“Po largohem në prag të çeljes së negociatave, rritja e çmimeve për shkak të luftës”



Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, deklaroi sot se “ jam besimplotë që po largohem nga Shqipëria se po largohem në prag të çeljes së negociatave mundësisht në Qershor”.
Në një prononcim për gazetarët nga Erseka, Soreca tha se “vitin e shkuar në qershor ishte Këshilli Evropian vendosi që Shqipëria kishte plotësuar çdo kusht të kërkuar dhe të gjitha këto nuk kishin ndodhur në vitin 2018”.
“Ishte pikërisht vizita e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borrell dhe theksoi faktin se ishte shumë e rëndësishme çelja e negociatave me Shqipërinë, i gjithë rajoni është shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë dhe kjo për arsye të kërcënimit që na vjen nga gjithçka që ka ndodhur në Ukrainë”, u shpreh ai,.
Ai ka theksuar se Reforma në drejtësi ka pasur progres, dhe se sot falë progresit, flitet për konsolidimin e institucioneve të drejtësisë. “Unë e njoh gjyqësorin, kjo dhe për shkak të punës sime të mëparshme dhe këto gjëra kërkojnë kohë. Gjërat po ecin kemi institucione të drejtësisë, puna tashmë po bëhet procesi i vetingut do vazhdojë dhe vetëm 2 ditë më parë kemi patur emërimin e gjyqtarit tjetër në Gjykatën Kushtetuese. Gjërat po ecin, nuk është siç ka qenë më parë”, nënvizoi diplomati evropian.
Sa i përket rritjes së çmimeve, ambasadori u shpreh se kjo ka ardhur si pasojë të luftës dhe jo sanksioneve.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm për shqetësimin e Shqiptarëve për rritjen e çmimeve të shportës dhe karburantit është shumë e rëndësishme të mbrohen familjet dhe bizneset e vogla, por siç e thatë edhe ju vjen për shkak të luftës dhe jo për shkak të sanksioneve që janë vendosur. BE do vazhdojë të qëndrojë krah Shqipërisë për ta ndihmuar atë ashtu siç ka bërë edhe gjatë dy krizave që ka kaluar Shqipëria gjatë 4 viteve të fundit siç ishte tërmeti apo pandemia. Ju ndoshta e dini që 250 mil euro i ka dhënë BE Shqipërisë për rimëkëmbjen ekonomike të vendit për pandeminë. Në rast se lufta do të vazhdojë gjithashtu BE do të vijojë me asistencën e tij”, përfundoi Soreca.

