×
Wednesday, October 16, 2024

Rama takon Sheikh Muhammed Bin Zayed: Biseduam për luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike

March 9, 2022


Kryeministri Edi Rama u prit sot në një takim nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Muhammed Bin Zayed, ndërsa ndodhet në Abu-Dabi ku mori pjesë në Ditën e Shqipërisë në “Expo Dubai 2020”.

Kryeministri bëri të ditur se në fokus të takimit në Abu-Dabi, krahas situatës së krijuar pas luftës në Ukrainë, ishte kriza energjetike, projektet e Rindërtimit në Spitallë e të Portit Turistik në Durrës, si edhe thellimi i marrëdhënieve dypalëshe.

“Të nderuar nga mikpritja vëllazërore e Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, me të cilin biseduam gjerë e gjatë për luftën në Ukrainë, krizën energjetike, projektet e Rindërtimit në Spitallë e të Portit Turistik në Durrës, si edhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës së Shqipërisë në “Expo Dubai 2020”, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku marrin pjesë 192 vende të botës dhe ku Pavijoni i Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve për mrekullitë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe energjinë zhvillimore të vendit tonë.

Kryeministri Rama në vizitën e tij në Emiratet e bashkuara Arabe shoqërohet nga ministrja për Punët e Jashtme dhe Evropën Olta Xhaçka, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj si dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.




Comments are closed.