×
Friday, March 24, 2023

Protestat e dhunshme në Kapitol/ Nis procedura për shkarkimin e Trump

January 13, 2021




Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur seancën për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump për rolin e tij ndaj sulmit në Kongres nga një turmë e mbështetësve të tij, ndërkohë që ndasitë në mesin e partisë republikane thellohen rreth krizës politike.

Seanca e 13 janarit është iniciuar nga demokratët, që kanë shumicë në këtë trup.

Artikulli për shkarkim të Trumpit – që akuzon këtë të fundit për nxitje të kryengritjes – duket se ka mbështetjen e disa republikanëve, vetëm disa javë para se presidenti amerikan të largohet nga detyra.

Shumica e votave për shkarkim të Trumpit, do të rezultonte me gjykim në Senatin e kontrolluar nga republikanët, ndonëse nuk është e qartë nëse një gjykim i tillë do të mund të realizohet derisa të skadojë mandati i Trumpit.

Ndërkohë që ligjvënësit diskutojnë për këtë çështje, Garda Kombëtare dhe zyrtarë policorë kanë rrethuar ndërtesën e Kongresit për të ofruar mbrojtje.

Trupat e Gardës Kombëtare pushojnë në Kongres

Në sulmin e 6 janarit, kanë mbetur të vdekur pesë persona, përfshirë në zyrtar policor.

“Ne jemi duke debatuar për një masë historike në një skenë aktuale krimi, dhe nuk do të arrinim deri këtu nëse nuk do të ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara”, ka thënë kongresisti demokrat, Jim McGovern.

Ai ka akuzuar Trumpin për “rritje të zemërimit të turmës së dhunshme” dhe ka thënë se “është mrekulli që nuk kanë vdekur më shumë persona”.

“Nuk do ta harroj kurrë çfarë kam parë kur kam shikuar në sytë e atyre sulmuesve në këto hapësira. Kam parë djallëzi”.

Pelosi: Kjo gjë duhet të na thyejë zemrat të gjithëve

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi ka thënë se procedura e shkarkimit të Trumpit nuk është e motivuar në bazë partiake.

“Presidenti duhet të dënohet nga Senati, i cili do të sigurojë se republika do të jetë e sigurt nga ky njeri, i cili është kaq i vendosur për të shkatërruar gjërat që i duam dhe na mbajnë bashkë”, ka thënë ajo.

Pelosi ka thënë se i thyhet zemra që është pjesë e një tjetër procedure shkarkimi.

“Ma thyen zemrën. Kjo gjë duhet të na thyejë zemrat të gjithëve”.

“Unë qëndroj përpara jush si zyrtare e kushtetutës, si grua, si nënë, si gjyshe, si vajzë – vajzë, babai i së cilës ka shërbyer me krenari në këtë Kongres”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ajo u ka bërë thirrje ligjvënësve për vëmendje.

“Amerikanët e mi të dashur, nuk mund t’i ikim historisë. Le ta përmbushim detyrën tonë dhe të nderojmë besimin e këtij kombi”.

Drejtuesi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, i cili thotë se ai është kundër procesit të shkarkimit, thuhet se do të lejojë anëtarët republikanë të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre, ndërsa partia përpiqet të gjejë drejtimin e saj.

Procesi i shkarkimit pritet të tërheqë mbështetjen e disa republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve, duke përfshirë kongresisten, Liz Cheney.

Në një deklaratë më 12 janar, kongresistja tha se Trumpi “thirri turmës, e mblodhi atë dhe ndezi flakën e këtij sulmi”. Ajo sugjeroi që Trump mund të kishte ndërhyrë për të ndaluar mbështetësit e tij, por ai nuk e bëri.

“Asnjëherë nuk ka pasur një tradhti më të madhe nga një president i Shteteve të Bashkuara ndaj zyrës së tij dhe betimit për Kushtetutën”, tha Cheney.

Në një zhvillim që do të ndryshonte në mënyrë dramatike rezultatin, The New York Times raportoi se udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell u tha bashkëpunëtorëve se ai beson se Trump bëri një shkelje dhe se ai mbështet lëvizjen e demokratëve.

McConnell beson se përpjekja e shkarkimit do ta bëjë më të lehtë spastrimin e presidentit nga partia, tha Times.

Më herët më 12 janar, Trump mohoi çdo përgjegjësi për dhunën e javës së kaluar dhe i quajti përpjekjet për ta shkarkuar atë një “vazhdim i gjuetisë së shtrigave”.

Ai tha se përpjekjet për ta hequr atë nga posti ishin “duke shkaktuar një rrezik të jashtëzakonshëm për vendin dhe po shkaktojnë zemërim të jashtëzakonshëm”.

Ai u tha gazetarëve se “unë nuk dua asnjë dhunë.”

Gjatë një vizite në kufirin SHBA-Meksikë, Trump tha se “tani është koha që kombi ynë të shërohet dhe është koha për paqe dhe për qetësi”.

Pak përpara trazirave të 6 janarit në Kongres, Trump mbajti një fjalim të zjarrtë duke u bërë thirrje mbështetësve të marshonin në drejtim të ndërtesës.

Fjalimi u zhvillua derisa një sesion i përbashkët i Kongresit do të mblidhej për të numëruar dhe certifikuar zyrtarisht votat e Kolegjit Zgjedhor që do të konfirmonin humbjen e tij ndaj presidentit të zgjedhur, Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka paralajmëruar për “protesta të armatosura” përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar.

Trump, i cili thotë se nuk do të marrë pjesë në inaugurim, ende kundërshton rezultatin e zgjedhjeve. Mes shqetësimeve për dhunë të mundshme në ditën e inaugurimit, në një lëvizje të pazakontë, udhëheqësit e lartë të ushtrisë lëshuan një qarkore për të gjithë anëtarët e shërbimit, duke e quajtur trazirën në Kongres një veprim anti-demokratik, kriminal dhe se e drejta për fjalën e lirë askujt nuk i jep të drejtë kryej dhune. Memorandumi gjithashtu u kujtoi anëtarëve ushtarakë që Joe Biden u zgjodh president i ardhshëm në mënyrë të rregullt.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments