Rama-diasporës: Regjistrohuni deri në 4 mars dhe votoni që ta ngremë edhe më lart respektin për Shqipërinë



Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot shqiptarëve të diasporës të regjistrohen për të votuar për zgjedhjet e 11 majit.
Përmes një videomesazhi, kryeministri kujtoi se afati për t’u regjistruar është deri në 4 mars.
“Duke qenë se prej vitesh tanimë shumë prej jush në emigracion më kanë shkruar se ‘duam të votojmë, pse nuk votojmë, kur do të votojmë’ kam një merak tani që më në fund ua siguruam të drejtën e votës se mos mbeteni pa votuar për shkak të mungesës së informacionit”, u shpreh Rama.
Edhe pse zgjedhjet janë në 11 maj, Rama kujtoi se shqiptarët jashtë Shqipërisë do të votojnë me postë prej aty ku janë, ndaj duhet të regjistrohen nga tani deri në 4 mars, ndryshe nuk votojnë dot.
“Regjistrimi bëhet në faqen e KQZ-së, www.kqz.gov.al, nuk është i vështirë, por do pak durim dhe duhen disa minuta. Mos përtoni dhe mos e shtyni për nesër e për pasnesër siç e kemi ne shqipot se koha fluturon dhe do të votojnë vetëm ata që do të regjistrohen deri në 4 mars. Edhe 46 ditë kohë ka që pastaj KQZ t’ju dërgojë fletën e votimit me postë, ju ta mbushni dhe ta riktheni”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se Qeveria do të paguajë edhe dërgimin mbrapsht të zarfit me votën e diasporës.
“Kështu që regjistrohuni dhe votoni që ta ngremë edhe më lart respektin për emrin e Shqipërisë dhe shqiptarit kudo ku ju jetoni. Ju e dini se kush e përmbysi emrin e keq të vendit dhe jua ngriti kokën e ulur në shumë e shumë vite në Greqi, Itali e gjetkë. Prandaj nuk do ta keni të vështirë këtë pjesë se për kë duhet të votoni por më parë duhet të regjistroheni dhe koha nuk pret”, tha Rama. /j.p/

