×
Wednesday, December 8, 2021

Pse ‘Foltorja’ është lëvizje për të shpëtuar Familjen?

November 6, 2021

Sali Berisha dhe Familja e tij akuzojnë Lulzim Bashën si bashkëfajtor me Edi Ramën për borxhin 700 milionë euro që u miratua javën e kaluar në Kuvend, duke iu referuar një udhëzimi me SMS të kryetarit të grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj, ku u kërkonte deputetëve demokratë të abstenonin për eurobondin. Fillimisht kundër Bashës shpërtheu dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili e cilësoi kreun e PD-së si palaço që aktron, ndërsa e akuzoi për pazare me qeverinë dhe për përdorimin e partisë si plaçkë.

Në një linjë me dhëndrin e tij, Sali Berisha, akuzoi dje nga Berati Lulzim Bashën për mbështetjen e marrjes së borxhit, duke e etiketuar si njeri të fikur. “Borxhi publik po arrin 100%. Janë vjedhur dhe vetëm vjedhur nga qeveritarët shqiptarë. Dhe çfarë ndodhi tani në fund? Në mënyrën më të pabesueshme, bashkëfajtore në borxh, ish-kreu i PD apo kryetari pa parti, bëri edhe Partinë Demokratike. A mund të imagjinoni ju që një opozitë e vërtetë t’i lejojë vetes të abstenojë, madje në komisionet e parlamentit ta votojë edhe pro një borxh prej 720 milionë euro, më i madhi i marrë në historinë e vendit?! Si njeri i fikur që je s’mund të ndezësh shpresë as te vetja jote”, tha Berisha.

Nuk është hera e parë që Kuvendi i Shqipërisë miraton huamarrje ndërkombëtare, me propozim të qeverisë ‘Rama’. Me propozim të qeverisë, në vitin 2015, Kuvendi miratoi një borxh me vlerë 300 milionë euro, me një normë interesi 7.5%. Në votimin për borxhin, Sali Berisha, siç edhe konfirmon ky procesverbal votimi në 2 korrik 2015, ka abstenuar. Berisha ka mbajtur të njëjtin qëndrim që po mban Lulzim Basha sot. Madje, gjatë asaj seance, Sali Berisha, nuk ka thënë qoftë edhe një fjalë për borxhin.

Në vitin 2018, Kuvendi i Shqipërisë, miratoi një tjetër borxh me vlerë 450 milionë euro dhe me një normë interesi 5.75%. Siç edhe konfirmon ky procesverbal votimi i datës 20 shtator 2018, Sali Berisha nuk ka marrë pjesë në votim, një veprim ky i barazvlefshëm me abstenimin.

Sali Berisha ka abstenuar për një borxh në total me vlerë 750 milionë euro, ndërsa sot akuzon Lulzim Bashën për abstenimin për eurobondin. Akuzat për një veprim që e ka përsëritur vetë dy herë në 2015 dhe 2015, shtojnë dyshime të forta se ‘foltorja’ është një lëvizje që reflekton interesat e Familjes Berisha, përpjekjet për të marrë me çdo kusht PD-në për ta kthyer në mburojë nga veprimi i drejtësisë si dhe manovër për të përballuar pasojat e goditjes nga SHBA. (Shqiptarja.com)

Eunews.al

Comments are closed.