×
Wednesday, December 11, 2024

Presidenca sllovene e BE/ Pak mundësi për sukses në Ballkanin Perëndimor

July 1, 2021


Sot (1 korrik) Sllovenia ka marrë kryesimin e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian që në gjysmën e parë të vitit e ka pasur Portugalia.

Mes prioriteteve, Sllovenia ka veçuar edhe avancimin e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane.

Për këtë qëllim, Sllovenia, ka caktuar edhe zhvillimin një samitit të veçantë të BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Në Bruksel diplomatët presin që Sllovenia të bëj përpjekje serioze në këtë drejtim, por tërheqin vërejtjen se nuk varet gjithçka nga puna e kryesuesit të radhës, pasi për marrjen e vendimeve duhet pajtimi edhe i vendeve tjera të BE-së.

Si sukses i presidencës sllovene në raport me Ballkanin Perëndimor do të konsiderohej sikur deri në fund të vitit të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe që Kosovës t’i ofrohet liberalizimi i vizave.

Në shikim të parë këto çështje nuk duken aq të vështira pasi Komisioni Evropian ka përsëritur se të trija këto shtete i kanë përmbushur të gjitha kushtet. Por, në rastin e nisjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pengesat janë paraqitur pikërisht në Këshill.

Bullgaria vazhdon të bllokoj miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe disa shtete tjera për këtë arsye nuk duan që Shqipëria të ndahet nga paketa dhe të nisen negociatat vetëm me Tiranën. Pasi në Bulgari së shpejti zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme do të pritet që pas këtyre zgjedhjeve të punohet në arritjen e konsensusit në Këshillin e BE-së dhe Sllovenia ka paralajmëruar se do të punoj në këtë drejtim.

Sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën edhe këtu Komisioni Evropian ka përsëritur qëndrimin që nga viti 2018 se janë përmbushur të gjitha kushtet. Këtë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian por çështja ka ngecur në Këshillin e BE-së. Disa shtetet anëtare, e më së shumti përmendet Franca, nuk mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, prandaj edhe kjo çështje vazhdon të mbetet e bllokuar.

Përpjekjet e Gjermanisë, vitin e kaluar, dhe të Portugalisë në pjesën e parë të këtij viti nuk kishin rezultuar me sukses as në rastin e nisjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e as rreth liberalizimit të vizave me Kosovën. Nëse Sllovenia nuk do të arrin të siguroj vendimet për këto tema atëherë gjithçka do të bartet për vitin që vjen kur kryesimin e radhës do ta ketë Franca.

Eunews.al




Comments are closed.