×
Friday, December 1, 2023

Rama në Forumin e Prespës: Ne mund të punojmë së bashku në rajon

July 2, 2021


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë punimeve të “Forumit të Prespës për Dialog”, se “ne mund të punojmë së bashku në rajon, mund të ecim përpara së bashku për t’i përmirësuar gjërat, për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar hapësira më të mëdha për sipërmarrësit tanë dhe të rinjtë, sepse të vetëm dhe duke qëndruar të themi me shpinën kthyer rajonit, ne jemi shumë të vegjël për këtë”.

Rama mori pjesë sot në sesion plenar të nivelit të lartë të “Forumit të Prespës për Dialog” që po zhvillon punimet në Ohër, të Maqedonisë së Veriut.

“Pikësëpari, unë nuk e kritikova Bashkimin Europian, pasi të kritikosh është shprehje aktive, kur ndjenjat tuaja reagojnë. Kështu, që unë nuk e kam kritikuar BE-në, por thjesht kam thënë dhe e them sërish se ajo që po ndodh është thuajse e njëjta gjë dhe as që dua madje të vazhdoj të them të njëjtën gjë. Pra ekziston një – siç ju e përmendët dhe po e sjell sërish këtu – ekziston një moment në veprën e Samuel Beketit, ku dy nga personazhet thonë: “Do të lëvizim”? Dhe personazhi tjetër i përgjigjet: “Le të ikim”. Dhe Beketi shprehet se ata “nuk lëvizin”. Kështu që është pikërisht ajo që po ndodh, por për të qenë tepër i sinqertë me ju dhe me këdo tjetër, unë nuk e ndjej më aspak këtë. Dhe e kam shumë seriozisht këtë. Nuk është thjesht për të thënë diçka, por nuk e ndjej më. Nuk do të pres më aspak për të dhe nuk ndjehem më ashtu siç e kisha zakon të ndjehesha më parë kur ndodhi”, tha Rama.

“Kjo sepse ju mund të organizoni dhe bëni të gjitha përgatitjet për një dasmë të bukur një herë duke bërë gjithçka siç duhet. Por, në fund, nusja nuk duket askund. Mund ta bësh sërish këtë për herë të dytë duke angazhuar sërish një skenografi të mrekullueshme, muzikën dhe zbukurimet më të bukura, me të ftuar, ushqim dhe gjithçka tjetër, por nusja nuk vjen sërish. Dhe pastaj ju thjesht mund të thoni atë shprehjen “dreqi e marrtë” dhe nuk bën më asnjë përgatitje për dasmën dhe nëse ndodh që nusja vjen, atëherë le të jetë diçka e zakonshme”, vijoi ai.

Rama tha se “kjo është ajo që u përpoqa t’i tregoja Zoranit, kur erdha këtu para se muzika e zakonshme të luhej në Europë, që ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara, sepse ne nuk e kemi zgjedhur këtë rrugë të imponuar nga ndokush apo nga asgjë tjetër, veç vullnetit tonë të palëkundur”.

“Është e vetmja rrugë për ne dhe nuk ka të bëjë me paketimin e Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut dhe vendosjes së tyre në një anije për t’i dërguar në Europë. Kjo ka të bëjë me ndërtimin këtu, në vendet tona, të shteteve që funksionojnë si çdo vend tjetër i Bashkimit Europian. Pastaj, nëse ne do të jemi apo jo pjesë e saj, kjo nuk është punë për ne, pasi nuk është në dorën tonë. Ne nuk mund të vendosim asgjë për këtë. Së dyti, ne mund të bëjmë shumë gjëra ndërkohë që ky vëllimi torturues i Samuel Beketit vazhdon”, shtoi ai.

Kryeministri tha se “ne mund të punojmë së bashku në rajon”. “Ne mund të ecim përpara së bashku për t’i përmirësuar gjërat, për të rritur ekonomitë tona, për të krijuar hapësira më të mëdha për sipërmarrësit tanë dhe të rinjtë, sepse të vetëm dhe duke qëndruar të themi me shpinën kthyer rajonit, ne jemi shumë të vegjël për këtë”, tha ai.

