Rama: Nuk na duhet turizëm masiv, por cilësor
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “ne nuk na duhet një Shqipëri, destinacion i turizmit masiv”.
Duke folur në një aktivitet të zgjeruar mbi mbarëvajtjen e sezonit turistik, Rama tha se “duhet të garantojmë që kërkesa të vijë në rritje dhe të mos goditet nga mungesa e ofertës apo cilësia e ulët e ofertës”.
“Duhet të jemi shumë të vëmendshëm e të kujdesshëm për të mos e lënë këtë prurje në rrjedhje të lirë. Ne nuk na duhet një Shqipëri destinacion i turizmit masiv. Ne nuk na duhet thjesht të rrisim numrin e vizitorëve të huaj, ne na duhet një vend që i ekuilibron të gjitha shtresat dhe kategoritë e turistëve dhe që arrin të formulojë një ofertë ku nuk janë numrat në pamje të parë ata që kanë rëndësi, por është cilësia e numrave”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “në varësi nga kapaciteti i konsumit të një turisti përcaktohet pastaj edhe se sa interes ke dhe me çfarë pasojash e ushqen këtë interes”.
“Të kesh 1 milion turistë më shumë që konsumojnë pak çdo ditë, apo interes që të kesh 100 mijë turistë më shumë që konsumojmë shumë çdo ditë? Dallimi mes të dyjave është që ata 100 mijë që konsumojnë shumë mund të sjellin të ardhura më shumë sesa ata 1 milion që konsumojnë pak. Por, nga ana tjetër, nuk e vendosin organizmin e vendit nën presionin e jashtëzakonshëm që lidhet me pastrimin, trajtimin e mbetjeve, presionin mbi infrastrukturën, trafikun, sigurinë etj.”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, arrihet duke nxitur investimet që sjellin zgjerimin e kapaciteteve për turistët që shpenzojnë më shumë dhe duke ruajtur natyrën dhe të gjithë atë pjesë të bukurive të vendit që janë tërheqëse pikërisht se janë të paprekura nga shtrirja e infrastrukturës për turizëm masiv.
“E gjitha kjo duhet të vijë e kombinuar me një rritje shumë të ndjeshme të cilësisë së përgjithshme të turizmit në Shqipëri”, tha Rama.