Raporti vjetor i KPP, Myzyri: Digjitalizimi i shërbimeve në fushën e prokurimeve publike, histori suksesi



Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, raportoi një analizë të detajuar lidhur me veprimtarinë vjetore të institucionit që ai drejton, në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij Myzyri theksoi, se viti 2022 ishte një vit sfidues për institucionin e Komisionit të Prokurimit Publik në disa drejtime.

Së pari, ishte një vit i rëndësishëm dhe vendimtar, për të matur impaktin dhe progresin e reformës më të rëndësishme të kaluar nga institucioni i Komisionit të Prokurimit Publik, atë të digjitalizimit të shërbimeve, reformë e cila nisi në mesin e pandemisë, në korrik të vitit 2020 dhe përfundoi në tetor të vitit 2021.
Përmes digjitalizimit të shërbimeve, operatorëve ekonomikë iu është kursyer 52,390 km rrugë për të paraqitur ankesa dhe mbi 50,000 $ kosto për paraqitjen e ankesave në rrugë shkresore, është shmangur printimi i mbi 14,662 fletëve, është rritur aksesi i operatorëve ekonomikë në sistemin e rishikimit, si dhe mbi 26 operatorë ekonomikë ankimues të rinj kanë paraqitur ankesa, duke patur në total 300 operatorë ekonomikë ankimues për 201 nga 400 autoritete, që kanë publikuar procedura prokurimi mbi kufirin e blerjeve të vogla.
Gjithashtu, digjitalizimi i shërbimeve ka rritur shpejtësinë e vendimmarrjes, ku vetëm 10.1% e ankesave janë trajtuar jashtë afatit krahasuar me 22.8 % në vitin 2020 dhe me 10.8% në vitin 2021 dhe ka shkurtuar kohën e shqyrtimit të ankesave nga 17-të në 12-të ditë.
“Reforma e digjitalizimit, e ndjekur nga institucioni i Komisionit të Prokurimit Publik ka gjetur gjithashtu edhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare, si edhe është vlerësuar, si nga organizma të BE-së, ashtu edhe nga organizata ndërkombëtare me fokus në transparencën në prokurime.”- u shpreh z. Myzyri.
Së dyti, ishte viti i parë i zhvillimit të të gjitha procedurave të prokurimit publik me ligjin e ri, një ligj i cili jo vetëm është përafruar me katër direktiva, por gjithashtu ka sjellë ndryshime të qenësishme materiale dhe procedurale.
Nga 6494 procedura të publikuara për t’u zhvilluar në Sistemin e Prokurimeve Elektronike, për 532 procedura unike, janë paraqitur 794 ankesa, nga të cilat 782 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 8 (tetë) ankesa për procedurat e ankandit publik, dhe 4 (katër) ankesa në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ankesat janë paraqitur nga 300 operatorë ekonomikë unikë për 201 autoritete kontraktore.
Gjatë vitit 2022, 39 % e ankesave janë paraqitur për dokumentet e tenderit dhe 61 % e tyre për fazën e vlerësimit të ofertave.
Gjithashtu, z. Myzyri u shpreh, se falë mbështetjes së Kuvendit, u përfundua edhe faza e dytë e digjitalizimit të shërbimit, duke mundësuar ndërtimin e infrastrukturës për regjistrimin audio të seancave dëgjimore të Komisionit, më shumë transparencë në publikimin e rasteve në proces gjyqësor dhe ndërveprimin me sisteme të treta dhe një sistem të avancuar të menaxhimit të brendshëm
Së fundmi, por jo me më pak rëndësi, ka qenë në nderin e institucionit të Komisionit të Prokurimit Publik, të përfaqësojë Republikën e Shqipërisë, si shtet themelues dhe drejtues i të parit rrjet të organeve shqyrtuese të prokurimit të Europës Juglindore, me anëtarësinë e organeve shqyrtuese të prokurimit të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Sllovenisë, Rumanisë dhe me një status të posaçëm të Republikës së Turqisë.
“Sfidat, por edhe arritjet e vitit që lamë pas, na bëjnë sa krenarë, aq edhe të përulur në vijimin e kryerjes së detyrave, duke u dhënë garanci të gjitha grupeve të interesit, se do të vijojmë në lartësinë e kërkuar nga ligji dhe të besuar nga Kuvendi, për të mbrojtur interesat e ligjshëm, si një organ që qëndron mbi palët dhe me emërues të përbashkët, pasionin për të punuar me paanshmëri, ligjshmëri, shpejtësi dhe efiçencë.” – u shpreh kryetari i KPP-së në fjalën e tij.Komisioni i Prokurimit Publik, u përfaqësua nga z. Jonaid Myzyri, Kryetar, znj. Teodora Mehmetaj, Juriste, z. Ergys Streza, Inspektor.
