×
Wednesday, December 11, 2024

Pse Dragonjtë janë të rëndësishëm në kulturën kineze

January 31, 2020


Dragoi është në qendër të Vitit të Ri Kinez, Panaireve të rrugës në Chinatown, dhe çdo feste të madhe që ka të bëjë me kulturën kineze. Por dragoi kinez është më tepër sesa thjesht një simbol me fat.

Ai është qëndisur në strukturën reale dhe metaforike të historisë kineze. Dhe nuk është thjesht një nuskë kombëtare, por është një qenie hyjnore. Ja pse dragoi është kaq i rëndësishëm në Kinë.

Gjaku i dragoit

Çdo qytetërim në Tokë ka një histori krijimi. Legjenda e krijimit për popullin kinez është ajo në të cilën dragoi luan një rol kryesor. Ekzistojnë shumë interpretime të ndryshme të historisë kineze të krijimit, por sipas legjendës, një dragua (ndër qeniet e tjera qiellore) thuhet se ka ndihmuar Pan Gu, krijuesin e të gjitha gjërave, në fazat e hershme të krijimit së botës. Në një variant tjetër mbi temën e krijimit, një perëndeshë e quajtur Nu Gua, e cila kishte trupin e një gruaje dhe bishtin e një dragoi (ose një gjarpëri, sipas legjendave të hershme), formoi njerëzit e parë nga balta dhe u bë e njohur si një nga qeniet më hyjnore.

Dragoi është gjithashtu një pjesë qendrore e historisë fisnore të Kinës. Thuhet se kur “Perandori i Verdhë” Huang Di mundi një fis tjetër, ai përfshiu totemin e kafshëve të këtij fisi në stemën e tij, që ishte një gjarpër. Trupi i gjarprit u përzie me gjymtyrët dhe tiparet e kafshëve të tjera (d.m.th., kafshët e tjera të zodiakut kinez), duke krijuar një dragua. Pra, dragoi simbolizon gjithashtu një Kinë të bashkuar.

Perandori kinez

Ndërsa i gjithë populli kinez thuhet se është pasardhës i dragoit, perandori është menduar prej kohësh si një mishërim njerëzor i dragoit. Historikisht, perandori kinez ka qenë i vetmi person me të drejtën hyjnore për të veshur rrobat e dragoit – rroba të verdha, blu, të kuqe dhe bojëqiell me nëntë modele dragoi, për raste të veçanta dhe ditë festash. Dragoi konsiderohet kafsha më hyjnore, dhe si rezultat, vetëm perandori lejohet të veshë rrobat e hyjnisë.

Nëntë dragonjtë

Nuk është vetëm një dragua që ka rëndësi në Kinë. Në fakt, ka nëntë fëmijë dragua që mund të gjenden në të gjithë artin dhe arkitekturën kineze: Bixi, Quiniu, Yazi, Chaofeng, Pulao, Chiwen, Biatër, Suanni, dhe Fuxi. Në librin “Një Manual Gjithëpërfshirës mbi Simbolizmin në Artin Kinez në Mesjetë”, C.A.S. Uilliams vëren që, secili prej nëntë dragonjve përfaqëson karakteristika dhe vlera të ndryshme. Për shembull, një dragua është përfaqësues i ujit, ndërsa një tjetër përfaqëson muzikën. Përdorimi i një dragoi të veçantë në arkitekturën kineze, tregon llojin e energjisë ose qëllimin e një vendi të caktuar.

Trupi i dragoit kinez

Dragoi kinez është një krijesë e egër dhe e mrekullueshme në pamje. Por nuk është ai që përfytyrojnë perëndimorët, kur mendojnë për një dragua. Dragoi kinez përbëhet nga pjesë të trupit të kafshëve të ndryshme, si “barku i bretkosës, luspat e krapit, kthetrat e skifterit dhe putrat e tigrit”, për të përmendur disa. Dragoi Bixi është më shumë në formë breshke, për shembull, ndërsa Dragoi Suanni është më shumë në formë luani.