Por, vijoi Kryeministri, “së bashku jemi mjaftueshëm të mëdhenj. Dhe, falë Zotit ne, përmes veprimeve tona, mundemi të lehtësojmë jetët e gjithë popujve tanë. E përse u dashka të presim që të bëhemi vende anëtare që të bëjmë që tregtia në rajon të qarkullojë pa barriera dhe pa qenë nevoja të presin për mijëra vite brenda një viti, sikurse ka theksuar Banka Botërore në statistikat e saj. Përse u dashka të presim për BE-në, apo të bëhemi pjesë e BE-së, në mënyrë që të realizojmë lëvizjen e lirë të njerëzve thjesht me karta identiteti, të kemi qarkullim të lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, të kemi sportele me vetëm një ndalesë në kufi për këdo dhe transformuar kufijtë praktikisht tërësisht për njerëzit?”

“Ne mundemi ta bëjmë. Ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara në këtë drejtim, ndërsa, për sa i takon drejtimit tjetër – natyrisht që duhet të vazhdojmë përpara edhe në atë drejtim duke realizuar reforma, duke bërë përmirësime dhe duke përmbushur standardet çdo vit, por nuk varet nga ne. Kjo varet nga ne. Është e gjitha në dorën tonë dhe duhet ta bëjmë”, tha ai.

Rama tha se “është absolutisht absurde që njerëz nga këto vende përballen me vështirësi në kalimin e kufinjve”.

“Është absolutisht dritëshkurtësi të mendohet që investimet e mëdha do të vijnë në vendet tona, nëse jemi vetëm. Kjo s’do të ndodhë. Është absolutisht absurde të përfytyrosh një të ardhme ku agjenda jonë e gjelbër, politikat tona energjetike dhe strategjitë nuk janë plotësisht të ndërlidhura”, tha Rama.

Kjo është arsyeja, vijoi ai, “përse për mua kjo rrugë është tepër sfiduese, por edhe tërheqëse”.

“Shqipëria do të shkojë përpara përgjatë gjithë kësaj rruge për ta bërë më të thjeshtë për këdo në Shqipëri që të mund të shkojë kudo në rajon pa asnjë kufizim dhe për ta hapur vendin që kushdo të vijë në Shqipëri pa asnjë kufizim. Kaq e thjeshtë është. Njerëz nga Maqedonia e Veriut mund të duan të vijnë në plazhet tona. Ju keni liqen, por nuk keni plazhe. Çfarë do të thotë kjo? Mos ndoshta do t’ju duhet të prisni? Të prisni për orë të tëra, vetëm për të ardhur në plazhet tona? Kush do të ishte fituesi në gjithë këtë? Askush. Nëse pret për orë të tëra, atëherë do të harxhosh para në kufi; në anën tuaj të kufirit. Ne duam që t’i shpenzoni në anën tonë të kufirit. Pra që të vini më shpejt në territorin tonë. Kjo vlen për të gjitha aspektet e jetës”, tha ai.

“Natyrisht, – tha Rama, – që kemi probleme në rajon. Natyrisht që kemi ende konflikte të pazgjidhura. Por, ajo që po i mban konfliktet, saktësisht konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, ende të pazgjidhur nuk duhet të mbajë të tjerët të pazhvilluar, sepse ne duhet të biem dakord që të mos jemi dakord për këtë. E ndërsa përpiqemi t’i zgjidhim, ka shumë gjëra të tjera që mund t’i bëjmë së bashku. Dhe duke i bërë shumë gjëra së bashku, ne e bëjmë madje edhe këtë konflikt më pak të vështirë për t’u zgjidhur. Ne jetojmë në këtë rajon, s’e di prej sa kohësh, prej shekujsh, madje kemi mosmarrëveshje se cili prej nesh është më i lashtë në këtë rajon dhe vëllezërit tanë më të mëdhenj pretendojnë se paskan ardhur këtu para gjithë ne të tjerëve dhe ne jemi të gjithë thjesht pasardhës të tyre, por edhe ne pretendojmë të njëjtën gjë. Maqedonasit pretendojnë të njëjtën gjë. Madje edhe bullgarët pretendojnë se të gjithë ne jemi të lidhur me ekzistencën e tyre. Por, ne jemi këtu”.

