×
Sunday, May 18, 2025

Rama: LaCivita mori 6 milionë euro për t’i vënë kapelen bufit, nuk është hequr non grata

May 9, 2025


Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste shprehu sot bindjen se në 11 maj PS do të marrë minimalisht 78 mandate.

I ftuar në një studio televizive, Rama komentoi edhe këshilltarin e fushatës së Partisë Demokratike dhe Koalicionit “Shqipëria Madhështore”, Chris LaCivita, ndërsa theksoi se ai ka ardhur dhe ka marrë 6 milionë dollarë për t’i vënë kapelen bufit, por nuk është hequr non-grata.

“Non-grata kur hiqet hiqet, hiqet njësoj siç vihet. Vihet me deklaratë dhe hiqet me deklaratë jo me 6 milionë dollarë për të bërë një gjë në Twitter dhe për të marrë nëpër këmbë gjithë demokratët këtu dhe për t’u thënë do ndodhi mrekullia vetëm për fushatë”, tha Rama.

Ndërsa komentoi parashikimet për rezultatin zgjedhor në të ashtuquajturin  “Memorandum i Kuçit”, Rama theksoi se ne kemi projeksionet tona dhe parashikojmë që të rritemi nga 74 mandate që kemi aktualisht në minimumi 78 mandate.

“Mandatet shtohen sepse Shqipëria nuk s’është kjo që komentoni ju. Shqiptarët nuk janë njerëz të kufizuar që të thonë meqë disa nga këta hynë në burg duhet të hiqen këta të tjetër. Shqiptarët e dinë se Reformën në Drejtësi e bëmë ne”, tha Rama.

Duke folur për pensionet, Kryeministri siguroi se pensionin minimal 200 euro do ta arrijmë deri në Shqipërinë 2030, brenda këtij mandati.

“Ne kemi pasur me ndihmë ekonomike gati 90 mijë persona, sot kemi 54 mijë. E gjithë kjo pjesa tjetër është futur në treg, është rritur niveli i njerëzve që janë gati të punojnë. Në këto 10 vite kemi bërë një gjë epokale, sepse deri në vitin 2013 ne nuk kemi pasur sistem pensionesh fare, ndërkohë që vendet e rajonit nuk kanë prishur gjë. Ne nuk kemi pasur sistem pensionesh, kemi pasur asistencë”, tha Rama.

Sistemi i pensioneve, sipas tij, bazohet te sigurimet ndërkohë që më parë kishte tavan për pensionet 240 mijë lekë të vjetra.

“U shkatërrua gjithë industria dhe gjithë ky stok është aty. Ne futëm sistemin e sigurimeve”, shtoi ai.




Comments are closed.