×
Thursday, June 1, 2023

Raporti i DASH dhe sfidat ende të mëdha me të cilat përballen komunitetet fetare në Shqipëri

May 20, 2023



Nga Dr.Arben Ramkaj

Si për shumë fusha të tjera të jetës, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi

lirinë e fesë, është raporti i vetëm që trajton në mënyrën më të qartë të mundshme

dhe transparente të gjitha problematikat që hasin aktualisht komunitetet fetare në

Republikën e Shqipërisë.

Të qenit një raport gjithëpërfshirës për gati gjithë vendet e botës, ia shton ndjeshëm

peshën. Por nga ana tjetër, dihet se Shtetet e Bashkuara janë pioniere në aspektin e

mbrojtjes së lirisë së besimit fetar.

Vetë Shqipëria ka firmosur dhe është palë në disa konventa ndërkombëtare si

Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike (në vitin 1991) apo Paktin

Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (po në vitin 1991).

Për më tepër, ajo është një partnere e SHBA-së në aleancën për mbrojtjen e lirisë së

besimit. Raporti i publikuar pak ditë më parë, që skanon situatën e vitit të kaluar, merr

një rëndësi të veçantë, sepse përmend për herë të parë dhe i kushton një rëndësi të

veçantë disa ngjarjeve, që në opinionin publik shqiptar kanë kaluar deri diku në

heshtje.

Kështu raporti i DASH, përmend problematikat e përhershme të komuniteteve fetare

që kanë të bëjnë me çështjen ende të pazgjidhur të kthimit të pronave të tyre. Ai

thekson se ndonëse marrëveshjet e qeverisë me 5 komunitetet fetare, përcaktuan se

qeveria do të kthente objektet dhe pronat fetare, ligjet që e pasuan atë ua delegojnë

këtë rol gjykatave.

Por duke pasur parasysh ngarkesën e sistemit për shkak të reformës në drejtësi të nisur

që në vitin 2016, edhe pronat e komuniteteve po përjetojnë të njëjtin kalvar si gjithë

pretenduesit e tjerë të pronave. Ligji përcakton se vendimet e gjykatave në çështjet

civile, përfshirë ato që kanë të bëjnë me pronën, skadojnë nëse nuk ekzekutohen

brenda 10 viteve.

Dhe nëse prona nuk mund të rikthehet për shkak se është e zënë, është në përdorim

nga qeveria ose e padisponueshme, komuniteti fetar, me të vërtetuar titullin e

pronësisë, mund t’i kërkojë kompensim financiar Agjencisë së Trajtimit të Pronave

(ATP).

Në këto kushte, raporti sugjeron një nismë të përbashkët të komuniteteve fetare për

çështje që i prekin drejtpërdrejt, siç është kompensimi i drejtë financiare i pronës së

komuniteteve fetare në vendin tonë.

Ambasada e SHBA-së u ka bërë vazhdimisht thirrje zyrtarëve të qeverisë të

përshpejtojnë trajtimin e pretendimeve për pronën, dhe të kthejnë godinat e

grupeve fetare dhe pronat e tjera të konfiskuara gjatë epokës së diktaturës komuniste.

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, është përmendur vetëm liria e

pronave. Por fakti është se ajo që ka ndodhur me komunitete fetare në Shqipëri gjatë

diktaturës, ka shkuar deri në kufijtë e një gjenocidi kulturor.

Kjo vetëdije, duhet t’i bëjë institucionet shtetërore por edhe vetë opinionin publik

më të ndjeshëm ndaj problematikave ende të pazgjidhura nga të cilat vuajnë ende

komunitetet fetare në Shqipëri. Siç e përmenda në fillim, raporti ndalet edhe një

ngjarje që kaloi në përgjithësi pa shumë vëmendje nga institucionet përgjegjëse

me gjithë zhurmën dhe zallamahinë e krijuar ne media.

Fjala është për incidentin e ndodhur në korrik 2022, me një punonjës të policisë 

së shtetit që u denoncua nga imami i njohur i xhamisë Dine Hoxha në Rrugën e

Kavajës në Tiranë, Ahmed Kalaja. Oficeri i policisëgjyqësore u denoncua për sjellje

agresive, gjuhë ofenduese dhe për presione ndaj besimtarëve individëve që faleshin

dhe punonin në xhami për t’u bërë informatorë të policisë.

Në këtë pikë, është me rëndësi për institucionet shtetërore për kujdesin special 

Që duhet të tregojnë për atë qe është e shenjtë, dhe që garantohet nga neni 3 i

Kushtetutës së Republikës në Shqipërisë që thotë shprehimisht:”Pavarësia e shtetit dhe

tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore,

rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare,

bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat

janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.

