmujor, rreth 179 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.
Nga ndikimi i pandemisë, ndryshimet dhe kontrastet në sjelljen konsumatore vazhdojnë dhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke ndikuar në strukturën e konsumit dhe në rritjen graduale të tij, sidomos në rritjen e shpenzimeve të produkteve ushqimore të shportës, duke vënë në lëvizje sektorët e prodhimit të këtyre produkteve dhe tregtinë (përfshi dhe shitjet online). Jo vetëm falë rindërtimit të pasojave të tërmetit, por edhe për shkak të tendencës në rritje, sektori i ndërtimit vazhdon të performojë pozitivisht, transporti, turizmi në prag të rihapjes së plotë po starton rigjallërimin dhe prodhimi bujqësor gjithashtu.
Por ky është vetëm fillimi i ringritjes ekonomike në vendin tonë, i cili që të mund të “korrektojë” dhe “mbulojë” tkurrjen që pësoi në vitin 2019 dhe sidomos në vitin 2020 do t’i nevojiten përpjekje të pareshtura në zbatim të një strategjie të qartë dhe agresive të zhvillimit ekonomik e social, gjatë 4 viteve të ardhshme të këtij mandati, duke harmonizuar, prioritizuar, vazhduar dhe zbatuar:
-vazhdimin e “revolucionit shëndetësor”, të nisur për shkak të pandemisë së Covid-19, jo vetëm si kusht për vazhdimin e procesit të suksesshëm tashmë të vaksinimit të popullsisë si kusht për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të vendit dhe njëhershmi dhe lehtësimit të masave dhe hapjes me ndikim në ekonomi, por edhe si një shembull, si një “ushtrim” se si kujdesi për shëndetin publik mund të bëhet.
-Lehtësimi maksimal i masave antiCovid për të mundësuar hapjen e ekonomisë, sidomos për të rifilluar aktivitetin e plotë sektori i turizmit, shërbimeve, tregtisë dhe transportit;
-vazhdimi me përparësi i zbatimit të politikave të mbështetjes (karburanti, kreditimi i vogël e politika të tjera) të nisura në fillim të këtij viti për sektorin e bujqësisë që të shkojnë e ndihmojnë drejtpërsëdrejti produktivitetin në këtë sektor gjithnjë te rëndësishëm të ekonomisë.
-Një “politikë e re sociale” me masa efikase, përdorim të kujdesshëm të politikave financiare rishpërndarëse dhe ndikim nxitës në punësim (në kushtet e reja të tregjeve të punës), uljen e varfërisë (sipas raportit të BB, nga ndikimi i pandemisë numri i të varfërve është rritur, humbja e vendeve të punës gjithashtu), në paga e pensione dhe programet sociale e humanitare etj.
– Të harmonizuara dhe balancuara me politikat sociale të mësipërme të vazhdojmë zbatimin e vizionit tonë të ri “Shqipëria e vitit 2030” përmes projekteve të mëdha strategjike të prezantuara si burim zhvillimi, punësimi e ndryshimi. Rikthimin e vëmendjes në stabilitetin makroekonomik e financiar, sidomos mbajtjen në kontroll të borxhit publik, deficitit buxhetor dhe inflacionit e papunësisë etj., për menaxhimin efektiv të shpenzimeve publike, orientimit prioritar të tyre me vazhdimësi në mbështetje të procesit të rindërtimit, infrastrukturës, energjisë, turizmit etj. dhe shtimit të përpjekjeve për forcimin e financave publike, rritjes së të ardhurave buxhetore, edhe përmes vazhdimit të luftës kundër informalitetit, zbatimit të reformës së fiskalitetit dhe politikave të reja fiskale stimuluese, zgjerimin e hapësirave të politikes monetare, garantimin e likuiditetit dhe nxitjen e politikave kredituese në ekonomi etj.
-Vazhdimin e reformave të ristrukturimit të ekonomisë duke konsideruar zhvillimet e reja post-Covid, veçanërisht hapjen e sektorëve të rinj ekonomikë, industritë e reja, zhvillimin teknologjik të shkencës dhe edukimin (diversifikimin e arsimit, sidomos arsimin profesional), shërbimin elektronik ndaj qytetarëve, që tashmë po progreson pozitivisht) etj.
Vazhdimi me përparësi i reformave integruese të vendit në Europë dhe veçanërisht i Reformës në Drejtësi dhe institucioneve ligjzbatuese në dobi të shtetit të së drejtës të barazisë para ligjit, të luftës kundër korrupsionit, të rritjes së lirisë ekonomike, drejtësisë ekonomike dhe në mbështetje të reformave rregullatore etj.
***
Fillimi i rimëkëmbjes ekonomike në vendin tonë, zbatimi i masave për vazhdimin e kësaj rimëkëmbjeje, është rruga e vetme për kapërcimin e recensionit ekonomik nga kriza e pandemisë dhe suportimin e ndryshimeve pozitive të mirëqenies dhe jetës sociale në vend.
Eunews.al
![](https://eunews.al/wp-content/uploads/2024/12/Ditalb-DHJETOR970x90.png)
![](https://eunews.al/wp-content/themes/eunews/images/atlantic-banner.jpg)