×
Tuesday, June 9, 2026

Rama: Në Pashaliman do të prodhohen anije luftarake, deri në 800 vende të reja pune për të rinjtë

June 9, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zhvillimi i arsimit profesional po krijon mundësi konkrete punësimi për të rinjtë, duke sjellë si shembull projektin e ri të industrisë së prodhimit të anijeve në Pashaliman, ku parashikohet hapja e qindra vendeve të reja të punës.

Gjatë Konferencës së 3-të Kombëtare të Arsimit Profesional, Rama bëri të ditur se në kuadër të bashkëpunimit me kompaninë italiane “Fincantieri”, një nga liderët botërorë në prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve, Shqipëria do të kthehet në një qendër të re të industrisë detare.

Sipas kryeministrit, projekti do të nisë me 400 vende pune, ndërsa në perspektivë numri i të punësuarve pritet të arrijë në 800.

“Ne e kemi kantierin, por nuk kemi aty gjë tjetër përveçse kantierin e të shkuarës. ‘Fincantieri’ është një nga ekselencat më të mëdha të botës në fushën e prodhimit dhe mirëmbajtjes së anijeve. Për shkak të nevojës së tyre për të rritur prodhimin në segmentin e anijeve ushtarake, disa tipologji të anijeve më të vogla do të prodhohen në Shqipëri”, u shpreh Rama.

Ai sqaroi se bashkëpunimi parashikon fillimisht ndërtimin e dy anijeve luftarake për Forcat e Armatosura shqiptare, në përputhje me kapacitetet dhe detyrimet e përcaktuara nga NATO, ndërsa më pas prodhimi do të zgjerohet edhe për tregun ndërkombëtar.

“Do të prodhojmë anije luftarake fillimisht për ushtrinë tonë, dy anije që janë të nevojshme sipas kapaciteteve të përcaktuara nga NATO, dhe më pas do të prodhojmë e shesim anije bashkërisht përmes një kompanie të përbashkët”, tha kryeministri.

Rama theksoi se një rol kyç në realizimin e projektit do të ketë Shkolla Tregtare Industriale e Vlorës, ku do të nisë identifikimi dhe përgatitja e të rinjve që do të punësohen në kantierin e ri.

“Gjëja e parë që do të bëhet është prezantimi i projektit në Shkollën Tregtare Industriale të Vlorës, për t’u njohur të rinjtë me profesionet dhe mundësitë që ofron kjo industri. Ata do të kenë mundësinë të firmosin marrëveshje me ‘Fincantieri’-n dhe të trajnohen, përfshirë edhe në Itali, në mënyrë që të jenë gati kur projekti të nisë zbatimin”, deklaroi ai.

Kryeministri nënvizoi se vendet e reja të punës nuk do të jenë të orientuara drejt profesioneve tradicionale universitare, por drejt zanateve dhe aftësive teknike që kërkon industria moderne.

“Nuk janë vende pune për juristë apo ekonomistë. Janë vende pune për të gjithë zinxhirin e profesioneve që kërkon kjo industri, nga puna e specializuar me dorë deri te drejtimi dhe manipulimi i robotëve. Ky është kuptimi i vërtetë i arsimit profesional”, tha Rama.

Sipas tij, investime të tilla dëshmojnë se arsimi profesional po shndërrohet në një nga instrumentet më të rëndësishme për përgatitjen e të rinjve për tregun e punës dhe për zhvillimin e industrive të reja në vend.




Comments are closed.