×
Friday, October 11, 2024

Rikthimi i krizës

March 9, 2022


NGA AKADEMIK, ANASTAS ANGJELI/ Dhjetë vitet e fundit, eko nomia globale vazhdon të mos shkëputet nga pasojat e krizës ekonomike e financiare, të cilat, herë pas here, u shoqëruan dhe po shoqërohen me tronditje të thella të tregjeve financiare, të bursave, të mallrave dhe të aksioneve, zinxhirin e furnizimit në tregjet globale, me problem të papunësisë, rritjes së “çmendur” të çmimeve dhe të inflacionit, zhvlerësim të disa monedhave, me pasoja të rënda humanitare etj.

Dhe tani, rrjedhojë e luftës në Ukrainë, një krizë e re po rikthehet duke kërcënuar ekonominë globale, nga e cila po dhe do preken shumë vende, përfshi edhe vendin tonë. Kriza që po rikthehet, rrjedhojë e luftës në Ukrainë, do të jetë me pasoja të mëdha në ekonominë globale, paralajmërojnë drejtuesit kryesorë të FMN-së. Ndërsa ekonomisti i njohur amerikan, fitues e çmimit “Nobel në Ekonomi”, Paul Krugman, në një analizë të tijën për “The New York Times”, thekson se pasojat do jenë shumë të rënda dhe ai i parashikon edhe më të rënda për vetë Rusinë pas pushtimit të Ukrainës, kur thotë se: “Mrekullia e Ukrainës mund të mos zgjasë”.

Përpjekja e Vladimir Putin për të arritur një fitore të shpejtë me një kosto të vogël, duke pushtuar qytetet e mëdha me forca të armatosura relativisht lehtë, është përballur me një rezistencë të madhe. Por tani po përdoren armët më të rënda. Dhe përkundër heroizmit të jashtëzakonshëm të popullit të Ukrainës, ka ende më shumë gjasa që flamuri rus të vendoset midis rrënojave të Kievit dhe Kharkivit. Por, edhe nëse kjo ndodh, Federata Ruse do të dalë nga kjo luftë më e dobët dhe më e varfër sesa ishte para pushtimit. Pushtimi nuk sjell asnjëherë përfitime për pushtuesin, sidomos në aspektin afatgjatë.

Pse? Shembujt e luftërave në shekuj, por veçanërisht në kohët moderne (nga shekulli i 19-të) sipas studiuesve historianë e kanë vërtetuar këtë. Por derisa kjo të ndodhë e historia të përsëritet, ekonomia globale vazhdon të udhëtojë…

GA KRIZA NË KRIZË

Por cilat janë të përbashkëtat dhe veçoritë e krizave të këtij 10-vjeçari? Kriza që shpërtheu fillimisht në vitin 2008, e cila nisi si një krizë hipotekare dhe bankare dhe më pas mori përmasat e një krize globale, e quajtur si kriza e borxheve, tronditi tregjet financiare, falimentoi një numër bankash të mëdha dhe shoqëri sigurimesh e institucione financiare, duke vazhduar me një goditje të fortë në kërkesën dhe ofertën solli si pasojë rënien ekonomike, “shtrëngimin e rripit” në shumë vende të eurozonës, sidomos Greqi, Spanjë, Portugali, Qipro dhe u reflektua edhe në vende të tjera jashtë eurozonës, përfshi edhe vendin tonë.

Ende pa marrë frymë thellë, në përpjekje për t’u çliruar nga kjo krizë, ekonomia globale u përball dhe vazhdon të ndeshet me pasojat humanitare, ekonomike, financiare, të papunësisë dhe shkëputjes së zinxhirit të tregjeve të furnizimit me mallra, të tronditjes së tregjeve financiare etj., të krizës së Pandemisë së Covid-19. Kjo krizë ishte dhe mbetet me pasoja katastrofike humanitare dhe në gjithë globin mori jetën e më shumë se 5.3 milionë njerëzve.

Ndërsa nga kriza e borxheve u nxorën mësime për menaxhimin më të mirë të financave publike, ristrukturimin e borxheve, u vendosën rregullime të reja në funksionimin e sistemeve bankare dhe sidomos në përdorimin e kredive hipotekare, kriza e pandemisë bëri “thirrje” për më shume shpenzime për kujdesin shëndetësor, për shtresat ne nevojë, për investimet në teknologjinë dhe studime në fushën shëndetësore, i hapi rrugën e zhvillimit të mëtejshëm të teknologjisë dhe kapitalizmit dixhital, zhvillimeve dhe profesioneve të reja fintech-ut etj. Ndërsa kriza që po shpërthen nga lufta në Ukrainë dhe po trondit gjithë boten është më mizorja.

