×
Wednesday, January 14, 2026

Programi “EU4Culture”/ Do ndërhyhet në 50 monumente kulture

September 29, 2020


Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjes “EU4Culture” është një përgjigje e menjëhershme dhe me një vizion afatgjatë për rindërtimin e monumenteve. Por, u shpreh ajo, marrëveshja është e rëndësishme edhe për faktin që është një shifër e cila ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë dhe është e paprecedent në mbështetjen e Delegacionit të BE në monumentet e kulturës, ose dhe në projekte të tjera të mëparshme me donatorët.

“Ministria e Kulturës ka punuar që në ditët e para pas tërmetit për hartimin e këtyre paketave të gjera për rimëkëmbjen, ashtu siç kemi bërë me të gjithë hartimin e projekteve për lagjet e reja. Pra, me një vizion përtej rimëkëmbjes së thjeshtë të plagës së banesës. Të njëjtën gjë kemi bërë për shkollat, të cilat nuk do të akomodojnë vetëm hapësirat e nevojshme për numrin e nxënësve, por do të jenë qendra komunitare. Në të njëjtën gjuhë ecim dhe për monumentet. Jo vetëm restaurimin, riqepjen e atyre elementeve tashmë të dëmtuar, por komplet një filozofi të re që ka të bëjë me shërbime të shtuara, me shërbime teknologjike, me qasje ndaj komunitetit, me rishikimin e të gjitha linjave muzeale, me të gjithë pjesën e restaurimit deri të librat dhe të aseteve të ndryshme brenda muzeve ose institucioneve të ndryshme. Ne kemi qenë shtylla bazë për hartimin e të gjithë këtyre projekteve”, u shpreh Margariti.

Margariti tha se do të jenë rreth 50 monumente ku do të ndërhyhet.

“Kemi një numër që janë rreth 50 monumente si të entiteteve të vogla, të përmbledhura, ashtu dhe të mëdha. Kalojmë nga kalatë, në banesa, në muzetë, në institucione të rëndësishme. Por me rëndësi për ne është një fazim i ndërhyrjeve, sepse ky do të jetë një program i gjatë që mund të zgjasë 3-4 vjet. Për ne janë të rëndësishme prekjet e para, ato elementë të cilët do të fillojnë të japin modelin e suksesshëm të rijetësimit”, u shpreh Margariti.

Programi “EU4Culture”, prej 40 milionë eurosh, synon të ndreqë pasojat e tërmetit përmes rindërtimit, riaftësimit dhe fuqizimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare të dëmtuara nga tërmeti. Ai synon të arrijë rigjallërimin e tyre, duke kontribuar në rimëkëmbjen socio-ekonomike të Shqipërisë nëpërmjet përmirësimit të potencialit të Shqipërisë për turizmin.

E pyetur për menaxhimin e Butrintit, Margariti theksoi se, “kur flasim për menaxhimin e Butrintit nuk flasim thjesht për menaxhimin e bërthamës arkeologjike”.

“Ne deri tani kemi miratuar planin e menaxhimit të parkut të madh të Butrintit, një plan menaxhimi i integruar, jo vetëm për zonën arkeologjike, por të të gjitha zonave brenda këtij parku të madh. Dhe ky plan menaxhimi pas të gjithë rekomandimeve dhe dëgjesave nga vetë UNESCO, sepse flasim për pasuri botërore të mbrojtur nga UNESCO, ka kaluar për miratim në Këshillin e Ministrave. Ky plan menaxhimi vendos disa linja guidë, të cilat duhet të kthehen më pas në plane të detajuara për secilën nga ministritë që kanë në fushën e tyre të kompetencës hapësira që i monitorojnë brenda këtij parku”, u shpreh Margariti.

“Ligji i Trashëgimisë Kulturore i jep të drejtën Ministrisë së Kulturës që të rishikojë mënyra të reja menaxhimi dhe një prej tyre është krijimi i fondacioneve të posaçme me partnerë strategjikë. Aktualisht Ministria e Kulturës e ka kaluar fazën e përcaktimit të një partneri strategjik dhe kjo kalon në disa Këshilla”, tha ajo.

Ministrja Margariti sqaroi edhe debatin për TKOB.

Margariti theksoi se “në momentin e një analize katërvjeçare të performancës së TKOB, në një sërë shifrash, ndoshta ishte analizë tejet e gjatë ajo që desha të ndaja me artistët, është që shifrat në të vërtetë flisnin saktë që teatri ka potencialin dhe mundësinë që të dalë nga varësia totale. Që do të thotë të mos presë tërë kohën që buxheti të vijë vetëm nga shteti. Pra në momentin që dhe TKOB arrin të gjenerojë më shumë të ardhura nga biletat e tij, s’ka sepse t’i riderdhë në arkën e madhe. Pra, modeli i Butrintit që folëm pak më parë. Të fillojë të ketë mundësi të ketë një arkë të vetën të cilën ta mirëmenaxhojë, kuptohet për të ngritur standardet e të gjithë elementeve të skenografisë, ose standardet e pjesëmarrjes në trupa të shtuara, gjatë performancave. Të ketë mundësi të ketë një buxhet të dedikuar për të bërë ato shfaqje në ato standarde që teatrit i ka hije”.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments