Propozimi i Italisë: Kapitujt për negociatat me BE të hapen të gjithë njëkohësisht
Franca nuk do të thotë fjalën e fundit për negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi disa vende anëtare, me në krye Italinë dhe Austrinë, janë kundërpërgjigjur me një propozim të ri. Pas propozimit të presidentit Emmanuel Macron për reformimin e metodologjisë së zgjerimit të BE-së, nëntë shtete anëtare të BE-së kanë hartuar propozimin e tyre për vazhdimin e negociatave. Italia, Austria, Republika Çeke, Estonia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia dhe Sllovenia kanë hartuar një draft të quajtur “Elementet për procesin e zgjerimit dhe integrimin e qëndrueshëm dhe të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor”. Në këtë propozim, nëntë vendet anëtare të BE-së kërkojnë pikë së pari se reformimi i procesit të zgjerimit nuk duhet të ndikojë në hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të cilave sipas tyre duhet tu jepet drita jeshile deri në mars të vitit 2020.
Sipas këtij dokumentit, kapitujt e bisedimeve do të grupoheshin në fusha kryesore, për shembull në bazë të nën-komiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, “Konferencat ndërrajonale do të marrin një rëndësi shumë më të madhe politike”, thuhet në dokument. Dallimi kryesor nga propozimin francez, i cili thotë se procesi i negociatave do të ndahet në shtatë faza, është se grupet e kapitujve, sipas propozimit të ri, do të hapeshin paralelisht dhe jo njëra pas tjetrës. Stimujt e rinj për të përshpejtuar anëtarësimin, sipas dokumenteve, përfshijnë takime vjetore të Këshillit Europian me drejtuesit e Ballkanit Perëndimor, rritjen e pjesëmarrjes së përfaqësuesve nga Ballkani Perëndimor në mbledhjet selektive të Këshillit të BE-së, si dhe Komitetet e Këshillit dhe grupet e punës të Komisionit. Sipas propozimit të këtyre nënte vendeve, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor duhet të diskutohet edhe në Konferencën për të Ardhmen e Evropës, e cila ka planifikuar hapat që do të merren në vitetet 2020-2022.
Dokumenti gjithashtu propozon gjithashtu që të mbahen konferenca me pjesëmarrjen e liderëve europianë në të gjithë rajonin për të promovuar dialogun. Parlamenti Europian, parlamentet e vendeve dhe shoqëria civile do të përfshiheshin të gjitha në këtë iniciativë. Propozimet e mëtejshme i japin përparësi kapitujve 23 dhe 24 mbi sundimin e ligjit. Dokumenti propozon që duhet të ketë më shumë përparësi dhe afate të qarta se kur do duhet të nisë apo përfundojë një reformë e caktuar dhe që BE duhet të ofrojë më shumë mbështetje në zbatimin e tyre. Sa i përket stimujve financiarë, propozimi i Austrisë, Italisë dhe shtatë vendeve të tjera thekson se ato duhet të jenë efektive dhe të mirëpërcaktuara.
Ky propozim përfshin integrimin graduale të vendeve të Ballkanin në Tregun e vetëm të BE-së dhe dhënien e më shumë fondeve në Ballkanin Perëndimor. “Fillimi i ciklit të ri legjislativ të BE-së ofron një mundësi për një shtysë të reformuar procesin e integrimit të BE-së të Ballkanit Perëndimor “, thonë shtetet anëtare. “Anëtarësimi i plotë i rajoneve në BE mbetet qëllimi përfundimtar i procesit, dhe dyert e BE mbesin të hapura” vijon dokumenti. Por nga ndryshon propozimi i ri nga Italia, Austria, Republika Çeke, Estonia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia dhe Sllovenia, nga drafti që ka paraqitur Franca? Sipas propozimit të Parisit, negociatat nuk do të ndaheshin më në 35 kapituj të bisedimeve, por në faza, bazuar në fusha specifike. Pas zbatimit të suksesshëm të reformave në një fazë të caktuar, vendi kandidat do të bëhej anëtar i BE-së në atë fushë dhe do të kishte në dispozicion fondet e përdorura nga të gjitha shtetet e tjera anëtare. Pa një mbyllje të suksesshme të kësaj faze, nuk është e mundur të përparosh në fusha të tjera. Gjithashtu, nëse shteti nuk i përmbush angazhimet e tij në ndonjë fazë, ai do të duhet të nisë edhe njëherë nga fillimi implementim e saj. Propozimi i Francës përmbledh në fakt disa nga idetë kryesore që mund të jenë dëgjuar kohët e fundit në komunitetin e ekspertëve. Por nëse do ta analizonim me kujdes, duket se pjesa më problematike e këtij dokumenti është kushti që integrimi de “facto” do të vijë vetëm pasi BE të jetë reformuar.
Duke qenë se askush nuk mund të parashikojë se kur do të ndodhë kjo, vendet e rajonit mund të gjenden përballë një skenari kur i kanë plotësuar “kushtet e rrepta” dhe mos të pranohen në BE, duke pritur këtë të fundit të vetëreformohet. “Ajo që bie në sy është fakti që sundimi i ligjit është në fazën e parë. Kjo do të thotë që, pa sundimin e ligjit, lirinë e medieve dhe ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, nuk do të jetë e mundur që vendet e Ballkanit të bëjnë ndonjë përparim në ndonjë fushë tjetër”, thotë analisti Srđan Cvijić. “Kjo qasje është plotësisht e kundërt me atë ekzistuese, pasi kapitujt 23 dhe 24 të sundimit të ligjit hapen në fillim të negociatave të pranimit dhe mbyllen në fund, pikërisht sepse ato janë më komplekse dhe më të vështirat, sidomos kur bëhet fjalë për rajone që nuk kanë një traditë të fortë demokratike.
Lind dyshimi se prapa zemërgjerësisë së Francës për të dhënë fonde për vendet që janë duke negociuar, qëllimi i vërtetë është që vendet e rajonit, duke pasur parasysh performancën e tyre të dobët në fushën e sundimit të ligjit, do të qëndrojnë të bllokuara për shumë vite vetëm në fazë fillestare”, thotë analisti serb në Institutin e Politikave Europiane në Bruksel. Po ashtu, qasja e re e propozuar nga Franca dobëson pozicionin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që tashmë po negociojnë anëtarësimin, si Serbia dhe Mali i Zi, sepse kalimi nga faza në fazë kërkon kohë.