Kjo, sepse ajo ka në themel luftën, e cila u merr njerëzve përmes luftës dhe shkatërrimit. Kjo luftë ka synime gjeopolitike, trondit dhe cenon sigurinë globale, sjell shkatërrim të qytetërimit e zhvillimit dhe pa dyshim sjell pasoja në ekonominë globale, në tregjet financiare dhe të mallrave, po trondit sistemin energjetik, tregun e naftës, anomali në zinxhirin e furnizimit në tregjet globale të mallrave etj. Dhe, mbi të gjitha, një krizë e thellë humanitare merr jetë njerëzish dhe fluksi i emigrimit drejt vendeve të Europës vetëm nga konflikti në Ukrainë, pritet të kalojë 5milionë njerëz.

Lufta përmes politikës së sanksioneve politike, juridike e sidomos ekonomike, pse jo edhe e ndërsjellë mes palëve po përdoret më shumë se kurrë. Rusia po përpiqet të përdorë “manovra pagesash ndërkombëtare” përmes monedhave dixhitale, më qëllim që të anashkalojë sanksionet ndaj sistemit banker (swift) etj. Nga ana tjetër, kjo krizë bëri që të rikthehet jo vetëm lufta e “nxehtë”, por edhe lufta e ftohtë. Vendet anëtare të NATO-s po unifikohen gjithnjë e më shumë në qëndrimet ndaj kësaj lufte, në vendimet për marrjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por duket se shpenzimet ushtarake SHBA, Gjermanisë (për herë të parë pas 75 vjetëve) Francës Japonisë etj. prognozohen në rritje.

EFEKTET E LUFTËS NË UKRAINË. DILEMAT E BANKËS QENDRORE EUROPIANE. Ç’DUHET TË BËJMË?

Lufta e nisur në Ukrainë nga Rusia ka filluar të ndikojë dhe do të ndikojë më shumë sa kohë që kjo luftë vazhdon në vendet e Eurozonës. Rritja e çmimit të naftës me kërcënimin rus se fuçia do të arrijë çmimin 300 usd, presionet për rritjen e çmimit të gazit, ndërprerjen e furnizimit me gaz të vendeve nga Rusia si prodhuesi dhe furnizuesi më i madh, ndërprerja e zinxhirit të furnizimit me drithëra nga Rusia si prodhuesi i parë në botë (mbi 30%), sanksionet dhe kundërsanksionet kanë dhënë efektet e para, duket se po e tronditin thellë ekonominë globale. Dje, bursat evropiane u mbyllën me ulje, por humbjet kufizuan pas një rënie të fortë që paralajmëroi një përsëritje të së Premtes së Zezë, që kushtoi 400 miliardë kapitalizim në bursat kryesore të BE-së.

Negative rezultuan edhe bursat e tjera europiane: Frankfurt – 1,98%, Paris -1,31%, Londër -0,4%, Milano… Në mbyllje të bursave evropiane, “Wall Street” është në rënie: Dow Jones bie 1.2%, S & P500 bie 1.4% dhe Nasdaq 1.5%. Përshkallëzimi i luftës në Ukrainë, po i shtyn aleatët të vlerësojnë ndërhyrjet më të ashpra nga pikëpamja e sanksioneve. Sipas mediave ndërkombëtare, SHBA po shtyn (me ose pa aleatë) të miratojë një bllokadë totale të importit të naftës ruse. Mbetemi në një fazë paqëndrueshmërie të madhe për shkak të trazirave të tregut global të energjisë: “Një nga pasiguritë më të mëdha është se sa dhe si do të ndikojë përshkallëzimi i luftës ekonomike midis Rusisë dhe Perëndimit në rrjedhën e naftës dhe gazit”, tha Victor Shum për Bloomberg.. “Dimensionet e shumanshme të kësaj lufte do të çojnë në rezultate të papritura”.

Siç kujton “Deutsche Bank”, në shënimin e saj, tensioni mbi naftën buron gjithashtu nga fakti se gjatë fundjavës shpresat për përshpejtimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, e cila do të kishte sjellë një prodhues të madh për të tregtuar naftën e tij të papërpunuar në tregun global. Në frontin e monedhës, Euro e mbylli seancën europiane me 1,0861 dollarë, kundrejt 1,0893 dollarëve në hapje, pasi ra në 1,0806. Euro/jen me 125,40 dhe dollar/jen me 115,46. Monedha e përbashkët është praktikisht barazi me frangën zvicerane, diçka që nuk ka ndodhur që nga viti 2015. Rubla prek nivele të reja historike: 140 rubla nevojiten për një dollar kundrejt rreth 70 në fund të vitit, ndërsa 152 për një euro.

