Presidenti slloven Pahor: Nga “Ballkani i Hapur” do përfitonin të gjithë
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor i cilëson si tejet të rëndësishme iniciativat për bashkëpunim ballkanik.
Në një intervistë në medie, në fund të mandatit të tij si kryetari i shtetit slloven, Pahor ka deklaruar se njëjtë, si disa nisma të tjera për Ballkanin, ai mbështet edhe atë që filloi si mini-schengen dhe përfundoi në “Open Balkan”.
“Unë mbështes fuqishëm të gjitha iniciativat që i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon. Mbështes Procesin e Berlinit, Procesin e Bashkëpunimit të Shteteve të Evropës Juglindore (SEECP), Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit (RCC), por gjithashtu mbështes “Ballkanin e Hapur””, deklaron Pahor.
Për më tepër, thotë ai, “iniciativa e “Ballkanit të Hapur” ka potencialin për të rritur bashkëpunimin ekonomik mes shteteve në një nivel krejt të ri, ku do të përfitonin të gjithë”.
Presidenti slloven është i bindur se “Ballkani i Hapur”, iniciativa ku Kosova vazhdon ta refuzojë pjesëmarrjen, “do të kontribuonte te secili shtet individualisht që të përgatitet më mirë për Bashkimin Evropian”.
“Gjithsesi, dhe për këtë dua të jem shumë i qartë, iniciativa e “Ballkanit të Hapur” nuk është alternativë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Asnjë bashkëpunim rajonal nuk është alternativë për anëtarësim në BE”.
Si një politikan i angazhuar për raporte të shëndosha në Ballkan, Pahor thotë se ai vetë, do të dëshironte të shihte “më shumë bashkëpunim në rajon, fqinjësi të mirë, reforma më të shpejta dhe më shumë përpjekje për pajtim”.
“12 vjet më parë, kam iniciuar Procesin e Brdo-Brijuni-it, një platformë për liderët e rajonit që të diskutojnë hapur çështje të ndryshme që i preokupojnë. Do të doja t’ua kujtoja se Procesi i Brdo-Brijuni-it ishte forumi i parë ndërkombëtar ku Prishtina dhe Beogradi përfaqësoheshin në nivelin më të lartë, dhe uleshin në të njëjtën tavolinë. Procesi i Berlinit u zhvillua mbi bazën e asaj eksperience”.
Për Pahor, më shumë BE në Ballkan, nënkupton më pak Federatë Ruse. Sipas tij, përgjigjja kundër influencës ruse në Ballkan, është integrimi sa më i shpejtë i këtij rajoni në strukturat e Bashkimit Evropian.
“Ka një shqetësim se lufta në Ukrainë mund të rrëshqas në Ballkanin Perëndimor. Rajoni ka përjetuar luftën jo shumë kohë më parë, dhe situata e sigurisë në shumë vende të Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë fragjile. Prandaj unë argumentoj për një zgjerim më të shpejtë të BE-së. Sa më shumë që BE do jetë prezentë në Ballkanin Perëndimor, aq më pak hapësirë për Federatën Ruse. Siç e them shpesh, BE-ja është përgjigja për të gjitha pyetjet në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai