×
Wednesday, September 28, 2022

Rama poston foton me çiftin Biden në New York

September 23, 2022

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foton zyrtare të takimit me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

Në “Foton e Ditës”, të publikuar në rrjetet sociale Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama qëndrojnë përkrah presidentit të SHBA-së Joe Biden dhe zonjës së parë, Jill Biden.

Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në punimet e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai do t’i adresohet sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB me një fjalë.

Sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara bën bashkë liderë botërorë, aktivistë të shoqërisë civile, protagonistë të sektorit privat dhe të rinj nga e gjithë bota, në samite të ndryshme, debate dhe dialog, në qytetin e Nju-Jorkut, për një periudhë kohe dyjavore.

Në kuadër të kësaj vizite, Rama zhvilloi një takim me liderët e Ballkanit Perëndimor, të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe zv/president i Komisionit Europian, Joseph Borrel.

Po ashtu ditën e djeshme, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në takimin e nivelit të lartë në Harvard Club me krerë të shteteve dhe qeverive, ku u diskutua ndër të tjera për aktualitetin në Ukrainë, situatën energjetike dhe sulmet kibernetike, mes të cilëve edhe sulmet e shumëfishta ndaj Shqipërisë.

Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh me drejtues të lartë të OKB, liderë, politikanë dhe personalitete të fushave të ndryshme.

Po ashtu, Kryeministri do të marrë pjesë në disa aktivitete në kuadër të punimeve të Asamblesë.



Comments are closed.