Rama: Bord Kombëtar për Administrimin e Karburantit, kush abuzon humbet pikën e karburantit
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me furnizuesit e naftës për t’i vënë fre çdo spekulimi me pasojat e luftës në çmimet e karburantit.
Rama theksoi se “situata e jashtëzakonshme imponon ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të qeverisë për ngrirjen e marzheve të fitimit si edhe transparencën e çmimit, prandaj ngrihet menjëherë Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit”.
“Një Akt Normativ me fuqinë e menjëhershme të ligjit për përballimin e kësaj emergjence, do të përcaktojë që nesër edhe kuadrin e detyrimeve dhe të drejtave të kufizuara të furnizuesve të karburantit, për një afat dymujor të rinovueshëm sipas dinamikës së luftës”, tha Rama.
Duke iu drejtuar furnizuesve të naftës, Kryeministri theksoi se “ju i përkisni asaj pjese të shoqërisë shqiptare që duhet të bëjë sakrificë”.
“Kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar. Kjo është koha për të mbajtur pjesën tuaj të barrës. Ne kemi detyrimin të mbajmë barrën më të madhe. Kjo është një luftë dhe secili duhet të mbajë barrën që i takon”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “brenda 24 orësh, qeveria do të kalojë një akt normativ me fuqinë e ligjin dhe qeveria do të hyjë në administrimin e furnizimit bashkë me furnizuesit, përmes një Bordi Kombëtar të Furnizimit me Karburant”.
“Çdo ditë ju dhe qeveria, e përfaqësuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtori i Tatimeve, Drejtori i Doganave dhe kreu i Autoritetit të Konkurrencës, do të jenë në tryezë me 5 përfaqësues nga ju”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “nuk do të ketë asnjë tabelë në asnjë pikë karburanti, ku do të shfaqet një çmim që nuk është miratuar nga bordi”.
Sipas tij, “nëse dikush do ta bëjë këtë do të humbasë pikën e karburantit”. “Kërkoj solidaritetin dhe angazhimin tuaj me hir, kurse ligji do ta bëjë këtë me pahir. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër”, tha Rama.
Eunews.al