Putin ka nënshkruar një dekret që lejon kreditorët e obligacioneve në valutë të huaj të paguhen në rubla: një veprim që rrit koston e mbrojtjes nga dështimi i borxhit rus. Lëndët e tjera të para, megjithatë, janë në tension: paladiumi dhe bakri kanë shënuar rekorde të reja, nikeli regjistron një rritje prej 40% dhe çmimin më të lartë në 15 vjet, mbi 40,000 dollarë për ton, dhe alumini mbetet mbi 4,000 dollarë për ton. Rekord i ri për çmimin e grurit, i cili arrin në 430 euro për ton në Bursën e Parisit me +9% krahasuar me të premten. Këto ngjarje po efektojnë edhe ekonominë e vendit tonë. Çmimet po “çmenden”.

Gjatë muajit shkurt, inflacioni u rrit përsëri dhe arriti nivelin 3.9%, duke shënuar një rekord të ri për më shumë se një dekadë. Rritja e inflacionit është gjithnjë e më e përqendruar te produktet ushqimore, energjetike (nafta) dhe shërbimet e transportit, duke pasqyruar shtrenjtimin e ndjeshëm të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare. 86% e inflacionit agregat për muajin shkurt erdhi nga tri grupet e mësipërme. Inflacioni i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” në shkurt arriti në 6.9%, duke vijuar tendencën e rritjes së shpejtë që po regjistron në muajt e fundit.

Një vit më parë, inflacioni i ushqimeve ishte vetëm 3.2%, çka tregon qartë ritmet e larta të shtrenjtimit të këtyre produkteve. Sipas Instat, produktet që janë shtrenjtuar më shumë krahasuar me një vit më parë janë ato të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet”, me 16.4%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyra” me 10.1%, “fruta” me 7%, “bukë dhe drithëra” me 6.8%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6.7%, “mish” me 3.9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.3%.

Megjithëse në terma mesatarë inflacioni ngelet më i ulët krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara, si ato të Eurozonës apo të SHBA, pritshmëritë janë për një rritje të mëtejshme, duke parë tendencën në rritje të indeksit të çmimeve të prodhimit, të atyre të importit apo të indeksit të presioneve të huaja inflacioniste, që llogaritet nga Banka e Shqipërisë. Nga ana tjetër, inflacioni i lartë në grupin e produkteve ushqimore përbën një goditje për shtresat më të varfra të shoqërisë, ku ushqimet përbëjnë një pjesë shumë të madhe të shpenzimeve familjare.

Shtrenjtimi me ritme të shpejta i energjisë dhe i karburanteve po ushtron presione gjithnjë e më të larta të kostove të prodhimit për bizneset, duke u reflektuar tek çmimet finale dhe duke gjeneruar presione inflacioniste shtesë. Edhe pse këto implikime në ekonominë e vendit tonë janë rrjedhojë e ndikimit të jashtëm (luftës) dhe e fenomeneve të tregut, pa dyshim që qeveria, për të minimizuar efektet dhe risqet, po merr masat e mundshme dhe po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e pasojat rrjedhojë e kësaj lufte-siç deklaroi vetë Kryeministri Rama përmes dhe ngritjen e një shtabi për këtë qëllim.

Unë besoj se në vartësi nga kohë, zgjatja e luftës dhe e pasojave të saj do të jetë nevojë e rishikimit dhe riorientimit të disa politikave ekonomike, veçanërisht ato energjetike, bujqësore, ushtarake të harmonizuara me NATO-n, ato humanitare e shëndetësore, të disa shërbimeve jetike, transportit publik, duke bërë dhe alokimet e nevojshme buxhetore, me ndryshimet e duhura buxhetore brenda në fund të 6–mujorit të parë të këtij viti. Njëhershmi edhe roli dhe reagimi i Bankës së Shqipërisë, për aq sa ka në detyrimin kushtetues, me rëndësi të veçantë në këtë moment. Kjo, sepse edhe Banka Qendrore Europiane (BQE) po kërkon të rregullojë përgjigjen e saj monetare ndaj krizës. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia e komplikon detyrën e Bankës Qendrore Europiane, e cila do të duhet të rregullojë përgjigjen e saj monetare ndaj rrezikut të dyfishtë të një goditjeje inflacioni dhe të një ngadalësimi të rritjes ekonomike në zonën e euros.

Kjo krizë e madhe është një ndryshim i vendimmarrjes për institucionin me seli në Frankfurt, i cili në mbledhjen e mëparshme të shkurtit i kishte hapur rrugën një politike monetare shtrënguese. BQE-ja atëherë dukej sikur ishte gati të normalizonte gradualisht veprimin e saj pas dy vjetësh të një politike ultra-komoduese për të mbështetur ekonominë përballë pandemisë COVID-19 dhe kur njëkohësisht shqetësohej për përballimin e inflacionit të lartë më gjatë se sa pritej. Lufta tani afër Europës dhe sanksionet e marra në vazhdën e Perëndimit kundër Rusisë kanë pasoja që janë ende të vështira për t’u vlerësuar për ekonomitë në tërësi.