“Jemi këtu të gjithë së bashku dhe, pas shekujsh e shekujsh me radhë, më në fund po flasim me njëri-tjetrin, po e shikojmë njëri-tjetrin, ne jemi dëshmitarë okularë të një lloji ndeshjeje të madhe boksi, me fjalë, mes Albinit dhe Anës. Por, sërish janë të dy bashkë këtu. Kjo është mahnitëse. Kjo është vërtet e mrekullueshme dhe gjithçka që askush s’ka mundur ta imagjinojë vetëm tre vjet më parë. Tani na duhet t’i bëjmë gjërat. Është shumë e thjeshtë. Do të doja të përfundoja me një argument. Ne hymë në Procesin e Berlinit të gjithë së bashku, sepse u thirrëm nga “Papa” i BE-së, Merkel dhe, natyrisht, si besimtarë të mëdhenj të fesë së BE-së, të gjithë vrapuam për të qenë në audiencën me “Papën”. Dhe për herë të parë në jetën tonë, por edhe në jetën e vendeve tona, e gjetëm njëri-tjetrin së bashku në të njëjtën tryezë”, tha ai.

“Jo për t’u grindur rreth së kaluarës, por për të parë se si mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët. Ishte një kthesë e madhe dhe kjo solli gjëra të reja. Dhe kur kjo nisi ndërkohë të ngecte përballë burokracisë së Brukselit, ne vendosëm të shkonim përpara dhe për ta zotëruar procesin. Kjo sepse, pavarësisht gjithë respektit për “Selinë e Shenjtë” në Berlin, ne duhet të bëjmë shumë më tepër dhe nuk është detyrë e tyre të zgjidhin problemet tona, të bëjnë marrëveshjet tona, të diskutojnë në emrin tonë. Kjo është përgjegjësia jonë”, tha ai.

Rama tha se “ata kanë bërë diçka vërtet të madhe duke na bërë ne bashkë, por tani duhet të vazhdojmë vetë. Dhe nuk diskutohet që nuk ka asnjë mbivendosje mes të qenit anëtarë të Bashkimit Europian dhe krijimit të tregut të vetëm të përbashkët, krijimit të zonës Schengen për ne. E kemi emërtuar të tillë thjesht për të krijuar idenë se për çfarë është kjo iniciativë. Ka të bëjë me një hapësirë ku zbatohen plotësisht të katërta liritë e Europës; lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Dhe kjo nuk është alternativë ndaj integrimit europian”.

Kjo, vijoi Kryeministri, “synon t’u sigurojë më tepër popujve tanë përmes shfrytëzimit të gjithë së bashku të potencialeve tona”.

“Nuk ka asnjë diskutim për këtë. Por, mos e dhëntë Zoti, që këtë ta bëjmë ashtu siç e bënë europianët. Konsensusi i të gjashtë vendeve dhe nëse njëri prej tyre nuk është dakord, atëherë asnjëri nuk lëviz përpara. Bullgaria nuk do dhe për pasojë e gjithë Europa nuk lëviz përpara. Do të kemi mjaft kohë për të rënë në këtë kurth, por ne nuk duhet t’i ngremë kurthe vetes duke ndërtuar një mekanizëm konsensusi të domosdoshëm mes të gjashtëve. Jo, nuk ka nevojë për konsensus. Kjo është e lirë dhe duhet të mbetet e lirë. Çdo vend duhet të vendosë vetë. Kushdo dëshiron të bëjë marrëveshje drejt tregut të përbashkët, jo me të gjithë, por me disa, nuk ka asnjë problem”, shtoi ai

Eunews.al



Comments are closed.