×
Thursday, September 23, 2021

Reforma në Drejtësi/ Soreca: Duhet më shumë lidership nga i gjithë spektri politik

July 23, 2021

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, i bëri thirrje gjithë spektrit politik në Shqipëri, që të angazhohen për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

I pranishëm në tryezën “5 vjet nga Reforma në Drejtësi”, ambasadori Soreca theksoi se BE është angazhuar shumë për këtë reformë, qoftë edhe financiarisht, ndaj dhe sipas tij, do të kërkohet përgjegjshmëri për përfshirjen në zbatimin e saj.

“Është e rëndësishme të kërkohet më shumë lidership nga i gjithë spektri politik, në mënyrë që reforma në drejtësi të ketë sukses. Vijimi i kësaj reforme është një ndër prioritetet kryesore, që të ecet përpara në mënyrë efikase. Pavarësia, integriteti i Reformës në Drejtësi është shumë i rëndësishëm. Objektivi kryesor për vitet e ardhshme është që të punohet fort, në mënyrë që të zbatohet kjo reformë siç duhet. Do të kërkohet përgjegjshmëri për përfshirjen në zbatimin e reformës në drejtësi. Bazat ligjore të jenë në vend, korniza ligjore po ashtu të jetë në vendin e duhur, të luftohet korrupsioni. Sistemi duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane.

Është i nevojshëm bashkëpunimi dhe koordinimi për reformën në drejtësi. Është inkurajuese që në këtë tavolinë të kemi aktorët kryesorë. Është një mënyrë e mirë për të shënuar përvjetorin e diçkaje kaq të rëndësishme për Shqipërinë. Patjetër që kjo është e rëndësishme edhe për BE, që po investon në sektorë mjaft të rëndësishëm. E kemi mbështetur reformën dhe kemi menduar edhe përfshirjen financiare. Nuk do të ndalojmë së punuari, pasi duam ta shohim Shqipërinë sa më afër BE. Ky ka qenë angazhimi im kryesor që prej ditës sime të parë të punës këtu dhe kështu do të vazhdojë deri në fund. Puna që është bërë deri tani në këtë reformë ka ndikuar në hapët drejt BE”, tha ambasadori Soreca.

Eunews.al

Comments are closed.