Presidenti Biden zbut rregullat, në përpjekje për të ulur çmimin e karburantit
MENLO, Ajova – Ndërsa inflacioni ka arritur nivelin më të lartë prej 40 vitesh, Presidenti Joe Biden udhëtoi të martën drejt shtetit amerikan që njihet për prodhimin e misrit, Ajova, për të njoftuar një hap modest që synon uljen e çmimit të karburantit, duke hequr një rregull që përcakton kufizime për nivelin e përzierjes së etanolit.
Veprimi i tij reflekton mënyrat në të cilat po vepron Presidenti Biden për të përdorur çdo mjet të mundshëm në dispozicion për të lehtësuar presionin e krijuar nga rritja e çmimeve, megjithëse duket se efekti do të jetë i vogël dhe i pasigurtë. Inflacioni vetëm është përshpejtuar gjatë muajve të fundit, në vend që të zbehej siç pati premtuar më parë Presidenti Biden, pas rimëkëmbjes nga reçensioni i shkaktuar nga koronavirusi nga paketa financiare e ndihmës prej 1.9 trilionë dollarësh.
Një raport i qeverisë i publikuar të martën tregon se çmimi i mallrave të konsumit u rrit me 8.5% krahasuar me marsin e një viti më parë – shifra më e lartë kjo që nga dhjetori 1981. Kjo vetëm e thellon sfidën politike për Presidentin Biden dhe kandidatët demokratë ndërsa po afrohen zgjedhjet e mesmandatit. Mbi gjysma e rritjes vjen nga çmimi i rritur i karburantit, i cili u rrit pjesërisht për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë. Megjithatë, kostot u rritën edhe për strehimin, ushqimet dhe mallra të tjera.
Presidenti Biden e quajti inflacionin “rritja e çmimeve e Putinit”.
“Buxheti i familjes suaj, mundësia për të mbushur serbatorin, asnjë prej këtyre nuk duhet të varet nga nëse një diktator shpall luftë dhe bën gjenocid gjysmë bote larg”, tha presidenti amerikan, duke iu referuar Presidentit rus Vladimir Putin.
Por, gjatë fjalimit të tij në fabrikën e bio-karburanteve POET, në Menlo, Presidenti Biden pranoi se heqja e rregullave për përzierjen e etanolit është një hap i vogël.
“Po bëj gjithçka brenda autoritetit tim nëpërmjet urdhërave ekzekutivë për të ulur çmimet”, tha ai. “Nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet tona, por do t’i ndihmojë disa njerëz”.
Pjesa më e madhe e benzinës të shitur në Shtetet e Bashkuara përzihet me 10% etanol, një bio-karburant që është momentalisht më i lirë. Presidenti Biden tha se Agjensia për Mbrojtjen Mjedisore do të njoftojë një masë emergjence për të lejuar përzierjen me 15% etanol, praktikë e cila normalisht ndalohet gjatë periudhës së vitit nga 1 qershori deri në 15 shtator, për shkak se shton smogun në temperatura të larta./VOA
Eunews.al