×
Tuesday, June 30, 2020

Plani i rimëkëmbjes së BE-së: Merkel dhe Macron tregojnë vendosmëri

June 30, 2020

BE-ja po përballet me vështirësitë e saj më të mëdha deri tani dhe motori franko-gjerman nuk po punon si mëparë, megjithatë Merkel dhe Macron demonstrojnë vendosmëri.

Pak para fillimit të presidencës gjermane të BE-së, kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Francez Emmanuel Macron demonstruan unitet në përballimin e pandemisë koronavirusit. Në luftën për një program për rindërtimin ekonomik, ata duan të “japin një impuls pozitiv në drejtimin e duhur për të ardhmen evropiane”, tha Merkel në një takim me Macron në Kalanë Meseberg afër Berlinit.

“Me e rëndësishme është për mua që ne në fund të dalim nga debati me një instrument të fortë,” tha politikania e CDU. Presidenti francez kërkoi që një marrëveshje për programin të arrihet që në korrik.” Kjo është përparësia jonë kryesore.” Macron tha se në qendër do të jenë grante për buxhetin, sepse huatë dhe kreditë rritin vetëm borxhin e shteteve marrëse.

Macron dhe Merkel propozuan në maj një fond ndihme prej 500 miliardë eurosh për ta nxjerrë ekonominë evropiane nga kriza. Shefja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen më pas paraqiti një plan rindërtimi të financuar nga borxhet me një vëllim prej 750 miliardë eurosh. 500 miliardë euro nga kjo do të jepen si grante dhe 250 miliardë si kredi për vendet e BE-së. Plani është duke u negociuar së bashku me kornizën financiare shtatë vjeçare të BE-së, për të cilën Komisioni po synon 1.1 trilion euro.

Rezistenca e “katër kursimtareve”

Merkel dhe Macron po bëjnë fushatë për këtë projekt në radhët e anëtarëve të BE- së dhe po përballen me rezistencë të ashpër. Austria, Hollanda, Suedia dhe Danimarka, të ashtuquajturat “katër kursimtaret”, janë kundër granteve që nuk duhet të paguhen. Një vendim mund të merret në samitin e BE në Bruksel në mes të korrikut. Qeveria gjermane dëshiron të hedhë themelet për një presidencë të suksesshme gjermane – e para prej 13 vjetësh.

Vendosmëria e qeverive në Berlin dhe Paris është çelës për të përballuar krizën, tha kancelarja Merkel.

Për Francën, e cila u godit shumë nga pandemia, negociatat për fondin e rindërtimit nuk kanë të bëjnë vetëm me shpenzimin e shumë parave: Parisi po shpreson të përfitojë 30 deri në 40 miliardë euro nga programi. Pas krizës së gjatë të Coronës dhe humbjve të rënda në zgjedhjet lokale, Presidenti Macron ka gjithashtu nevojë për suksese në politikën e jashtme që do të rrisin karizmën e tij.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për