×
Tuesday, May 20, 2025

Rama: Raporti i Komisionit Europian flet për transformim rrënjësor në sistemin e Prokurimit Publik

January 27, 2022


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, i merr me rezervë raportet ndërkombëtare, përveç raportit të Komisionit Europian që bën raporte profesionale të një pune të përditshme me Shqipërinë.

Sipas Ramës në Raportet e Komisionit Europian thuhet se ka një transformim rrënjësor në sistemin e Prokurimit Publik dhe ne diversifikimin e akseseve publike.

“Tek Prokurimi Publik shiko raportet e Komisionit Europian dhe hajde mer informacionin nga Komisioni i Prokurimit Publik të shikosh transformimin rrënjësor që ka ndodhur në procesin e Prokurimit Publik në diversifikimin e aksesit në fondet publike e kështu me radhë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij.

Ndersa i pyetur në një intervistë televizive mbi raportin  e Transparency International mbi perceptimin e korrupsionit, Rama tha se, “e para nuk ka raport të Transparency International”.

“Është një indeks, i bazuar në mbledhjen e disa raporteve. Dhe unë nuk dua t’i futem kontestimit, apo diskutimit. Dua të them vetëm kaq, që po të dëgjosh shpjegimet që jepen, ato pak shpjegime që u dëgjuan. Unë nuk e di ku lidhen ato dhe si lidhen ato me korrupsionin. Që Shqipëria bëri një palë zgjedhje të panjohura nga të gjithë si zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ra. Kosova bëri zgjedhje që i njohën të gjithë dhe u rrit 17 pikë. Se ku lidhet kjo drejtpërdrejt me korrupsionin, kjo është një gjë që unë s’e kuptoj”, u shpreh Rama.

“Indeksi ka marrë një përmirësim të ndjeshëm kur kaloi Reforma në Drejtësi. Atëherë ka marrë një përmirësim të ndjeshëm. Ishte një gjë e rëndësishme patjetër. Por unë s’e pranoj kurrë, kurrë, që me gjithë këtë transformim rrënjësor që është bërë në shërbime dhe me kaq shumë kohë, radha, strese, etj që iu janë kursyer qytetarëve me shërbimet online nuk paska ndryshuar asgjë. Pra një pikë më shumë, një pikë më pak. Pra, njësoj si Shqipëria kur s’kishte asnjë shërbim online dhe kur të gjithë rrinin nëpër radha dhe shtyheshin me njëri-tjetrin. Si Shqipëria që paguante dritat në shi e në rrugë, edhe Shqipëria që i paguan dritat me smartfonë qenkan njësoj. Po unë nuk hyj t’i kontestoj këto”, theksoi Rama.

“Këto raportet ndërkombëtare, përjashto raportin e Komisionit Evropian, që është një raport i punuar çdo ditë 24 orë në 24, nga një grup i tërë njerëzish etj, raportet e Bankës Botërore, të vetë bankës, jo ato që komision BB-ja, të tjerët unë i marr të gjitha me rezervë”, tha Rama.

Kryeministri publikoi disa raporte të EUROSTAT, të cilat tha se i sheh me shumë rezervë.

“Këtu e rëndësishme është çfarë bëjmë ne realisht. Këto pastaj janë pasqyra, komisionohen grupe. Këto gatuhen këtu që të jemi të qartë. Bëhen këtu. Një herë i merr një OJQ, një herë një OJQ tjetër. Metodologjitë janë të diskutueshme. Për shembull një raport që lidhet me vjedhjet. Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të vjedhjeve në të gjithë Evropën. Këto janë raporte të EUROSTAT. Ose Shqipëria është vendi me konsumin më të lartë të frutave për frymë në Evropë. Siç ka edhe që Shqipëria është vendi me shpenzimet më të mëdha në kesh, që nuk është pozitive, apo jo. Tek efektiviteti i qeverisjes, ja ku është Shqipëria as tek të fundit, as të lartat, është në mes. Këto janë raporte të EUROSTAT. I solla këtu për të thënë që këto raporte unë i kam. Nuk i kam nxjerrë të tregoj që shikoni se thotë ky kështu. I marr me rezervë. Ne kemi rrokanisur kokën, vit pas viti me raportin Doing Business dhe një ditë të bukur Doing Business u mbyll vetë nga BB sepse ishte raport i korruptuar. Tani çfarë të them unë. Shtete të caktuara paguanin”, tha Rama.

“Mua s’më interesojnë fare këto. I shikoj me shumë rezervë sepse janë raporte të cilat kanë shumë burime, metodologji kontradiktore etj. Sigurisht merret një perceptim, por nuk më interesojnë. Nuk merrem me këto. Unë shikoj punën e përditshme dhe raportet profesionale, super profesionale për mua, të cilat janë raporte pune të përditshme me Shqipërinë, janë raportet e BE”, tha Rama. 




Comments are closed.