Në këtë kontekst të paprecedentë gjeopolitik që nga fundi i Luftës së Ftohtë, BQE-ja “është e gatshme të marrë çdo masë të nevojshme për të siguruar stabilitetin e çmimeve”, deklaroi presidentja e saj, Christine Lagarde. Rreziku i “stagflacionit”, një kombinim i frikshëm i inflacionit dhe stanjacionit ekonomik, është rritur qartë, deklaron ekonomisti Carsten Brzeski i thinkthank “ING” dhe i Qendrës për Studime Europiane pranë Universitetit Harvard. Konflikti tashmë ka çuar në një rritje të ndjeshme të çmimit të lëndëve të para, veçanërisht të energjisë, që mund të përshpejtohet më tej. PARASHIKIMET PËR TË ARDHMEN Inflacioni “do të rritet më tej dhe do të mbahet për një kohë të gjatë, ndërsa rritja e aktivitetit do të jetë në depresion”, parashikon Eric Dor, drejtor i Studimeve Ekonomike në Shkollën e Menaxhimit të IESEG (Francë).

Ndikimi negativ në rritjen europiane do të jetë rrjedhojë i inflacionit të lartë, i pasojave në tregjet financiare, i ndërprerjeve të zgjatura në zinxhirët e furnizimit dhe tek rënia e besimit. Masat fiskale mund të zbusin këto efekte, siç ishte rasti gjatë pandemisë. BQE-ja do të duhet këtë të enjte, të përcaktojë kursin e saj, projeksione të reja makroekonomike që integrojnë të dhënat e fundit, veçanërisht inflacionin rekord prej 5.8% në shkurt të këtij viti në zonën e euros, si dhe një llogaritje të efekteve të parashikueshme të konfliktit ukrainas.

Analistët presin që institucioni i Frankfurtit të konfirmojë fundin, në mars siç ishte planifikuar, të programit të blerjes së borxhit të nisur për të kundërshtuar recesionin e shkaktuar nga pandemia. Nga ana tjetër, pyetjet kanë të bëjnë me vazhdimin e programit të vjetër të riblerjes së letrave me vlerë publike dhe private “Lehtësimi Sasior”. A do të tundohen gardianët e Euros të ngadalësojnë ritmin? Analistët e Goldman Sachs presin që BQE-ja të shtrëngojë politikën e saj në dhjetor, por shtojnë se mundësia e një konflikti të zgjatur të armatosur dhe ndërprerjet e furnizimit me gaz mund të vonojnë këtë strategji daljeje.

“Ngjarja e tmerrshme”, e krijuar nga lufta kërkon “kujdes”, nënvizoi italiani Fabio Panetta, anëtar i bordit ekzekutiv të BQE-së, dhe pionier i mbështetjes së zgjatur monetare. Inflacioni i lartë e bën të nevojshme të “mbash një sy” në kalendarin për shtrëngimin e kredisë, u përgjigj Joachim Nagel, president i “Bundesbank”, zëdhënës i “ortodoksisë monetare”. Duke pasur parasysh tensionet e rritura gjeopolitike, BQE-ja duhet të shmangë aludimin e afateve për blerjet e bonove të saj si “data të rritjes së parë të normës së interesit”, parashikon Carsten Brzeski.

Sipas të gjitha gjasave, Christine Lagarde mund të vendoste duke u bazuar te paraardhësit e saj që kanë dashur “të mos angazhoheshin kurrë paraprakisht”. Analistët presin që BQE të shtrëngojë politikën e saj, por shtojnë se mundësia e një konflikti të zgjatur të armatosur dhe ndërprerjet e furnizimit me gaz mund të vonojnë këtë strategji daljeje. “Ngjarja e tmerrshme” e krijuar nga lufta kërkon “kujdes” nënvizoi italiani Fabio Panetta, anëtar i bordit ekzekutiv të BQE-së, në favor të mbështetjes së zgjatur monetare. Inflacioni i lartë e bën të nevojshme të “mbash një sy” në kalendarin për shtrëngimin e kredisë, u përgjigj Joachim Nagel, president i Bundesbank, zëdhënës i “ortodoksisë monetare”.

Duke pasur parasysh tensionet e rritura gjeopolitike, BQE duhet të “shmangë aludimin për afate” për blerjet e bonove të saj si “data të rritjes së parë të normës”. Prandaj edhe BSH, duke ndjekur me vëmendje ndikimet dhe zhvillimet e brendshme ekonomike, monetare e financiare duhet të reagojë në kohën e duhur me politiken e saj monetare, harmoni me rekomandimet e FMN dhe vendimmarrje e Bankës Qendrore Europiane.




Comments are closed.