×
Sunday, September 19, 2021

Posta Shqiptare, ky aset kombëtar nga njerëzit për njerëzit

July 24, 2021

Revolucioni teknologjik vijon të ndikojë në zhvillimet e tregjeve globale dhe lokale.

Reflektimi që jep në vizionet dhe strategjitë e koorporatave të mëdha, bën që tregu të jetë gjithmonë e më i larmishëm dhe sfidues ndaj së ardhmes.
 
Krahas kësaj, duhet thënë se nga ana tjetër edhe pandemia shtoi akoma më shumë presionin në përshpejtimin e proceseve novatore, duke e bërë sfidën teknologjike edhe më të madhe.

Këto efekte padyshim që i ka ndjerë edhe kompania më e madhe shqiptare e shërbimeve postare dhe financiare.

T’i bësh ballë kësaj sfide do të thotë që të jesh gjithnjë një hap para saj, andaj edhe është lipsur nevoja për të kristalizuar çdo shërbim që ofrohet për qytetarin.

Edhe pse Posta Shqiptare mbetet operatori më i madh dhe i vjetër në treg, me afro 100 shërbime postare, sërish lufta për t’u përmirësuar duhet të vijojë me të njëjtin ritëm çdo ditë.


Andaj edhe është sfidë e vazhdueshme me vetëveten dhe tregun të qenit në krye si operator financiar dhe bankar në vend, jashtë sektorit bankar.

Me një përvojë jubilare ku vitin e ardhshëm mbushen plot 110 që prej krijimit të saj, Posta Shqiptare ngelet sot i vetmi operator në treg që ka të drejt të ofrojë të gjitha shërbimet universale për qytetarët.

E për ata që e njohin këtë treg, të ofrosh shërbime universale me tarifa të orientuara drejt kostos, nuk është fat, po përgjegjësi e barrë për të ardhurat që konkurrenca nuk do të donte të kishte.

Imagjinoni që Posta Shqiptare, përpos tarifave më të ulta në treg, sot numëron mbi 530 zyra në të gjithë vendin nga Vermoshi në Konispol, nga Tirana deri në skajin më të thellë e rural të vendit nga ku ndoshta nuk ka qoftë edhe një degë bankare apo një operator tjetër shërbimi i cili do të mund t’i shërbente një komuniteti të vogël të izoluar rural.

Për kundrazi, të gjithë drejtohen te Posta Shqiptare për të marrë shërbime universale që asnjë kompani tjetër shërbimi postar apo financiar në vend nuk i ofron.

Ndërkohë, duhet thënë se ajo penetron dhe edukon konsumarët edhe për produktet apo shërbimet e “konkurrencës”, në një një segment të paarritshëm për këta të fundit, ku ata mund të kenë precedencën financiare dhe burokratike në avantazhin e tyre.

Krahas vështirësive, bureokracive, kapaciteteve e shumë sfidave që ky institucion mbartë, ndoshta ka ardhur momenti që duhet të shohim edhe atë pjesë të gotës të mbushur plotë që nuk e shohim shpesh kur bëhet fjalë për perceptimin që kemi për këtë institucion.

Ndokush mbase mund të shtrojë pyetjen se pse Posta Shqiptare duhet parë si një aset kombëtar?

E themeluar vetëm disa ditë pas shpalljes së pavarësisë në 5 Dhjetor 1912, pesha e saj strategjike nuk ishte vetëm për kohën por ndihet edhe sot. Në atë kohë, Shqipëria kishte nevojë për të bashkuar shqiptarët mes vetes, si dhe të përcillte lajmin në kancelaritë evropiane se tanimë Shqipëria ishte shteti më i ri në Europë, të lidhte ura komunikimi, bashkëpunimi dhe tregëtare.


Pulla postare dhe filatelia nga ana tjetër, ishte vërtet një domosdoshmëri për atë kohë, por sot merr një vlerë tjetër të përmasave të një pasurie kombëtare, një trashëgëmie mbi të vërtetat e kontekstit politik, ekonomik e social që vjen përmes imazhit të pullës.

Pulla nuk gënjen, përmes saj mund të lexosh ngjarjet historike, kontekstin social dhe vizionin drejtues të një vendi.


Së fundmi, me të mirat dhe të këqijat e saj, Posta Shqiptare, është Posta e Shqipërisë, pronë e taksapaguesve shqiptarë, ç’ka do të thotë se çdo para e çuar në drejtim të këtij institucioni është një investim i kthyer pas.

Në fund të fundit, fondet e Postës janë aty, shkojnë tek shteti dhe tek çdo investim i kësaj shoqërie që është pronë e qytetarëve.

