Rama: Britania e Madhe, e gatshme të përfshihet në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë



Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “gjatë takimit me Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-in dhe Zhvillimin e Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik për Shqipërinë, Kosovën, por edhe rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë”.
Rama e nisi deklaratën duke theksuar se “është një ditë e posaçme, pasi jo vetëm kemi një mik nga një vend që është një aleat dhe partner shumë i rëndësishëm, Sekretarin e shtetit për Çështjet e Jashtme, Commowealth-in dhe Zhvillimin, Lordin David Cameron, por në të njëjtën kohë një mik të posaçëm të këtij rajoni dhe të Shqipërisë që më në fund erdhi në Tiranë pasi e ka marrë ftesën prej disa vitesh dhe tani jam i bindur që do të rikthehet përsëri”.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Lord David Cameron, kryeministri Rama tha se “kjo hekurudhë është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajone e më gjerë duke pasur parasysh që së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit”.
Kryeministri Rama u shpreh se “jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durresit. Edhe Kososva do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë”.
Më tej Rama theksoi se “për të gjithë së bashku ky është një projekt që tejkalon interesin e dy vendeve tona dhe Mbretëria e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë të përfshihet qoftë me financimin, qoftë edhe me ekspertizën. I jam mirënjohës Sekretarit sepse është një avokat shumë i rëndësishëm i yni në mbështetje të gjithë proceseve transformuese të rajonit tonë”.

