×
Thursday, April 18, 2024

Pulla e postës, dëshmia e vlerave dhe identitetit kombëtar

July 28, 2021


Nëse keni menduar se Posta Shqiptare është thjesht një institucion i zakonshëm që shërben veç për dërgesa pakosh apo për transferta monetare, atëherë jeni krejtësisht të gabuar.

Vetë puna e Postës Shqiptare është një udhëtim i gjatë historik që ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në memorien njerëzore por edhe në të gjithë veprimtarinë e saj të përditshme.

Dëshmi kyçe për këtë janë pullat e vyera postare të cilat mbeten provë kyçe e një historie që frymon nëpër kohë.

Ajo është një simbol i kulturës, traditës dhe zhvillimeve që kanë rrugëtuar krah për krah me punën e palodhur të djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që kanë shërbyer një jetë të tërë në funksion të Postës Shqiptare.

Emërtimi i pullës së parë postare zë fill qysh nga konsolidimi dhe shërbimi postar me indentitet shqiptar, e cila ka qënë kurdoherë pjesë shprehëse e identitetit tonë kombëtar.

Vetë udha e gjatë dhe e bukur e pullës është një pasuri e vyer e jona si një pasqyrë adekuate e historisë sonë.

Mjafton të shohësh punimet e njëpasnjëshme nëpër kohë, dhe të vjen ndërmend bëmat e një populli të tërë, sakrificën për liri dhe pavarësi, luftën me pushkë dhe penë, solidaritetin në të mirë dhe në të keqe, virtytet shoqërore, nderi dhe besa.

Ky portret autentik filloi të skicohej menjëherë pas aktit madhor të shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912.

Fillimisht, me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, për vetë rrethanat në të cilat ndodhej administrata e Qeverisë së Ismail Qemalit, vazhduan të ekzistojnë postat osmane.

Madje ishin po ata nëpunës, që deri në maj 1913, përdorën vulat dhe pullat turke.  Qeveria e Ismail Qemalit, duke patur në përbërje të saj si Ministër të Postave intelektualin e njohur Lef Nosi, i kushtoi vëmendje të veçantë veprimtarisë postare përgjithësisht dhe emetimit të pullave posaçërisht. Vetëm në pak muaj të ekzistencës së saj, më 7 korrik 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës bëri kërkesë për antarësim në Bashkimin Postar të Përbotshëm, realizimi i së cilës zgjati më shumë se tetë vjet. Pikërisht në tetor të vitit 1922 Shqipëria u bë anëtare e UPU-së.

Po kështu, nisur nga nevojat tejet të mëdha për pulla postare në fillimet e shtetit shqiptar, Ministria e Postave bëri zgjidhje shumë efektive e praktike. Brenda një periudhe tetëmujore, mars-dhjetor 1913, u emetuan gjashtë emisione pullash.

Emisioni i parë, ose pulla e parë, u realizua afro gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Ajo nuk ishte e zakonshme, siç janë pullat aktualisht, por kishte formën e një vule në ngjyrë të zezë, me të cilën u shtypën gjithsej 2232 zarfa. Kjo pullë-vulë në zarfa me ngjyra të ndryshme kushtonte 1 grosh dhe u nxorr në shitje në 11 qytete ku funksiononin zyrat postare të ngritura gjatë pushtimit osman. Ajo u vu në qarkullim më 5 maj 1913. Karakteristikë ishte edhe prerja e vulës nga zarfet origjinale dhe vendosja e qarkullimi mbi zarfe të tjerë, praktikë e njohur dhe e përligjur nga Ministria e Postave.
 

Një dritare shumë e rëndësishmë është vlera historike e parë me synë e filatelisë.

Nëpërmjet pullës, Posta Shqiptare ka marrë pjesë në shumë aktivitete ndërkombëtare filatelike ku është ekspozuar trashëgimia jonë e vlerave.

Do mjaftonte veç interesimi i veçantë dhe vlerësimi nga revista dhe katalogë të ndryshëm për të kuptuar se mbi zarfe nuk kemi pasur thjesht një pullë por një xhevahir historik.

Filatelistët e parë shqiptarë i përkasin periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare. Ndër ta do të veçonim rilindasit Thimi Mitko, Sami Frashëri, Ndoc Xhuxha e Murat Toptani, më vonë Luigj Gurakuqin dhe sidomos të mirënjohurin Lef Nosi, Ministrin e parë të Postave të shtetit shqiptar, që ka merita të veçanta në konceptimin dhe emetimin e pullave të para shqiptare. Në nderim të tij filatelia shqiptare ka një emision me portretin e Lef Nosit.

Një zhvillim më të madh filatelia në Shqipëri mori në vitet midis dy luftrave botërore. Nga qëmtimi i dokumentacionit të kohës del se në këtë periudhë u çelën dyqanet e parë për shitjen e pullave si në Shkodër, Korçë e Tiranë.

Në shtypin e kohës ndeshen raste të shumta reklamash për shitblerje pullash, ku ndër tregtarët më të spikatur mund të përmendim Zef Prendushin në Shkodër, i cili u shqua si tregtar dhe njohës i talentuar i pullave postare, si profesionist kompetent.

 Po kështu mund të përmendim edhe filatelistin e tregtarin shqiptar në Torino të Italisë, Aurel Ballamacin, që mbajti për 40 vjet me radhë një dyqan filatelik në qendër të këtij qyteti.

Natyrisht, numri i filatelistëve në Shqipëri ka qenë dhe është i kufizuar dhe përpjekjet e tyre për të kontaktuar me kolegë në vende të ndryshme të botës përgjithësisht kanë qënë spontane. Kjo diktohej edhe nga mungesa e të ardhurave, rrjedhojë e gjendjes ekonomike të vendit.

Niveli i organizimit të filatelistëve filloi të rritet veçanërisht pas çlirimit të vendit. Më 1947, në Shkodër formohet Klubi Filatelik, dy vjet me vonë, pra në vitin 1949, në Korçë ngrihet Rrethi i Filatelisë dhe më 1959, në Tiranë formohet Shoqata e Filatelistëve .

Organizime të tilla u bënë më vonë edhe në Vlorë, Pukë etj. Fryt i këtyre organizimeve janë edhe ekspozitat filatelike të çelura në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Duke filluar nga viti 1991 ekziston Federata e Koleksionistëve Shqiptarë, e cila në vitin 1994 u pranua anëtare e FIP-it (Federata Ndërkombëtare e Filatelisë me qendër në Zurih të Zvicrës) dhe e FEPA-s (Federata Evropiane e Shoqatave Filatelike me qendër në Hagë të Holandës).

Bashkëpunimi i vazhdueshëm mes Federatës dhe Postës Shqiptare ka bërë që filatelia të lulëzojë jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera si Fier, Shkodër dhe Korçë për të zhvilluar gjithnjë e më shumë aktivitetin e filatelisë e cila pasqyron pullën postare shqiptare.

Urojmë dhe dëshirojmë që Shqipëria të shkruajë vetëm histori të mirë dhe të ketë sa më shumë kolosë te fushave të ndryshme në mënyrë që pullat e posës të jenë gjithnjë më të mira dhe gjithnjë me mesazhe të vyera historike.

Eunews.al



Comments are closed.