Rama në SHBA flet për rrezikun e muxhahedinëve dhe paketën “anti-KÇK”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar një bashkëbisedim të gjatë në Këshillin e Atlantikut për metodologjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Europian, Shengenin Rajonal, paketën anti-KÇK, kryesimin e OSBE-së dhe procesin e rindërtimit.
Shefi i qeverisë shqiptare u ndal tek konfliktet SHBA-Iran, dhe rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga strehimi i mbi 2000 muxhahedinëve në Shqipëri, të cilët shpeshherë janë etiketuar dhe parë si problem kryesor për vendin tonë. Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij theksoi se Shqipëria është me fat që nuk është vetëm në këtë proces, por shtoi faktin se ka strehuar muxhahedinët pasi ka pasur mbështetjen e palëkundër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në këtë moment jo vetëm kemi shumë për të shkëmbyer në marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe sa u takon sfidave të përbashkëta njëra prej të cilave është Irani. Ju e dini shumë mirë se kemi një problem me këtë vend, me regjimin e tij, dhe sigurisht në të njëjtën kohë jemi mjaft të vetëdijshëm për faktin, që ndërkohë që kemi ndërmarrë një risk duke hyrë në një operacion të përbashkët me SHBA për të shpëtuar njerëz, jeta e të cilëve kërcënohej.
Në të njëjtën kohë ndihemi mjaft mirë që nuk jemi të vetëm në këtë. Nuk është vetëm kjo, por është edhe rajoni. Ne e dimë mjaft mirë që Ballkani Perëndimor sot është një vend më i mirë pikë së pari dhe mbi të gjitha falë SHBA dhe aleatëve të saj. Transformimi i hapësirës sonë nga një hapësirë armiqësie, dhe kapitujve tejet të gjatë e të gjatë konflikti dhe gjakderdhjeje në një hapësirë bashkëpunimi.
Sigurisht nuk jemi ende atje ku duhet dhe mund të jemi, sepse ka ende çështje dhe probleme për t’u zgjidhur dhe ne, mbështetemi shumë tek ndihma e miqve amerikanë. Si vend, si komb shqiptar, personat që jetojnë në Shqipëri dhe të gjithë ata që jetojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor jemi në një pozitë më të mirë. Po të kthehemi pas në 30 vjet dhe po të përpiqemi të përfitojmë si do ishte rrjedha e historisë pas SHBA është e pamundur të imagjinohet se do të ishim këtu ku jemi sot”-tha z. Rama.
Kryeministri Edi Rama u pyet edhe për paketën anti-KÇK, e cila ka nisur punën në terren dhe si fokus ka hetimin e personave të skeduar si problematikë. Sipas Ramës, me ngritjen e strukturave të reja të drejtësisë dhe pastrimin e sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, tashmë ky aksion i OFL-së pritet të korr suksese të reja në garantimin dhe zbatimin e ligjit. Ai shpjegoi edhe arsyen se pse kjo strukturë nuk është bërë aktive më parë.
“Si mund të imagjinonim të sekuestronim dhe më pas konfiskonim pasuritë e mbledhura nga aktivitetet e paligjshme me gjykatat që kishin gjatë gjithë këtyre viteve. Gjykatat që kemi pasur gjatë gjithë këtyre viteve, që ende kemi në pjesë më të madhe, janë tërësisht të infektuara nga krimi i organizuar.
Kemi gjyqtarë dhe prokurore , të cilët jo thjesht bashkëpunojnë me krimin e organizuar, por janë pjesë e krimit të organizuar dhe kësisoj na u desh të prisnim me durim momentin që të punonim me durim në një terren ku policia nuk do të poshtërohej, kur t’i referonte çështje prokurorisë. Tashmë kemi Zyrën e Prokurorisë së Posaçme, që është ngritur për këtë qëllim dhe kemi Gjykatën e Posaçme të Krimeve të Rënda. Këto çështje do të gjykohen në gjykatë nga persona që kanë kaluar vetingun dhe kjo përbën një ndryshim të madh.
Ne jemi në vijim të procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe po themi që të gjithë atë që nuk justifikojnë pasuritë e tyre, janë jashtë sistemit dhe kështu mund t’u nënshtrohen padive dhe hetimeve në të ardhmen.
Ajo që po bëjmë tani është e vështirë, është e guximshme, por e thjesht. Të gjithë atë që janë dënuar për trafikim të narkotikëve, qenieve njerëzore, mafien, financimin e terrorizimit, vrasje apo në një sërë krimesh të rënda, duhet të vërtetojnë që shtëpia, biznesi, automjeti, toka, vijnë nga puna dhe jo nga aktivitetet e paligjshme. Është e thjeshtë. Policia ka apo duhet thjesht të raportojë bazuar në një listë të mbyllur, sepse ka një regjistër të personave të dënuar, e dimë se kush janë ata, dhe nuk mund të jetë seklektive dhe nuk është diçka që e zgjedh sipas dëshirës. Është një situatë që të gjithë duhen të përgjigjen”-tha Rama.
Kryeministri z. Edi Rama foli për metodologjinë e re të Bashkimit Europian për integrimin, ndërsa shtoi se disa argumente të saj janë të mira.
“Është bërë progres edhe në bazë të metodologjisë së re disa argumente janë të mira. Edhe pse mund ta kishim pasur më të lehtë pa këto argumente, por tani është bërë më e drejtë dhe e parashikueshme për të gjithë”-theksoi Rama.
Eunews.al