Rama: Asnjë familje nuk do të ketë rritje në faturën e energjisë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se në Paketën e Rezistencës Sociale ne i qëndrojmë zotimit për mosrritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla.
Kryeministri kujtoi se kjo vjen në një kohë kur energjia elektrike në tregjet ndërkombëtare është dyfishuar dhe mund të shkojë edhe në 4-fishim.
“Në këtë paketë ne i qëndrojmë edhe sot zotimit se nuk do të rrisim çmimin e energjisë elektrike për asnjë familje shqiptare”, tha Rama.
Kryeministri informoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po bën një studim për familjet e pasura, jo për të krijuar fashat, por për të parë nëse mund të bëjmë një ndarje të përkohshme, ku ata që kanë më shumë të paguajnë më shumë në faturën e energjisë.
Ndërkohë, Rama theksoi se “asnjë familje nuk do të ketë rrije në faturën e energjisë, ku shteti do të vazhdojë të paguaj diferencën e cila mund të shkoj në 3-4 fish”.
Kryeministri theksoi se “tani jemi në kushtet ku nuk flitet më për çmime por për mungesën në treg”.
“Jo më larg se mbrëmë Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë lajmëroi se qeveria do të kufizojë furnizimin me gaz. Gjermania po përgatit planin për të filluar ndërprerjet e furnizimit me gaz në familjet gjermane. Pra, jemi në kushtet kur kriza ka prekur shtetin më të fuqishëm të Evropës”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “sot kriza e furnizimit me energji elektrike është në një kulm që bota e konsideron të ngjashëm me krizën e vitit 1974”.
“Është realisht e frikshme të mendosh nëse jemi në ato kushte, ku ka pasur mungesë furnizimi me naftë, me gaz, me energji elektrike dhe ushqime”, tha ai.







