×
Friday, October 11, 2024

“Po shkojmë drejt krizës ushqimore”, BE paralajmëron: Rusët po provokojnë uri në botë

April 11, 2022


Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se lufta e Rusisë kundër Ukrainës po e çon botën në prag të krizës ushqimore. Një ditë pasi Banka Botërore ka thënë se ekonomia e Ukrainës do të tkurret gati për gjysmë këtë vit, kryediplomati i bllokut evropian, Josep Borrell ka thënë më 11 prill se bombardimet e Rusisë dhe bllokimi i porteve, duke pamundësuar transportimin e grurit, është duke krijuar valë tronditëse në kohën kur ekonomia globale veçse po përballet me pasojat e pandemisë së koronavirusit.

“Ata po shkaktojnë mungesa. Ata janë duke bombarduar qytetet ukrainase dhe janë duke provokuar uri në botë. Ata janë duke provokuar uri në botën tonë”, u ka Borrell gazetarëve, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Paralajmërimet e Borrellit rrisin shqetësimet e theksuara në raportin e Bankës Botërore, në të cilin është thënë se prodhimi ekonomik në Ukrainë pritet të tkurret për 45 për qind dhe se kjo ulje do të varet nga “gjatësia dhe intensiteti i luftës”. “Pushtimi rus është duke shkaktuar goditje masive në ekonominë e Ukrainës dhe ka rezultuar me dëme të mëdha në infrastrukturë”, ka thënë, Anna Bjerde, nënpresidente e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Rusia ka nisur luftën në Ukrainë më 24 shkurt. Prej atëherë, ajo është goditur me një mori sanksionesh nga Perëndimi, të cilat e kanë izoluar nga pjesa më e madhe e botës, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe atë ekonomik. Banka Botërore ka thënë se parasheh që ekonomia e Rusisë do të tkurret për 11 për qind këtë vit, si pasojë e sanksioneve. Më shumë se 10 milionë ukrainas, apo një çerek i popullsisë besohet se janë larguar nga shtëpitë e tyre, duke përfshirë katër milionë që kanë lënë krejtësisht Ukrainën, në kërkim të strehimit në ndonjë shtet tjetër.




Comments are closed.