PS ka fituar bindshëm në Elbasan/ Mandati i 9 ndahet me shumë pak vota




Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla deklaroi sot se “PS ka fituar bindshëm në qarkun e Elbasanit me një rezultat shumë të lartë, me mbi 55% të votave dhe me një pjesëmarrje shumë të lartë në zgjedhje”.
Në një lidhje direkte me një studio televizive, Balla tha se “populli i Elbasanit na ka dhënë 9 mandate, tani të gjitha palët duhet të njohin rezultatin e zgjedhjeve”.
Sipas tij, “mandati i 9 ndahet me shumë pak vota”.
“PS dhe Edi Rama kanë fituar bindshëm zgjedhjet e 25 prillit. Tani t’i kthehemi punës se na presin shumë punë të tjera. Kuvendi aktual do të duhet të rifilloj punën, ndërsa Kuvendi i dalë nga këto zgjedhje do të mblidhet në 9 shtator”, shtoi ai.
Balla tha se “stafi do të merret me gjithë administrimin dhe dokumentacionin kur bëhet fjalë për diferencën e herësit të ndarjes së mandateve që është shumë pak, luan tek 40 vota maksimumi në favor të njërës apo tjetrës palë.
“Pasi të hidhen të gjitha të dhënat pastaj do të bëhet formula e shpërndarjes së mandateve. Ne kemi marrë mandatin e 9 me votat që kemi marrë, plus-minus 1 votë është çështje që do ta vlerësojmë edhe me ato procedurat e nevojshme”, tha Balla.
Ai tha se “ky proces ka pasur një numër shumë të madh fletëvotimi të pavlefshme. “Këtu në Elbasan me mijëra qytetarë që kanë dashur të votojnë për mua kanë vendosur 12 poshtë dhe 8 sipër, që e ka bërë fletën e votimit të pavlefshme”, tha ai.
Balla tha se “të gjithë ne kemi përgjegjësinë e një procesi zgjedhor ku qytetarët nuk ishin të përgatitur si duhet për ta shprehur vullnetin si duhet”.
Eunews.al