Nga ana tjetër, Posta Shqiptare si çdo kompani dhe organizatë tjetër serioze është e vetëdijshme për rëndësinë e adaptimit me proceset evolutive të teknologjisë.

Për këtë ajo ka zgjedhur të jetë një institucion në zhvillim dhe si e tillë ka nisur procesin e transformimit të shërbimeve dhe produkteve të saj drejt digjitalizimit (aplikacioni i pagesave online e-Posta), aksesit në platformat online (posta retail outlet dhe magazina doganore), dhe integrimit të formateve hibride të shërbimit (posta hibride), çka e pozicionon atë krah aktorëve kryesorë të ekosistemit të inovacionit në Shqipëri e më tej në rajon.


E për këtë, krahas objektivit të saj për të afruar brezin e gjeneratës së re, ajo vazhdon misionin e saj natyror të edukimit dhe të adaptimit të konsumatorit të saj tradicional.


Më tej, zhvillimi i një avantazhi të qëndrueshëm konkurrues është një sfidë kryesore në axhendat e lidershipit të sotëm global dhe lokal, kësisoj Posta Shqiptare prej kohësh ka kryer investime të qëndrueshme, ka zhvilluar mekanizmat e kontrolleve, standardeve dhe të cilësisë, raportimeve që fokusohen në zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë duke ndihmuar komunitetin dhe duke zhvilluar potencialisht biznesin e saj.

Kjo qasje synon promovimin e një integrimi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, brenda një vizioni të përgjithshëm të një shoqërie, ku ndërlidhen faktorë të qëndrueshëm politik, ekonomik, mjedisor dhe social.


Vendet kandidate të BE-së si Shqipëria nxiten të inkurajojnë ndërmarrjet e biznesit të zhvillojnë dhe forcojnë angazhimet e tyre për përgjegjësinë shoqërore të korporatave. Ndaj Posta Shqiptare po investon në kapacitete e saj në drejtim të këtij angazhimi, si një institucion që përqafon standardet dhe modelet më të zhvilluara ndërkombëtare në këtë drejtim.

E ka nisur këtë me projektin “Go Green” (shko gjelbër), fryt i zbatimit me sukses të projekteve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare duke mundësuar shtimin e armatës postare me një flotë prej 12 automjetesh ekologjik dhe 20 motorrë me efiçencë të lartë motorrike, për të minimizuar impaktin në ndotjen e mjedisit.

Së fundi, Posta Shqiptare, dëshmojë rolin e saj strategjik duke rikthyer vemendjen e qytetarëve, biznesit dhe institucioneve për rëndësinë e saj strategjike në një moment kritik për vendin siç ishin tërmeti i 26 Nëntorit dhe pandemia.

Ishte flota gjigande e automjeteve dhe postierëve që menjëherë pas tërmetit ofruan kapacitet e tyre të shpërndarjes për dërgimin e ndihmave për qytetarët në nevojë.

Ndërsa pa marrë ende veten nga kjo fatkeqësi kombërtare, u përballën me një tjetër sfidë globale, gjatë periudhës së mbylljes si pasojë e pandemisë ku tregu postar vuajti shumë.

Por ajo nuk e ndali punën, përmes shtrirjes dhe kapaciteteve të saj distribuese, në një hark kohor prej vetëm 3-4 muaj postierët arritën të shpërndanin rreth 1.5 milionë pensione në banesa me kosto zero, kjo që të mos rrezikohej asnjë e moshuar dhe i moshuar.


Ndaj për ata që e shohin Postën Shqiptare, zyrat e saj, sportelistin, postierin, shpërndarësin, si pjesë të një zinxhiri ingranazhes të ndryshkur të një dinozauri shekullor që mezi lëviz, gabojnë.

Është kjo punë e padukshme, e gjithë kësaj armate prej 2500 njerëzish që punojnë çdo ditë, vizioni strategjik i shoqërisë dhe sfidat e çdo dite për të kryer shërbimin deri në fund, që e çojnë përpara këtë institucion duke i dhënë atij statusin e luanit të tregut postar dhe financiar, jo bankar.

Një gjigand që mundëson shpërndarjen e mbi 24 milionë objekteve postare dhe të mbi 19 milionë transaksioneve financiare e bankare në vit për qytarët, biznesin dhe institucionet shtetërore.

Për këto dhe të tjera ne jemi Posta Shqiptare, prej më shumë se 109 vitesh në shërbimin tuaj – shpejt, sigurt dhe kudo.

Eunews.al

Comments are closed.