×
Wednesday, December 17, 2025

Rama: Nëse BE do të ketë plan për përballimin e pasojave të luftës të përfshijë Ballkanin

March 15, 2022


Kryeministri Edi Rama shprehu sot domosdoshmërinë e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, në rast se Bashkimi Europian do të ketë një plan për të mbështetur vendet për përballimin e krizës energjetike dhe pasojave të luftës në Ukrainë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë, me përfaqësuesin e lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe njëkohësisht zv.presidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell, Rama theksoi po ashtu se duhet të nxitohet mundësisht edhe projekti i Korridorit 8, si pjesë e planit ekonomik të investimeve, por që tanimë bëhet strategjik në aspektin e një korridori sigurie”.

“Folëm për domosdoshmërinë se nëse BE do të ketë një plan për të mbështetur vendet për përballimin e krizës energjetike, që është edhe pjesa më e rëndë e krizës, edhe për përballimin e pasojave të tjera të luftës, të mos e lërë Ballkanin Perëndimor jashtë, siç e lanë kur bënë skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se në takim u diskutua mbi shqetësimin e madh që është krijuar nga lufta në Ukrainë dhe të gjitha pasojat e saj që janë shfaqur në Europë dhe jo vetëm në Europë, fillimisht në formën e rritjes së çmimeve.

“Kemi diskutuar patjetër edhe për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe qëndrimin e Shqipërisë mbi agresionin rus në Ukrainë”, tha Rama.

Kryeministri informoi se pjesë e diskutimit ka qenë edhe ecuria e mëtejshme e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, konkretisht për hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim.

“Shqipëria ka zgjedhur këtë pozicion si pozicionin e vetë natyral dhe jo se na e ka kërkuar njeri në Bruksel, Berlin, Paris, apo qoftë edhe në Uashington. Ne jemi anëtarë krenarë të një aleance të madhe, siç është NATO, dhe jemi po ashtu europianë krenarë për qenien tonë europiane dhe shqiptarë që shohim nga Europa derën e të ardhmes sonë”, shtoi Rama.




Comments are closed.