×
Wednesday, October 16, 2024

Rama pret Sorecën: Faleminderit për punën e palodhur në Shqipëri

March 29, 2022


Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim lamtumire ambasadorin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili pas 4 viteve shërbim në vendin tonë, do të marrë një pozicion të ri në Bruksel.

Rama falënderon  ambasadorin Soreca për punën e palodhur në Shqipëri, si dhe për respektin e madh ndaj vendit tonë.

Në një mesazh në tre gjuhë (shqip, italisht dhe anglisht), Rama i uroi ambasadorit Soreca suksese në detyrën e re, ndërsa shtoi se Shqipëria do të jetë gjithmonë shtëpia e tij.

“Faleminderit i dashur Luigi për punën tënde të palodhur në Shqipëri. Faleminderit i dashur ambasador i BE-së për respektin e madh ndaj Shqipërisë. Faleminderit për gjithçka i dashur mik napolitan. Suksese në detyrën e re dhe asnjëherë mos harro që Shqipëria do të jetë gjithmonë shtëpia jote”, tha Rama.

Ambasadori Luigi Soreca do të marrë një pozicion të ri të rëndësishëm në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) pas emërimit të tij nga Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell si i Dërguari i tij i Posaçëm për Migracionin e Jashtëm, me gradën Ambasador.

Në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë dhe situatës akute me zhvendosje masive të njerëzve që largohen nga Ukraina, ambasadori Soreca do t’i bashkohet ekipit të Përfaqësuesit të Lartë Borrell në EEAS në Bruksel, që nga 1 prilli 2022.

Pozicioni i ri vjen si një vlerësim për punën e tij të suksesshme në Shqipëri si Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian që nga shtatori 2018 dhe bazohet në përvojën e tij shumëvjeçare në çështjet e migracionit dhe sigurisë. Gjatë krizës së migracionit në verën e vitit 2016, Ambasadori Soreca shërbeu edhe si i Dërguar i Posaçëm i Komisionit Evropian në Itali për nisjen e procesit të zhvendosjes së refugjatëve




Comments are closed.