Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot nga Lushnja se, “në votimet e 11 majit qytetarët duhet të shkojmë me sensin e urgjencës, sepse është urgjenca përpara së cilës na ka vendosur historia, duke bërë që të jemi i pari vend nga ish-vendet komuniste, që i jepet mundësia të mbyllë negociatat me BE, në vetëm tre vite”.
Rama tha se, “kjo nuk është një dhuratë, por është punë që e kemi arritur me shumë mund, për të cilën na ka ndihmuar edhe Zoti duke bashkuar yllin e fatit tonë me yjet e fatit të BE-së dhe siç na ka ardhur kjo mundësi në dorë dhe mund të na iki, nëse nuk votojmë PS dhe numrin 5, që ta bëjmë këtë mundësi një realitet të së nesërmes për të gjithë shqiptarët dhe fëmijët tanë”.
Gjatë fjalës së tij Rama u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian.
“Ju e dini se çfarë duhet të bëni më 11 maj. Por ajo që duhet të bëni deri në atë moment është që të bëni edhe të tjerët me vete, duke telefonuar ata në emigracion që i kanë marrë zarfet dhe nuk i kanë kthyer ende, për të folur me bashkëfshatarët tuaj që janë në anën tjetër dhe t’u thoni që në 11 maj nuk ka dy anë, por ka vetëm një drejtim dhe është drejtimi i Shqipërisë 2030 në Bashkimin Evropian”, u shpreh Rama.
Sot, vijoi ai, “jemi më të vendosur se asnjë herë për ta çuar deri në fund misionin tonë, tre mandate ne nuk na kanë lodhur, nuk na kanë hequr dëshirën për të bërë më shumë për vendin, por na kanë bindur çdo ditë e më shumë, se jo vetëm që ky vend që po bëjmë është një vend që mund të lulëzojë në mes të Europës, por ne do ta bëjmë të lulëzojë duke i dhënë atë që i ka munguar në jetë të jetëve, dinjitetin e barabartë të një vendi europian mes vendeve europiane, duke i dhënë flamurit të Skënderbeut vendin që i ka munguar në oborrin e Europës”.
Rama ftoi qytetarët të votojnë Partinë Socialiste për dinjitetin e barabartë të fëmijëve shqiptarë me të gjithë fëmijët e Europës.
“Duke u dhënë sot fëmijëve që nuk votojnë dot gjënë më të madhe, që një prind shqiptar mund t’i japi fëmijës së vet, pasaportën europiane. Duhet që çdo prind të mendojë dy herë në 11 maj, nëse nuk e ka ndarë mendjen, se çfarë duhet të bëjë, duhet të mendojë, jo për çka bërë më parë, në shumë herë për shkak të bindjeve të tij, për shkak të simpative të tij, për shkak të inateve të tij, por duhet të mendojë se çfarë duhet të bëjë për fëmijën e tij që kur këtë pasaportë europiane, fëmija ta marri në dorë, ai baba të ndjehet mirë që në 11 maj bëri gjënë e duhur për marrjen e asaj pasaporte. Dhe të ndjehet mirë që ai baba, ajo nënë, ata prindër i dhanë fëmijëve me votën e tyre përtej pëlqimit apo mospëlqimit për mua, për Partinë Socialiste, për ju dinjitetin e barabartë europian me të gjithë fëmijët e Europës”, tha Rama.


