×
Thursday, July 25, 2024

Pse i duhet shkuar deri në fund shkarkimit të Ilir Metës

May 6, 2021


Nga ALfred Peza
Ka një dilemë publike në rradhët e opozitarëve, të cilët ngaqë nuk janë në gjendje ta mbrojnë Ilir Metën nga procesi i shkarkimit si President i Republikës përmes argumenteve kushtetuese, po i falen çdo ditë e më tepër “argumentave” politike. Duke i mëshuar mbi të gjitha pistës së stabilitetit të vendit, sesa fakteve dhe provave juridike, për mënyrën e ruajtjes së ekuilibrave mes pushteteve në Shqipëri.

Iniciativa e mazhorancës socialiste për shkarkimin e Kryetarit të Shtetit, duhet çuar deri në fund, pavarësisht këtyre diskutimeve për shumë arsye. Ajo nuk duhet të jetë qëllim në vetëvete, por e bazuar vetëm e vetëm, në respekt të Kushtetutës.

Ndaj ska pse të ketë dilema, pavarësisht lojës proceduriale që ka nisur të luaj Presidenca, në lidhje me afatet e ngritjes dhe funksionimit të një komisioni të tillë parlamentar. Pavarësisht faktit se Ilir Meta nuk do paraqitet në datën 6 maj përballë deputetëve të këtij komisioni kur është thirrur zyrtarisht, por në datën 10, meqenëse më 9 maj është edhe afati i fundit i këtij ballafaqimi mes palëve.

Ilir Meta është në të drejtën e tij, që të bëjë gjithçka për ti shpëtuar me procedurë, tentativës së dytë të Parlamentit për ta shkarkuar atë si President Republikës. Kjo nuk është ndonjë gjë e re as për të, e as për Lulzim Bashën dhe lidershipin opozitar, që gjithmonë e kanë gjetur gomonen e shpëtimin nga drejtësia, tek fshehja prapa procedurave! Shqiptarët i kanë ndëshkuar me votë, edhe për këtë, sigurisht!

Kjo është një arsye më shumë që mazhoranca socialiste, ti shkojë deri në fund kësaj çështje. Nëse Ilir Meta nuk e ka shkelur Kushtetutën, nëse ai nuk ka vepruar në kundërshtim me frymën dhe gërmën e saj, nëse ai është në rregull me funksionet e Kryetarit të Shtetit nuk ka pse i shmangej këtij ballafaqimi. Përkundrazi. Ai që është i pafajshëm, do të kishte një rast të artë, që ta shndërronte të gjithën këtë në një spektakël të jashtëzakonshëm politik kundër mazhorancës vetë.

Por Ilir Meta e di shumë mirë se çfarë ka bërë, ndaj po i shmanget dhe me siguri që do bëjë gjithçka, për të mos u përballur me të vërtetën. Ndaj mazhoranca socialiste ka detyrim moral, politik, institucional, ligjor dhe kushtetutes përpara shqiptarëve, që ta çojë deri në fund këtë iniciativë.

Kjo është edhe arsyeja se përse PS është e vendosur që të hetojë deri në fund çdo sjellje, çdo akt, çdo deklaratë, çdo veprim dhe mosveprim të Presidentit, përpara dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Sepse mazhoranca parlamentare ka koshiencën shtetformuese, për ta parë këtë si një mundësi për ta ndarë njëherë e mirë, politikën nga shteti. Institucionin e Presidentit, nga veprimtaria e ngushtë e individëve dhe e partive, për interesat e tyre personale elektorale.

Ka nga ata që janë hapur në anën e Presidentit për arsye interesash apo tifozllëku partiak, që e lidhin kundërshtinë e tyre, me faktin se Parlamenti e provoi njëherë që ta shkarkonte Ilir Metën po në të njëjtën mënyrë. Ndaj,- thonë ata,- përse duhet bërë një komision hetimor i dytë, kur të njëjtët dështuan herën e parë për ta shkarkuar atë?!

E para, shkarkimin e Presidentit të Republikës nuk e bën Parlamenti, por Gjykata Kushtetuese. Kështu që çdo parti Parlamentare që arrin të mbledhë numrin e nevojshëm të firmave të deputetëve për ngritjen e një komisioni të tillë hetimor, mund ta bëjë këtë, sa herë që e sheh të arsyeshme se ekzistojnë të gjitha kushtet për ta hedhur një hap të tillë. Asnjë pengesë nuk ka për numrin e iniciativave të tilla, për aq kohë sa deputetët dyshojnë se Kreu i Shtetit, ka kryer veprimtari që bie ndesh me Kushtetutën.

E dyta, nëse do të ishte kështu, përse në SHBA u tentua dy herë brenda një mandati, që të shkarkohej Presidenti Donald Trump dhe në Shqipëri të mos ndodhë kjo gjë?

Me fitoren e mandatit të tretë qeverisës, PS e ka akoma edhe më shumë detyrim përpara shqiptarëve, që ta çojë deri në fund iniciativën e saj. Jo për shkak të arrogancës që mund ti japi fitorja, ndonjë force tjetër nga qëndrimi i gjatë në pushtet. Por për shkak të mesazhit që PS mori prej zgjedhësve, për të vijuar akoma edhe më me vendosmëri, përpjekjet për ti çuar deri në fund reformat e shtetformimit modern dhe iniciativat që ndihmojnë në konsolidimin e raporteve mes pushteteve dhe institucioneve.

Parlamenti duhet të thotë fjalën deri në fund, duke e vendosur për herë të parë përballë provës së të vërtetës, edhe institucionin më të rëndësishëm të sistemit të ri të drejtësisë: Gjykatën Kushtetuese!

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments