Rama: Garanci sovrane për furnizimin me produktet bazë



Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me mallrat e shportës, ku theksoi se qeveria në kuadër të përpjekjes për të minimizuar pasojat e krizës do t’i mbështesë ata me garancinë sovrane.
Rama tha se “ne e mirëkuptojmë shumë situatën tuaj edhe të pasigurisë në financim, por edhe të përgjithshmen. Ne kemi vendosur garancinë sovrane për ju, që ju të mund të merrni dhe ta përdorni me garanci të plotë të shtetit, çdo kredi për të marrë edhe më shumë furnizim se sa zakonisht, për ta pasur aty për çdo rast në afatgjatë, sepse sot të gjitha depot janë plot, me mirëkuptimin e shkruar jo me fjalë, që çdo gjë që do të mbetet do ta marri shteti. Nuk do t’iu mbetet e pashitur, dhe kështu do të humbisni paratë tuaja nga një investim me përgjegjshmëri sociale në këtë rast dhe jo thjesht një investim biznesi për të qenë aty”.
“Kjo garanci sovrane është që të gjitha ata që janë të përfshirë në zinxhirin e furnizimit të kenë mundësi të investojnë dhe shpenzojnë siç duhet. Kjo rezervë ekstra është dhe shtetërore në të njëjtën kohë, ju do ta përdorni siç përdorni zakonisht rezervat, por nëse mbetet për shkak të mbi furnizimit do ta marrë shteti, është e garantuar. Nuk ka asnjë diskutim që ju nuk do të humbisni asnjë qindarkë në këtë operacion”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “erdha tu falënderoj për shkak se jemi realisht mirënjohës për ndjeshmërinë dhe gatishmërinë e shprehur jo me fjalë por me fakte nga ana juaj që të bëheni pjesë e kësaj përpjekje të përbashkët që nuk na zënë vetëm ne, por të gjitha vendet si rezultat i një kombinimi shumë unik krizash nga kriza energjetike tek kriza e zinxhirit të furnizimit për shkak të luftës në Ukrainë, në radhë të parë që ka impaktuar marrëdhëniet tregtare, në një botë që është e vogël, pasi veprimet dhe ndërveprimet janë të ndërlidhura”.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm që kjo përpjekje dhe krijimi i dy bordeve që ne kemi ngritur për të adresuar këtë problematikë shumë të mprehtë , është përpjekje anti-sistem, në sensin që nuk është e natyrshme dhe nuk është as e këshillueshme pasi kemi zgjedhur këtë sistem të tregut të lirë, që shteti të ndërhyjë për të përcaktuar marxhe fitimi për të vendosur tavane e kështu me radhë. Për këtë arsye ne e kemi bërë këtë gjë në mënyrë të sjellshme ndaj sistemit, duke përfshirë edhe ju, por nuk është e natyrshme asnjë situatë e tillë lufte krize që cënon drejtpërdrejtë bazën e jetesës së përditshme , që është furnizimi me energji dhe me ushqime bazë. Ju e dini më mirë se unë dhe kushdo tjetër se në çfarë vështirësie ndodhet zinxhiri i furnizimit. Ju e keni shumë të qartë se si një luftë që është larg në km nga Shqipëria impakton drejtpërdrejtë veprimtarinë tuaj”, nënvizoi Rama.
“Ndërkohë mjafton që të hysh dhe të shohësh disa të dhëna shumë të thjeshta mbi peshën që kanë këto dy vende të përfshira në këtë konflikt në mënyrë të drejtpërdrejtë, Rusia dhe Ukraina, agresori dhe viktima, në furnizimin me lëndë bazë të tregjeve në Evropë dhe përtej saj, për të kuptuar shtrëngesën e fortë”, tha Rama.

