×
Saturday, February 4, 2023

Rama: Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë produktive, ndërtojmë portin e përbashkët e hekurudhën

November 27, 2022


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve Shqipëri-Kosovë, se “marrëdhëniet mes nesh nuk janë më të shkëlqyera vetëm sepse jemi dy vende të ndara me dy shtete por të bashkuara me një zemër, por janë edhe produktive më shumë se sa kanë qenë kurrë ndonjëherë tjetër”.

“Këtë e tregojnë faktet e provuara nga jo thjesht mbledhjet e përbashkëta të përvitshme mes dy qeverive por nga vullneti dhe rritja e aftësisë. Mjafton të shikosh të dhënat e shkëmbimeve tregtare apo lirinë e lëvizjes së deri djeshme, që dukej mision i pamundur. Apo abetaren e përbashkët, një tjetër ngjarje shumë e rëndësishme dhe shumë e vonuar por e realizuar. Apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik shqiptar dhe historinë e shqiptarëve, një punë e marrë përsipër nga Akademitë tona të Shkencave”, tha Rama.

Ai theksoi se mjafton të shohësh bashkëpunimin e përditshëm në fushën e energjisë, apo punën e nisur për të bërë realitet veprën më të madhe të së ardhmes portin dhe hekurudhën.

“Për hekurudhën kemi tanimë ofertuesit, një grup i gjerë kompanish nga më të mëdhatë e Europës që kanë ofertuar për të marrë përsipër studimin e fizibilitetit të porositur nga të dyja qeveritë me vendim të përbashkët”, tha Rama.

Kryeministri informoi se në fillim të vitit të ardhshëm ne hapim garën ndërkombëtare për portin e ri të Durrësit, i cili do të ndërtohet në Porto Romano.

“Nëse gjithçka shkon sipas planit, në fillim të 6-mujorit të dytë të vitit të ardhshëm ne do të jemi në kantier. Do të jetë një port i përbashkët i shtrirë nga Durrësi në Prishtinë dhe Strugë me dy Porte të Thata që do të lidhen me hekurudhën. Për hekurudhën Durrës-Prishtinë tani hymë në fazën e fizibilitetit, ndërsa për hekurudhën tjetër jemi në diskutimet me BE-në dhe qeverinë e Maqedonisë së Veriut”, informoi Rama.

Rama informoi se në 12 dhjetor do të bëhet prezantimi i madh publik i projektit përfundimtar të Portit të Durrësit, ku shpreson të jenë të pranishëm kryeministri i Kosovës Kurti dhe ministrat e tjerë.

“Pasi kemi parashtruar publikisht konceptin për portin e ri, në 12 dhjetor prezantojmë publikisht projektin përfundimtar të kompanisë që do t’i nënshtrohet garës dhe do të fillojë nga puna në mesin e vitit 2023”, tha Rama.



Comments are closed.