Po ashtu, raporti nuk le për përmendur ngjarjen që tronditi mbarë vendin, atë të

familjes Josifi në Kombinat, ku vdiq nëna dhe njëra nga vajzat, dhe rrezikoi

seriozisht jetën vajza tjetër, u vërejt qartë mungesa e përgatitjes së ekspertëve 

që trajtojnë çështjet e besimit në Shqipëri për ta trajtuar si duhet, dhe që solli ngatërrimin e kësaj tragjedie me Dëshmitarët e Jehovait.

Kjo përmendje është shumë e rëndësishme, sepse edhe minoritetet e besimeve të

ndryshme, kanë të drejtën të ushtrojnë lirinë e besimit në territorin e Republikës së

Shqipërisë. Një qasje e tillë e gabuar ndaj këtij komuniteti, është vënë re edhe

ndaj Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në rastin e luftëtarëve të huaj që shkuan

në Lindje e Mesme për të luftuar të radhët e organizatave terroriste.

Në këtë rast, është fakt që opinionit publik por edhe medias, i mungoi dukshëm

drejtpeshimi i fakteve, duke stigmatizuar në mënyrë të padrejtë një komunitet të tërë

për ato që janë veprime individuale, të papjekura, të pastudiuara apo të keq-përdorura

të disa individëve që zgjodhën të përfshihen në konfliktin civil sirian.

Nga ana tjetër, raporti i DASH përmend dhe një çështje tjetër, që unë gjykoj se është

tejet e rëndësishme. Ajo është diskutimi mbi edukimin fetar në shkollat publike dhe

private. Praktikisht kjo e drejtë në Shqipëri mbetet e paqartë.

A është ajo e lidhur vetëm me komunitetet zyrtare fetare të Shqipërisë, apo është një e

drejtë kushtetuese për çdo minoritet fetar, apo për çdo grup interesi që ka dëshirë që

në shkollat private të ushtrojë të drejtën e mësimit të fesë?

Vlerësoj se kjo çështje merr një rëndësi edhe më të madhe sot kur ka një shtim të

frikshëm të dhunës midis adoleshentëve në shkolla dhe rrugë, por edhe konfliktin e

fortë identitar që përjetojnë të rinjtë në raport me shfaqjen e identitetit të tyre kulturor

dhe religjioz.

Kjo është një temë shumë e rëndësishme që duhet diskutuar, sepse përpara disa

kohësh u propozua një projekt pilot nga komuniteti ndërkombëtar, sipas të cilit

edukimi fetar të bëhej pjesë e kurrikulave në shkollat publike të vendit. Por më

pas ky projekt u tërhoq.

Në këto kushte, vetëm shkollat private (jo publike) mund të përfshijnë në kurrikulat

mësimore ndonjë lëndë mbi mësimin e besimit fetar, edhe në këtë rast si një lëndë me zgjedhje dhe jo e detyrueshme. Departamenti Amerikan i Shtetit përmend me shqetësim edhe një projektligj të qeverisë, që synonte të kufizonte universitetet e lidhura mekomunitetet fetare nga ofrimi vetëm i programeve arsimore teologjike, duke kufizuar fakultetet arsimore laike.

Këshilli Ndërfetar dhe Komiteti Shtetëror për Fenë, theksuan se kufizime të tilla mund

të sillnin deri edhe mbylljen e institucioneve arsimore të lidhura me fenë për shkak të

rënies së regjistrimit të studentëve dhe humbjes së shkollimit. Ndaj deri në fund të

vitit të kaluar, qeveria nuk e zbatoi vendimin.

Po ashtu, raporti nënvizon rëndësinë e madhe që kanë financimet e shtetit për

komunitet fetare të cilat sipas DASH nuk janë në nivelin e duhur. Për më tepër nga

qeveria nuk është bërë asgjë gjatë dekadës së fundit për të pasur një qasje ndryshe.

Ky dokument, është shumë i rëndësishëm pasi skanon në detaje dhe me objektivitet

marrëdhëniet e komuniteteve fetare me shtetin dhe shoqërinë, sqaron në detaje

problematikat që ekzistojnë ende, dhe vendos pikat mbi “i”, mbi masat që duhet

të marrin institucionet shtetërore shqiptare.

Mendoj se ky raport, përbën një shembull të shkëlqyer që duhet të ndiqet edhe nga

komunitetet fetare, të cilat duhet të publikojnë çdo vit një raport të ngjashëm mbi

marrëdhëniet e komunitetit të tyre me institucionet e shtetit shqiptar, por edhe me

shoqërinë në tërësi.

Vlerësoj se kjo kulturë e raporteve dhe e nxjerrjes në pah të problematikave, do t’i

vendosë komunitetet fetare në një pozitë më të shëndoshë, si dhe do t’u rikthejë atyre

dinjitetin e duhur pranë shoqërisë shqiptare, e cila në të kaluarën, dhe për shkak të

regjimit brutal komunist, ka qenë pjesë e goditjes së egër që pësuan komunitetet

fetare.



Comments are closed.