×
Wednesday, December 8, 2021

Reja: Do të japim maksimumin në ndeshjet me Anglinë dhe Andorrën

November 9, 2021

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Edoardo Reja, në një konferencë për mediat foli për dy ndeshjet e radhës të Shqipërisë, ndaj Anglisë dhe Andorrës, të vlefshme për kampionatin Botëror “Katar 2022”, duke theksuar se do të japin maksimumin me ekipin që ka grumbulluar.

Trajneri Reja e vlerëson ndeshjen me ekipin e Anglisë si shumë të vështirë, që ai e konsideron një rival të fortë. “Sigurisht ne do të shkojmë atje për të bërë ndeshjen tonë me synimin për të marrë maksimumin. Kemi mungesa siç është Abrashi apo Gjimshiti që janë lojtarë shumë të rëndësishëm, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën edhe me këta që kemi”, tha Reja.

Ai u shpreh se do të impenjohen maksimalisht në dy ndeshjet e mbetura me Anglinë dhe Andorrën, sipas tij, për të marrë maksimumin deri në fund.

“Unë lojtarëve do t’u kërkoj që të japin maksimumin në këto dy ndeshja, ndaj Anglisë dhe ndaj Andorrës, sepse duam pikë dhe ky është synimi im. Pasi të mbarojnë të dyja ndeshjet do të kemi kohë që të bëjmë edhe analizat tona dhe të shohim çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë kemi bërë keq”, tha ndër të tjera trajneri Reja.

Në listën e grumbulluar nga trajneri Reja rikthehen në Kombëtaren e Shqipërisë Albi Doka dhe Qazim Laçi, ndërsa do të mungojë për shkak dëmtimit Berat Gjimshiti.

Në kuadër të këtyre eliminatoreve, Shqipëria ndodhet në grupin I së bashku me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon.

Shqipëria renditet aktualisht e treta në grup me 15 pikë pas 8 ndeshjesh, ndërsa më 12 nëntor do të përballet me Anglinë në transfertë dhe më 15 nëntor në “Air Albania” kuqezinjtë do të presin Andorrën.

Eunews.al

Comments are closed.