×
Sunday, June 4, 2023

Rama në BBC: T’i vësh krimit vulë etnike është në vetvete krim

March 23, 2023



Kryeministri Edi Rama, në një intervistë në studion e programit “Today” të BBC Radio 4 në Londër, u shpreh se “Shqipëria do të refuzojë gjithnjë përzierjen e disa kriminelëve me shqiptarët si të tillë, pasi t’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim”.

I pyetur nëse po e ul marrëveshja dypalëshe numrin e shqiptarëve që mbërrijnë në Britaninë e Madhe përmes Kanalit të “La Manshit”, Rama tha se “kjo është një çështje komplekse”.

“Sa më takon mua, jam këtu të sigurohem që të gjithë ta dëgjojnë qartë dhe fort, se shqiptarët nuk lidhen vetëm me varkat. Ashtu si Britania nuk është vetëm Xhejms Bond apo Mr. Bean, edhe ne nuk jemi vetëm “Taken”. Ne jemi këtu si një komunitet i rëndësishëm, drejtojmë automjetet, ndërtojmë, gatuajmë dhe madje edhe këndojmë për ju, kështu që nuk kemi të bëjmë vetëm me barkat, kemi të bëjmë me një çështje komplekse, që lidhet sigurisht me ambicien dhe nevojat e njerëzve në anën tonë të botës që të shkojnë në vende ku e imagjinojnë të ardhmen më shumë në duart e tyre dhe më shpejt”, shtoi ai.

Rama nuk pranoi të komentonte ligjin e ri që po diskutohet në parlamentin britanik, që do t’i skualifikojë ata që mbërrijnë me varka të vogla të përdorin ligjet e skllavërisë moderne për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.

“Nuk jam këtu për të komentuar një ligj, që ka ndezur tashmë opinionin tuaj publik, debatet tuaja, por jam këtu thjesht që të përpiqem dhe të përcjell mesazhin se Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i bukur. Kemi një turizëm në rritje dhe ka gjithnjë e më shumë britanikë që e vizitojnë e po ashtu, edhe europianë. Tashmë kemi çelur bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian, kështu që jemi në një pozitë krejt tjetër nga ajo që ndonjëherë përshkruhet”, tha ai.

Për fat të keq, vijoi kryeministri, “kemi parë se neve dhe komunitetit tonë na është drejtuar gishti në këtë vend për qëllime të politikës dhe ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike”.

“Por nga ana tjetër, jam shumë i kënaqur që, bashkë me kryeministrin tuaj, kemi përcaktuar një rrugë të qartë për të trajtuar së bashku çfarëdolloj gjëje që duhet përjashtuar nga marrëdhënia jonë dhe nga bota jonë e ligjit dhe drejtësisë, duke u siguruar, në të njëjtën kohë, që disa mollë të kalbura të mos identifikojnë as komunitetin shqiptar këtu dhe as marrëdhëniet tona. Britania e Madhe ka qenë përherë një model për ne dhe më duhet të them se pa Toni Blair-in, pa rrugën e re laburiste, nuk do të ishim kaq të suksesshëm sa kemi qenë, duke zbatuar pikërisht frymën e re laburiste në partinë tonë dhe shumicën tonë qeverisëse. Po nuk është vetëm kjo, është kultura, janë shumë gjëra të tjera dhe shumë mësime të tjera, ndaj duam të nxjerrim më të mirën nga kjo marrëdhënie”, shtoi Rama.

Rama theksoi se “do të refuzojmë gjithnjë këtë përzierjen e disa kriminelëve me shqiptarët si të tillë, pasi t’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim”.

“E kam fjalën pikërisht për atë që është thënë nga anëtarë të kabinetit, duke nisur që nga Sekretarja e Brendshme dhe e kam fjalën pikërisht për atë çka është zhvilluar si veçim i një komuniteti të tërë, që është diçka që nuk bëhet në qytetërimin tonë dhe është diçka që nuk e përfaqëson aspak Britaninë, ndaj kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet tona, por, siç e thashë, ka vullnet për ta tejkaluar këtë. Është e vërtetë që me forcimin e bashkëpunimit tonë ka disa rezultate të qarta që, me të drejtë, kryeministri dhe qeveria këtu po i theksojnë, por, nga ana tjetër, ne refuzojmë dhe do të refuzojmë gjithnjë këtë përzierjen e disa kriminelëve me shqiptarët si të tillë, pasi t’i vësh krimit një vulë etnike është në vetvete një krim”, nënvizoi ai.



Comments are closed.