×
Wednesday, February 12, 2025

“Ringjallja” e një aleance!

July 31, 2021


Aleanca veri-atlantike është e bashkuar dhe e gatshme për t’u reformuar në mënyrë që t’i përshtatet sfidave të sotmes dhe të nesërmes. Në samitin e parë fizik që prej shpërthimit të pandemisë, e të parin që prej largimit të Trump, aleatët përmendin Rusinë dhe Kinën si rreziqet kryesore ndaj NATO-s.

Pasi i mbijetoi stuhisë Trump, nën udhëheqjen e të cilit përjetoi kohërat më të pasigurta që prej krijimit të saj, aleanca veri-atlantike shfrytëzoi samitin e këtij viti për të rikonfirmuar veten përballë një bote gjithnjë e më kërcënuese e për të hapur një kapitull të ri në historinë më shumë se 70-vjeçare.

Me aleatin kryesor shtetet e bashkuara, sërish në të njëjtën shinë, lokomotiva e NATO-s lëviz tani në një terren më të sigurt, e nuk u ndal këtë vit as nga pandemia e koronavirusit. E megjithatë, kriza shëndetësore globale i dha një fytyrë krejt tjetër, mbledhjes pas një viti mungesë, të 30 krerëve të shteteve që përbëjnë aleancën më të fuqishme në botë.https://ads.gogel.al/www/delivery/afr.php?zoneid=105&target=_blank&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE

Brukseli, dhe e gjithë zona rreth NATO-s u blindua si kurrë më parë me helikopterë, ushtarë dhe mjetë të blinduara që patrullonin nëpër qytet. Numri i pjesëmarrësve e po ashtu gazetarëve që u lejuan të ndiqnin eventin ishte I limituar, e pavarësisht akreditimit këtë vit, hyrja në eventet më të rëndësishme të ditës, kërkonte badge-in e mediave prestigjioze.

Me gjithë vështirësitë në një kohë aspak të zakontë, me kufizimet dhe regjimin e rreptë të kontrollit,  A2 CNN ishte aty… për të ndjekur nga afër samitin që u konsiderua si një pikë kthese për aleancën e sprovuar në 7 dekada.

Joe Biden do të merrte pjesë për herë të parë, si presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, mbështetja e të cilit do të rikthente besimin e humbur dhe do t’i jepte hov angazhimit kundrejt sfidave të përbashkëta. Në pjesëmarrjen e tij të parë në NATO, si president i SHBA, Joe Biden siguroi aleatët se Amerika është e përkushtuar për një marrëdhënie të fortë e të qendrueshme dhe se epoka e pasigurive, nën udhëheqjen e paraardhësit të tij ishte tanimë pjesë e së shkuarës.

Presidenti e bëri të qartë se angazhimi i SHBA ndaj Nenit 5 të traktatit të NATO-s është i fortë dhe i palëkundur. “Është i shenjtë… NATO qëndron e bashkuar. Kështu u jemi përgjigjur sfidave në të kaluarën dhe kështu do të bëjmë në të ardhmen. Amerika është rikthyer”.

Mesazhi i Biden, ishte ai që donin të dëgjonin aleatët, pas 4 viteve me tallje e kritika nga paraardhësi I tij, Donald Trump, se pjesëtarët e tjerë përfitonin në kurriz të Shteteve të Bashkuara, duke mos e paguar pjesën e tyre të detyrimeve. Pjesëmarrjet e manjatit të pasurive të patundshme në samitet e zhvilluara nga 2017 në 2019, sillnin në selinë e NATO-s një shfaqje alla “reality shoë”, ndërsa e gjithë vëmendja binte te një njëri i vetëm.

Ndërsa Trump pretendonte se NATO nuk e kishte trajtuar si duhet Amerikën, Biden premton të rikthejë qëndrueshmërinë aq shumë të nevojshme, në kohëra më të turbullta të sigurisë globale; kur kërcënimi vjen nga të gjitha frontet; e në një kohë kur regjime autoritare si Rusia dhe Kina sfidojnë më shumë se kurrë rendin kombëtar.

Sjellja agresive e Rusisë në kufijtë e NATO-s dhe ambiciet ushtarake në rritje të Kinës, janë shqetësime që kërkojnë riformësim urgjent të aleancës. Si një përgjigjje ndaj skepticizmit, edhe brenda radhëve të saj, për atë që shihet si koncept i vjetëruar, por edhe si mënyrë për t’iu përshtatur një bote gjithnjë e më sfiduese, preanzantohet “NATO 2030”. Në kuadër të programit “NATO 2030”, aleatët morën vendime të rëndësishme për të fuqizuar konsultimet politike, mbrojtjen kolektive, për të thelluar përparësinë teknologjike, për të shtuar stërvitjet mes partnerëve dhe për të adresuar impaktin e ndryshimeve klimatike tek siguria.

“Një gjë e rëndësishme për të cilën u dakordësuam është fuqizimi dhe përshtatja e aleancës duke bashkëpunuar më shumë. Por, nëse duam të bëjmë më shumë gjëra së bashku, duhet edhe të investojmë më shumë. Prandaj, jam i lumtur që u dakordësuam mbi të treja buxhetet: civile, ushtarake dhe infrastrukturore”, tha Stoltenberg.

Aleanca e tha fort dhe qartë, se ishte e bashkuar dhe e vendosur për t’u modernizuar, në një mesazh që i drejtohej kryesisht Kinës dhe Rusisë, të konsideruara si rreziqet kryesore të kohërave të sotme. Ndërsa e cilësoi marrëdhënien me Rusinë si në pikën më të ulët, për herë të parë, aleanca e krijuar për të mbrojtur Europën nga Bashkimi Sovjetik, e përmend Kinën si sfidë sistematike. Presidenti amerikan Joe Biden tha: “Rusia dhe Kina po përpiqen të përçajnë solidaritetin tonë. Po shohim rritje të aktiviteteve dashakeqëse kibernetike”.

Jens Stoltenberg shtoi: “Ndikimi në rritje i Kinës dhe politikat e saj kombëtare, prezantojnë një sfidë ndaj sigurisë së aleancës. Liderët u dakordësuan se kemi nevojë të adresojmë sfida të tilla si një aleancë dhe se duhet të veprojmë ndaj Kinës, për mbrojtjen e interesave tona të sigurisë”.

Kina nuk ishte përmendur asnjëherë më parë në një deklaratë finale të samitit të NATO-s, përveçse në një referencë të shkurtër në vitin 2019, mbi “mundësitë dhe sfidat” që vendi përbën për aleancën perëndimore, në kohën kur Donald Trump ishte president. Anëtari më problematik i aleancës, Turqia, ishte një tjetër kokëçarje që duhej adresuar në samit. Për herë të parë, pas përplasjeve të forta në distancë lidhur me vendimin e Turqisë për të blerë një sistem të mbrojtjes raketore nga Rusia S-400, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, u ul përballë Presidentit amerikan Joe Biden.

“Qëndrimi ynë e po ashtu i Shteteve të Bashkuara ishte i qartë. Ajo që ndodhi është se SHBA nuk na e dha sistemin patriot, kështu u detyruam të blinim S-400 –n ruse. Ramë dakord se ministrat tanë të Jashtëm dhe të Mbrojtjes do të diskutojnë mbi çështjen, për të parë se ç’mund të bëjmë”, tha Erdogan.

Në samit ishte i pranishëm edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama. Shqipëria u anëtarësua në organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut në vitin 2009 dhe është bërë pjesë e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Irak dhe Afganistan.

Eunews.al




Comments are closed.