×
Sunday, September 8, 2024

Protestat kundër masave shtërnguese në Serbi, plagosen 20 persona

July 8, 2020


Trembëdhjetë policë dhe shtatë civilë u plagosën gjatë trazirave të së martës mbrëma në Beograd, për shkak të paralajmërimeve për orë policore.

Nga raportimet mësohet se të gjithë të plagosurit u transportuan në Akademinë Mjekësore Ushtarake.

Protestuesit, mbi 1,000 sish, u mblodhën në qendër të Beogradit, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi rikthimin e orës policore në fundjavë, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.

Përleshjet shpërthyen pasi një grup protestuesish u përpoq të hyjë në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë, duke bërë që policia të hidhte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Vuçiç tha të martën se, nisur nga sot, tubimet do të kufizohen në pesë njerëz dhe se do të kërkojë nga grupi punues i qeverisë kundër koronavirusit që të shpallë orë policore në fundjavë.

Të martën, autoritetet shëndetësore në Serbi thanë se kanë regjistruar 13 viktima nga koronavirusi në 24-orëshin paraprak dhe 299 raste të reja.

“Duhet t’i mbrojmë qytetarët, kështu që nuk më interesojnë reagimet politike dhe protestat”, tha Vuçiç.

Në total, Serbia ka regjisrtuar mbi 16,000 raste me koronavirus dhe 330 viktima.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments