Rama: Nuk ka asnjë forcë politike në Evropë që të ketë ndarë vetveten nga drejtësia, siç ka bërë PS



Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka asnjë forcë politike në Evropë që të ketë ndarë në mënyrë vetëmohuese, vetveten nga drejtësia siç ka bërë PS në këto 5 vite.
Në aktivitetin për 105-vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë, Rama tha se, “ne kemi lënë një boshllëk në panoramën e zhvillimeve pozitive, por jo vetëm pozitive dhe jo gjithmonë pozitive të drejtësisë së re, ku kemi ata që veprojnë të mbështetur, dhe për këtë sfidoj këdo”.
“Këta që na ngrenë dhe na ulin rrugëve, se unë i shoh, për mua janë rrugëve, për mua ajo që ndodh në udhëkryqet e kanaleve të mbrëmjes është rrugaçëri, është ngritja e llumit të gojës në piedestal, është triumfi i shpifjeve dhe i akuzave dhe i shkatërrimit të çdo lloj personi, për të vetmin faj që bën që është një person publik”, tha Rama.
“Dhe në ato udhëkryqe unë i sfidoj të bëjnë, gjë që ata nuk e bëjnë asnjëherë, një kërkim dhe ta gjejnë një tjetër forcë politike në Evropën ish-Lindore. Në rajon nuk kanë për ta gjetur dot. Ta gjejnë në vendet që sot janë në BE një tjetër forcë politike në pushtet që në 5 vjet rresht ka qepur gojën dhe vetëm ka thënë, “ecni përpara, ecni përpara, ecni përpara, keni mbështetjen tonë, godisni majtas, godisni djathtas”. Një tjetër forcë politike që ka ndarë në mënyrë vetëmohuese, sepse ka marrë kosto shumë të mëdha mbi vetveten nga drejtësia, në kuptimin që “duart larg”. Nuk ka, nuk ka!”, tha Rama.

