×
Monday, December 15, 2025

Rama në “Expo Dubai 2020”: Shqipëria, destinacion që mbetet ende për t’u zbuluar

March 9, 2022


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë fjalës së mbajtur në “Expo Dubai 2020”, se “Shqipëria është midis atyre vendeve që mbeten për t’u zbuluar”.

Kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës së Shqipërisë në “Expo Dubai 2020”, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku marrin pjesë 192 vende të botës dhe ku Pavijoni i Shqipërisë ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve për mrekullitë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe energjinë zhvillimore të vendit tonë.

“Gjendemi këtu sot me një ndjenjë krenarie dhe mirënjohjeje të madhe për të festuar pjesëmarrjen e Shqipërisë mes një numri rekord prej 192 vendesh, të cilat janë mbledhur në këtë ekspozitë të mrekullueshme të Dubait”, tha Rama ndërsa theksoi se “dy vendet kanë një historik solidariteti, humanizmi dhe miqësie”.

Kryeministri përmendi kontributin e Emirateve të Bashkuara Arabe në vitin 1999 në Shqipëri, gjatë kohës së eksodit të luftës në Kosovë.

“Ata erdhën në verilindje të Shqipërisë për të ndihmuar së bashku me njerëz të tjerë të mirë nga mbarë bota, qindra e mijëra familje të cilat ishin shpërngulur me forcë nga toka e tyre, për shkak të një të ashtuquajturi ‘operacion special’ të çmendur kundër shqiptarëve në Kosovë. Që prej atëherë, ky vend zuri një vend të veçantë në zemrat tona, në kujtesën dhe historinë tonë”, tha Rama.

Por, Kryeministri u shpreh se, “ky nuk ishte i vetmi rast ku do të shihnim humanizmin dhe ndjenjën e përgjegjësisë, pavarësisht etnisë, besimit dhe gjuhës së tyre”.

Rama kujtoi atë që ky vend do të tregonte pas më shumë se 20 vjet pas asaj tragjedie, kur një tërmet shkatërrimtar goditi vendin tonë.

“Ishin Emiratet e Bashkuara Arabe që ishin nga të parët që ndihmuan dhe falë tyre sot kemi një lagje të krejt të re që po ndërtohet në periferi të Durrësit, ku tërmeti pati goditjen më të fortë. Nga njëra anë kemi një punë të vazhdueshme ku ndërtohet për ata që janë privuar prej shtëpive të tyre dhe nga ana tjetër, në të njëjtin qytet pranë detit kemi një prej porteve më të bukur turistikë në botë, e ndoshta më të madhin në Mesdhe, që po merr formë si projekt dhe po bëhet gati të marrë formë në sytë e qytetarëve shqiptarë e atyre që do të duan të vijnë në Shqipëri”, tha Rama.

Duke folur për ekspozitën, Rama u shpreh se “midis kaq shumë vendesh, ne jemi vend i vogël, me një prani modeste këtu, por besojmë fort se jemi midis atyre vendeve që mbeten për t’u zbuluar dhe atyre destinacioneve që mbeten ende për t’u shijuar për njerëz nga Europa, Lindja e Mesme e mbarë bota”.

“Ne jemi një vend i vogël mjaft i bukur, ku shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Për këdo që do të vizitojë pavijonin tonë modest të gjithë ata që po dëgjojnë fjalët e mia ju them: ejani në Shqipëri, vizitojeni Shqipërinë dhe mund t’ju garantoj se kurrë nuk do të pendoheni, përkundrazi do të doni të ktheheni sërish”, tha Rama.




Comments are closed.