“Rajoni po shikon mundësinë e një bashkëpunimi më të madh me BE-në”
Presidenti i Parlamentit Evropian (PE), David Sassoli, mbajti një fjalë përshëndetëse në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë vizitës së tij zyrtare, ku vuri theksin te procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE).
Në fjalën e tij, Sassoli tha se ndodhet në Shqipëri për të ripërtërirë besimin te institucionet e BE-së që sa më shpejt t’i lejojnë Shqipërisë dhe Maqedoninë së Veriut të fillojnë sërish rrugëtimin evropian.
“Kemi bashkëndarë muajt e kaluar së bashku një moment hidhërimi. Hidhërimin e të menduarit se procesi i anëtarësimit mund të fillonte, por përkundrazi u ngadalësua. Siç e dini PE dhe KE dhe 25 qeveri evropiane ishin të bindur që kjo rrugë duhej të fillohej menjëherë që përpara fundit të vitit të kaluar, mirëpo nuk ndodhi kështu. Nuk u tha një jo, por vetëm sa është shtyrë afati në pritje për të fokusuar disa mekanizma mbi metodologjinë dhe në të njëjtën kohë për të bërë të mundur një mendim tjetër nga vendet e tjera që kanë rezerva”, tha ai.
Më tej, Sassoli theksoi se: “Ne jemi të bindur që jemi së bashku, kemi të njëjtin vështrim drejt së ardhmes. Unë jam këtu për t’ju ripërtërirë besimin te Parlamenti Evropian dhe Këshilli që sa më shpejt t’i lejojë Shqipërisë dhe Maqedoninë së Veriut të fillojnë sërish rrugëtimin e tyre”.
Sipas Sassolit, duhet “t’i bëjmë të mundur hartës gjeografike të Evropës të mbushë një boshllëk”, që sipas tij është rruga që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria duhet të fillojnë të integrohen dhe të rriten së bashku.
Më tej gjatë fjalës së tij, kreu i PE-së tha se gjithë rajoni po shikon me pritshmëri të madhe drejt një mundësie të bashkëpunimit më të madh me BE-në.
“Unë besoj se Shqipëria mund të përbëjë edhe për të tjerët një shembull. Kemi parë të rritet një vend që vë bast mbi pluralizmin, pajtimin e konflikteve dhe dialogun. Ja pse kemi nevojë për Shqipërinë, sepse Shqipëria mund të jetë një rezervë e madhe për ne. Urimi im është që negociatat të mund të çelen sa më shpejt, mundësisht përpara Samitit të Zagrebit, por sidoqoftë ky është një angazhim që të ndihmoni dhe vendet e tjera”, tha Sassoli.
Sassoli gjatë vizitës së tij realizoi takime me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.
Kujtojmë se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2014 dhe është në pritje të vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Eunews.al