Rama: Epoka e shfrytëzimit të punonjësve duhet të mbyllet




Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot sipërmarrjes të mbështesë burimet njerëzore, ndërsa shtoi se, kontratat kolektive të punës janë një farsë e paimagjinueshme dhe kjo gjë duhet të ndryshojë.
Në një takim me biznesin e madh për pagat e punonjësve, Kryeministri theksoi se, tani është koha që sipërmarrja të ndërgjegjësohet dhe të mbështesë punonjësit.
“Këto tronditje dhe goditje sot po detyrojnë Italinë të kërkojë 15 milionë forca punëtore për t’i marrë në mënyrë të rregullt nga Pakistani dhe India. Gjermania kërkon 7 milionë deri në vitin 2030. Janë gjëra që tani po i ndien gjithë dynjaja si pasojë e plakjes së popullsisë, rënies së forcave të punës dhe pamundësisë për të bërë punë të caktuara nga ata që janë rritur atje”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje shembuj të disa sipërmarrjeve pararojë që operojnë në vend, të cilët kanë paga që shkojnë deri në 4 mijë apo 5 mijë euro dhe për të cilët nuk ekziston niveli i pagës minimale 40 mijë lekë.
“Ka të tjerë që paguajnë paga 2500-3000 euro. Epoka e shfrytëzimit të punës, të burimeve që punojnë, që prodhojnë, që japin e marrin punë, duhet të mbyllet. Ne do të zhvillojmë këtë dialog si një proces kundër shfrytëzimit të punonjësve, të forcave të punës”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, “marrëdhëniet kapitaliste në Shqipëri për shumë vite kanë qenë të bazuara te shfrytëzimi dhe te fitime të padeklaruara shumë më të mëdha sesa të deklaruara”.
“Kjo fazë është duke u mbyllur. Çështja është si do të mbyllet zgjedhja që duhet të bëjë sipërmarrja në Shqipëri, duke e përplasur në tokë dhe lënë pa burime njerëzore, apo duke u bërë sipërmarrja e vetëdijshme se duhet të ndërtojë një marrëdhënie të re me forcat e punës”, tha ai.
Rama kërkoi nga sipërmarrësit që të mos mendojnë si t’i marrin edhe qindarkën e fundit nga xhepi punonjësve dhe t’i lënë me paga skllavërie, por se si ta ndërtojnë sipërmarrjen bashkë me punonjësit duke kuptuar se pa ta sipërmarrja nuk ekziston.
