Rama-opozitës për Butrintin: Koha e pengmarrjes suaj ka marrë fund
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se plani për menaxhimin e Butrintit do të vijojë, pasi strukturohet në një mënyrë krejt tjetër forma se si të ardhurat nga trashëgimia kulturore kthehen në investime për trashëgiminë kulturore.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama iu drejtua opozitës duke i thënë se koha e pengmarrjes ka marrë fund.
Kryeministri u shpreh se e imagjinonte që seanca për Butrintin do të zgjaste kaq shumë dhe që Butrinti do të kishte kaq shumë “admirues, mbrojtës të flaktë”, ndër ata që në fakt, theksoi ai, “janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë për të gjitha dëmet që i janë shkaktuar, jo vetëm Butrintit, jo vetëm të gjithë trashëgimisë tonë kulturore, por të gjitha pasurive tona natyrore”.
“Parku i Butrintit është shpallur i tillë me nismën time si ministër i Kulturës dhe Butrinti është vënë nën mbrojtje nga unë në atë kohë. Ndryshimi i kufijve të parkut ka ardhur si rezultat i hapjes së rrugës për një valë ndërtimesh pa leje në zonën e Ksamilit dhe rishikimi i kufijve të parkut është bërë me kërkesë të UNESCO-s, në mënyrë që të hiqeshin nga zemra e parkut ato pjesë të kalbëzuara për shkak të ndërtimtarisë masive pa leje, arkitektët dhe urbanistët e të cilit s’dihet kush janë në Shqipëri”, u shpreh Rama.
Rama tha se akoma është në Parlament një personazh që e quante Bathoren, mrekullinë e tetë të botës dhe për të cilën ka thënë në sy të të gjithëve se është i vetmi qytet në botë që u ndërtua i gjithi pa leje.
“Dhe kjo ishte një vlerë e shtuar në listën e mrekullive të botës, pavarësisht se njerëzit aty vuanin të gjitha pasojat e një lumi të tillë ndërtimesh kuturu, pa kanalizime e rrjet ujësjellësi”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri Rama vlerësoi si shumë të rëndësishëm ligjin për menaxhimin e Butrintit ashtu siç vlerësoi edhe bashkëpunimin me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan.
“Kur dilni e flisni se si Fondi Shqiptaro-Amerikan do të grabisë Butrintin, e vetmja arsye për të dalë këtu është për të dalë e kërkuar falje Fondit dhe atyre që e kanë themeluar, dhënë jetë e angazhuar prej kaq shumë vitesh për të kontribuuar pa asnjë të ardhur për qëllim fitimi, sepse i tillë është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe i tillë është legjislacioni amerikan dhe e tillë është nisma, e cila e ka origjinën e vet qysh në kohën kur bëhej fjalë për liri e demokraci. Dhe të fusësh FSHA me në krye njeriun që i keni dhënë ju shtetësinë shqiptare që quhet Michael Granoff duke e akuzuar si kusar, këtë mund ta bëni vetëm ju se Butrintit, Fondacionit, Fondit, gjithë këtij plani ju thjesht i merrni të keqen. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjënë e duhur sepse e fut trashëgiminë tonë kulturore në një zonë tjetër komplet dhe është me shumë rëndësi që pikërisht fondacioni merr përsipër të hyjë në këtë punë siç është me shumë rëndësi që strukturohet në një mënyrë krejt tjetër forma se si të ardhurat nga trashëgimia kulturore kthehen në investime për trashëgiminë kulturore.
Rama i solli në vëmendje opozitës se kishte sulmuar edhe planin për ndërtimin e stadiumit duke e çuar kombëtaren të luante ndeshjet e shtëpisë në Maqedoni se s’kishte stadium Shqipëria për të luajtur kompeticionet ndërkombëtare.
“Ju flisni akoma për vizion zhvillim e korrupsion, ju që e keni damkën në lule të ballit nga SHBA për korrupsion domethënës e minim të demokracisë e damkën e keni bërë bërë flamur. Flisni ju për këto gjëra me të cilat keni lidhje sepse i mishëroni fund e krye”, deklaroi Rama.
Rama pavarësisht se e sulmuan stadiumin e ri e ftoi opozitën të merrte pjesë pasnesër në finalen e Conference League.
“Siç pasnesër, që në fakt në atë stadium nuk duhet të shkelni po të keni një fije karakter po ju nuk keni, kështu që jeni të mirëseardhur të vini atje që të shikoni një finale europiane në stadiumin që e kthyet në dele të zezë dhe e futët në listën e zezë të UEFA-s dhe Kombëtaren Shqiptare e degdisët në emigracion”, tha ai.
Kryeministri u shpreh se edhe Teatri i ri do të ndërtohet.
“Ashtu do jeni të mirë mirëseardhur edhe kur të luhet Makbethi në Teatrin e Ri Kombëtar.
Të mirëseardhur do jeni prapë se siç u bë stadiumi do bëhet dhe Teatri i Ri Kombëtar dhe të gjitha llojet e aleancave që krijoni ju, Aleanca për Teatrin, Aleanca për Butrintin, Aleanca për Stadiumin mbajini me shëndet se nuk i duhen dreqit. Rrotullohuni sa të doni. Sa më shumë rrotulloheni, aq më thellë zhyteni dhe t’ju rrojë flamuri me damkën në lule të ballit që e keni tani, se gjë tjetër nga ky vend nuk keni se çfarë i merrni dhe këtij vendi nuk keni çfarë i jepni. Kështu që, ne do ta votojmë siç është ligjin për Butrintin dhe do vazhdojmë t’i bëjmë gjërat siç i kemi bërë dhe ju nuk merrni dot peng askënd dhe nuk mbani dot peng asgjë”, u shpreh ai.
Rama iu drejtua opozitës duke i thënë se koha e pengmarrjes ka marrë fund. “Ju tani jeni aty ku e keni merituar, pengu më i madh i vetvetes. Këtë deshët, këtë keni arritur dhe tani rrini peng i vetvetes dhe të rroni vetë të gjithë bashkë”, u shpreh kryeministri.