×
Sunday, September 19, 2021

Rama: Kjo qeveri përmbylli kushtet për negociatat, hapi kapitull të ri me “Ballkanin e Hapur”

August 25, 2021

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kjo qeveri e mbyll mandatin me realizimin e të gjitha kushteve për çeljen e negociatave me BE.

Kryeministri Edi Rama në fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës, vlerësoi punën në fushën e mbrojtjes dhe të politikës së Jashtme të Shqipërisë.

“Besoj se te gjithë jemi krenarë çfarë është bërë në fushën e mbrojtjes dhe punët e jashtme të këtij vendi gjatë këtij mandati. Reputacioni ndërkombëtar i vendit, besueshmëria dhe respekti ndaj nesh nga ana e aleatëve dhe partnerëve tanë, përfshirja si asnjëherë më parë e diasporës në marrëdhëniet me qeverinë, serioziteti me të cilin e marrin Shqipërinë në çdo instancë ndërkombëtare sot, vetë imazhi i vendit tonë nuk kanë asnjë krahasim, fare, fare, fare me vitin 2013”, tha ai.

Po ashtu, kryeministri Rama theksoi se “kjo qeveri e mbyllë mandatin me realizimin e të gjitha kushteve dhe stërkushteve për çeljen e negociatave me BE dhe me hapjen e një kapitulli të ri me politikën tonë rajonale, si një prej nismëtarëve të “Ballkanit të Hapur”, që në thelb s’është asgjë tjetër veçse procesi i Berlinit me një shpejtësi të re dhe një përgjegjësi të re, pa pritur që përjetimin e katër lirive të Bashkimit Europian, lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve të kalojnë dhe 8 vjet të tjera duke pritur që për çdo hap të kujtohen partnerët ndërkombëtarë”.

“Polemikat për Ballkanin e Hapur dhe akuzat e hatashme ndaj kësaj qeverie dhe meje personalisht, qoftë nga Prishtina, qoftë nga Tirana nuk më shqetësojnë fare dhe nuk duhet të na shqetësojnë aspak si forcë qeverisëse në mandatin e tretë. Ka shumë tym dhe zjarr të ndezur për qëllime të politikës së ditës, por qeveria e re do të vazhdojë përpara edhe në këtë drejtim pa humbur asnjë ditë të vetme. Ndërkohë, që kam besim se me qeverinë e Kosovës do të bëjmë plot punë të mira në interes të përbashkët, pavarësisht mosdakordësisë së kolegëve në Kosovë për Ballkanin e Hapur”, tha ai.

Duke iu drejtuar ministrave, Rama tha se qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme. “Ju natyrisht do të vijoni të gjithë punë deri në minutën e kalimit të detyrës. Fatmirësisht kemi një skuadër kampione”, përfundoi ai.

Eunews.al

Comments are closed.