Ngjyrat e dragoit kinez

Dragonjtë përshkruhen me ngjyra të ndryshme për qëllime të ndryshme simbolike. Dragoi i verdhë, për shembull, është një simbol i fisnikërisë, ndërsa dragoi i kuq zakonisht shihet si një simbol i fatit dhe begatisë.

Arti i Dragoit në Kinë

Përdorimi i dragonjve në artin kinez është i vjetër sa vetë qytetërimi kinez. Pamjet e kësaj krijese mund të gjenden pothuajse në çdo medium, nga skulptura deri tek pikturat. Dragonjtë mund të përfaqësojnë një mori gjërash, varësisht nga mënyra se si pikturohen. Në revistën Buletini i Muzeut të Artit në Cleveland, J. Keith Uilson shpjegon se dragoi që ngrihet fluturim shpesh përfaqëson “fuqinë mashkullore”.

Zodiaku kinez

Dragoi është gjithashtu anëtari i pestë i Zodiakut Kinez. Njerëzit e lindur në vitin e dragoit thuhet se zotërojnë cilësi të dragoit, përfshirë inteligjencën, krenarinë dhe ambicien. Të metat e mundshme të kësaj shenje të zodiakut kinez përfshijnë arrogancën dhe impulsivitetin. Vitet e dragoit gjatë shekullit të kaluar ishin 1916, 1928, 1940, 1952, 1964, 1976, 1988, 2000 dhe 2012, dhe tjetri do të jetë në 2024.

Një krijesë e drejtë

Në kulturën perëndimore, dragonjtë shikohen historikisht si krijesa të tmerrshme. Për shembull, në poezinë epike të Anglisë së Vjetër, Beoëulf, dragonjtë janë qenie të pangopura, që ruajnë thesarin. Në kulturën kineze, megjithatë, dragonjtë nuk konsiderohen kurrë armiq, sipas Enciklopedisë Bota e Re. Përkundrazi, ata adhurohen si hyjnorë dhe të drejtë. Dragoi kinez gjithashtu zotëron shumë karakteristika të respektueshme. Përveç fatit dhe fisnikërisë, dragoi shihet si një qenie e fuqishme që ofron mençuri dhe mbrojtje për njerëzit e vet.

Feng Shui i Dragoit

Dragonjtë janë figura të mrekullueshme për t’i pasur në shtëpi. Ata besohet se sjellin fat të mirë dhe mbrojtje. Sidoqoftë, mënyra se si vendoset dragoi ndikon në energjinë në shtëpinë tuaj. Feng shui dikton që figurinat e dragoit duhet të vendosen gjithmonë pas jush, në një zyrë për t’ju mbështetur. Nëse vendoset para jush, do të jeni në kundërshtim me dragoin (gjë jo e mirë). Vendosja e një totemi të dragoit pranë një burimi uji mendohet se sjell pasuri dhe fat.

Viti i Ri Kinez dhe festimet e tjera

Vallja e Dragoit ndodh në çdo festë të Vitit të Ri Kinez. Duhen një numër njerëzish të talentuar për ta bërë figurën e madhe të dragoit të lëvizë dhe të kërcejnë me rrjedhshmëri. Dragoi i kuq është simboli më i fortë për fatin e mirë dhe begatinë në Kinë, kjo është arsyeja pse është përdorur për të na dhënë një lajm të mirë për vitin e ri.

Por dragonjtë nuk janë thjesht të rezervuar për festimet në vitin e ri. Ata janë të pranishëm në pothuajse çdo lloj feste, duke përfshirë Festivalin tradicional vjetor të Varkës së Dragoit, i cili festohet për të përkujtuar poetin e mërguar Qu Yuan, i cili kundërshtoi shtetin e Qin gjatë periudhës së luftës mes shteteve. Ndodh në ditën e pestë të muajit të pestë të kalendarit hënor kinez. Gara e varkave të dragoit është një ngjarje e shumëpritur çdo vit dhe zhvillohet nëpër rrugët ujore të të gjithë vendit.

Eunews.al

1 1 vote
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments