×
Sunday, September 19, 2021

Posta Shqiptare, flamurtarja e mbrojtjes së mjedisit me flotë të modernizuar ekologjike

August 18, 2021

Mbrojta e biodiversitetit është mision për gjithsecilin si kusht themeltar mbi sigurimin e zhvillimit sa më shëndetshëm të shoqërisë.

Më shumë se sa vetë individi, kjo detyrë jetike rëndon mbi institucionet të cilat duhet të jenë pararojë e të gjitha ndryshimeve që garantojnë uljen e ndotjes së ujit, ajrit, tokës, etj.

Të jetuarit në një mjedis të pastër, bëhet gjithnjë edhe më e vështirë, andaj edhe është e rëndësishmë të evideontohen jo vetëm ndotësit por edhe ata që bëjnë përpjekje për të mbrojtur sa më shumë sistemin ekologjik.

Vitet e fundit aktorë të ndryshëm të shoqërisë si kompani, operatorë postarë financiarë, organizata ente publike etj, kanë zhvendosur vëmendjen në gjetjen e mënyrave alternative dhe përdorimin e teknologjisë  për reduktimin e ndotjes së mjedisit.

Një prej flamurtarëve në këtë mision për jetën, është edhe Posta Shqiptare e cila ka përshkallëzuar përpjekjen për të eleminuar ndotjen që mund të vijë prej saj.

Përgjegjësia Sociale Koorporative si një nga 3 shtyllat e misionit të Postës Shqiptare është e orientuar drejt mbështetjes së kauzave të ndryshme sociale me impakt në komunitetin  ku P.SH ushtron aktivitetin e saj.

Për të ilustruar këtë do të mjaftonte të përmendnim projektin “Go Green” të Postës Shqiptare, i cili është fryt i zbatimit me sukses të projekteve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.

Si rrjedhojë është mundësuar shtimi i armatës postare me një flotë prej 12 automjetesh ekologjik dhe 20 motorëve me efiçencë të lartë motorike për të minimizuar impaktin në ndotjen e mjedisit. 



Përmes këtij projekti të modernizuar me bosht ekologjik, Posta Shqiptare synon të japë kontributin e saj sado modest në përmirësimin e cilësisë të shëndetit përmes zvogëlimit të  ndikimit negativ të dyoksidit të karbonit në atmosferë, në kuadër të mbështetjes së direktivës të  U.P.U.-së për mbrojtjen e mjedisit global ku  theksohet se, shkaku kryesor i ndotjes së mjedisit në operacionet postare është flota e automjeteve  të çdo operatori  postar.

Ky projekt veç të tjerash, sjell edhe fuqizim të ndjeshëm të flotës së transportit  të dërgesave  postare me automjete ekologjike të Postës Shqiptare, si operatori i vetëm publik në vendin tonë, me qëllimin  e ofrimit të shërbimeve postare  për të gjithë përdoruesit  sipas standardeve  të cilësisë  të U.P.U.-së  dhe PostEuropës .

Veç të tjerash, është garantuar rinovimi i 20% të automjeteve të amortizuara të flotës ekzistuese me mjete ekologjike dhe 100%  elektrike,  duke ulur  shpenzimet në konsumin e karburantit dhe të mirëmbajtjes së automjeteve.

Referuar të dhënave të bëra publike nga Posta Shqiptare, ky institucion fuqizoi flotën  e automjeteve  me 12  furgonë  ekologjik kargo nga të cilët: shtatë  furgona ekologjikë kargo, pesë furgonë 100% elektrikë kargo  dhe 6 stacione.

Pra, një fillim i mbarë  në vijim të përpjekjeve që nxisin rritjen e ndërgjegjësimit sa i përket mrojtjes së mjedisit.

Duke nisur nga shembulli i Postës Shqiptare, të tjera institucione do të ndikohen për të ndërmarrë një sërë nismash për reduktimin e ndotjes mjedisore, si fushata sensibilizuese për përdorimin e mjeteve elektrike dhe ato eco-friendly, duke siguruar lehtësira në infrastrukturë. 

Duke implementuar projektin e përdorimit të flotës ekologjike për kryerjen e aktivitetit të përditshëm, Posta Shqiptare shënon një kthesë të madhe drejt një misioni që sa vjen dhe bëhet më jetik: “Të mbrojmë mjedisin!”

Eunews.al

Comments are closed.