Reagon kryeministri Rama pas hapjes së kufijve tokësorë me vendet e rajonit



Shqipëria sot ka hapur kufijtë tokësorë me vendet e rajonit, duke krijuar një mundësi të re të qarkullimit të njerëzve pas mbylljes disa mujore për shkak të pandemisë COVID-19. Për këtë masë lehtësimi ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
Me një qëndrim në faqen e tij zyrtare në “Twitter”, shefi i mazhorancës shprehte se, pavarësisht të metave që ka, ai di t’i mbajë premtimet kundrejt qytetarëve.
“Na hap kufijtë o Ramazon se gjithë bota i ka hap!” e kur thosha jo s’i ka hap gjithë bota, ne do jemi nga të parët fare, gënjeja unë! Po tani që ne i hapëm e shikoni që të tjerët jo? E pra, unë kam njëmijë të meta, po nuk gënjej dhe mirë a keq them atë që bëj dhe bëj atë që them!”, shkruan Rama.
Ai fton qytetarët të tregojnë durim dhe besim tek autoritetet shtetërore.
“Dhe mos keqkuptohemi, s’e kam me bllokimin e çuditshëm të makinave të Shqipërisë në kufirin e Kosovës për dizinfektim, po për plot kufij fqinj ose jo, që janë ende mbyllur! Prandaj durim, besim dhe kujdes nga nxitimi në ngrënien e rrenave se helmojnë gjakun e çorodisin mendjen!’, shton ai.
