×
Monday, June 14, 2021

Rama pas takimit me Macron: Projektet e rëndësishme që po financon Franca në Shqipëri

March 22, 2021

Kryeministri Edi Rama pas një dreke pune me presidentin e Francës, Emmanuel Macron ka diskutuar për projektet në fushën e energjisë, furnizimit me ujë të pijshëm të Durrësit si dhe një tjetër program për gratë dhe vajzat.

Në një intervistë pas takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministri Rama theksoi se, “ishte një ftesë e Presidentit me të cilin kishim disa kohë që nuk ishim takuar. Ai dëshironte të kalonte një drekë pune me mua, për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale, ecurinë e programit të Agjencisë Franceze për Zhvillim, e cila është angazhuar për financimin e tre projekteve të rëndësishme, ku projekti më i rëndësishëm është investimi për finalizimin e gjithë punës që duhet bërë për të përmbyllur investimet tërësore të bëra në ujësjellësin e qytetit të Durrësit dhe për të garantuar më në fund, edhe për Durrësin, 24 orë ujë pa ndërprerje, një angazhim që ja kërkova dhe Presidenti e mori pas tërmetit”.

Po ashtu, tha Rama, një financim tjetër i rëndësishëm për sistemin elektroenergjetik, si dhe një tjetër program për gratë dhe vajzat që është një program shumë interesant që do ta zbatojmë së bashku me Agjencinë Franceze të Zhvillimit.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “njëkohësisht folëm edhe për investimet e Francës në energji në Shqipëri, ku kompania ‘Voltalia’ po investon për Parkun më të madh Fotovoltaik të rajonit, faktikisht, në Karavasta dhe po ashtu edhe në 1 apo 2 projekte të tjera me rëndësi”.

“Kemi folur për planin europian të investimeve për Ballkanin që është tanimë një plan i financuar dhe ku ne jemi aktivisht të angazhuar për të marrë financime për disa projekte të rëndësishme me impakt kombëtar dhe rajonal në transport, në infrastrukturë dhe digjitalizim”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “natyrisht kemi qëndruar gjerë e gjatë në situatën në rajon, në ecurinë e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit për procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, për procesin e implementimit të katër lirive të BE-së në kuadrin e Shengenit Rajonal dhe për tema të tjera, që kanë zënë dhe ato pjesën e tyre të bisedës së gjatë”.

Pyetjes nëse mori sinjale sa i përket procesit të integrimit, Kryeministri Rama u përgjigj se, “është një proces që vazhdon. Unë e kam thënë dhe e përsëris që s’ka asnjë sekret. Është sekreti më i madh publik, nëse mund ta themi, që ne i kemi bërë detyrat tona dhe gjithçka do varet nga situata brenda për brenda Këshillit Europian dhe nga dinamikat brendapërbrenda vendeve të BE-së. Kështu që kjo është një gjë e ditur dhe s’ka nevojë për t’u zgjatur në këtë”.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për